Mirë kur Reali humb pikë

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro Rodriguez ka lavdëruar rikthimin e David Villas derisa theksoi se renditja ka pak rëndësi tani edhe pse “është gjithmonë mirë kur Real Madridi humb pikë”.
Gjiganti katalan mposhti Real Sociedadin 5-1 pasi kampioni në fuqi Reali barazoi në shtëpi me Valencian 1-1. “Ekipi është në formë të mirë dhe e dëshmoi këtë. Ne duhet të vazhdojmë kështu”, deklaroi Pedro, një prej golashënuesve.
“Jemi shumë të kënaqur, renditja nuk ka rëndësi tani por është gjithmonë mirë kur Reali humb pikë. Lajmi më i mirë është pa dyshim rikthimi i Villas. Ai është shumë i dobishëm për ne dhe për tifozët. Është kënaqësi ta kemi sepse është shumë i rëndësishëm për ekipin. Ai kaloi periudhë të vështirë nga lëndimi dhe e urojmë për rikthimin e tij”, përfundoi Pedro.