Federer triumfon në turneun e Australian Open
Roxher Federer arriti të fitonte Grand Slemin e 16-të në karrierë, duke triumfuar në Australian Open ndaj britanikut Andi Mërrei. Kampioni zvicerian ka qenë i papërmbajtshëm, duke vendosur kështu një rekord të ri përsa i përket numrit të titujve. Përballë Mërreit, Federer ka fituar 3-0 me sete, 6-3, 6-4, 7-6, duke dhuruar një tenis spektakolar. Për zvicerianin fitorja u duk e lehtë, ndërsa Mërreit i duhet të presë ende për të fituar Grand Slemin e parë. Seti i fundit ishte edhe më i bukuri, por që sërish u fitua nga Federer pavarësisht rezistencës së bërë nga tenisti skocez. Në fund Mërrei shpërtheu në lot, ashtu siç bëri Federer vitin e shkuar përballë Nadal. “Mund të qaj njësoj si Roxheri, por më duket e turpshme që nuk luaj dot si ai”, deklaroi Mërrei në momentin e ceremonisë. Ai është vetëm 22 vjeç dhe shihet si e ardhmja e tenisit britanik, pasi deri tani ka luajtur në dy finale të turneve të mëdha, i pari në US Open dy vjet më parë dhe tjetri tani. Ndërkohë, Federer u shpreh i kënaqur për paraqitjen e tij në këtë takim. “Në këto momente ndjehem sikur jam sipër hënës, - tha ai. – Mendoj se dhurova një ndeshje tenisi nga më të bukurat në jetën time. Ky ishte një trofe special, sepse është Grand Slemi i parë që fitoj si baba”, deklaroi Federer. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)