çfarë na ofron gjeografia?
Shpesh herë, veçanërisht në vitet e fundit, në studime dhe referime të ndryshme të bëra në kontinentin tonë është pohuar që Ballkani politikisht, historikisht dhe kulturalisht është pjesë e Europës. Por, sidoqoftë, në asnjë rast nuk ka mbetur pa u theksuar, si tregues i pakundërshtueshëm pozicioni gjeografik i tij, që e dallon këtë gadishull si territor europian. Në këtë kontekst, ideja e një politike të bashkuar do të mbështetej, sigurisht, nga të gjithë aktorët politikë dhe nga tërë opinioni publik, për të cilët perspektiva e Bashkimit Europian do të përbënte një motor dhe motiv të rëndësishëm për zhvillimet pozitive, duke ua bërë të pamundur partive të ndryshme destabilizimin e rajonit dhe cenimin e paqes brenda apo ndërmjet shteteve të tij. Së paku në pamje të jashtme, të gjitha këto janë të vlefshme edhe për Shqipërinë, e cila së bashku me Bosnjën ende qëndron ‘në fund të listës’ së atyre vendeve që aspirojnë integrimin e plotë në familjen europiane. ‘Në fund të listës, jo se i pengojnë distancat kilometrike dhe miljore nga vendet e zhvilluara të Botës së Vjetër. Përkundrazi! Por, më së pari e më së shumti, krahas të tjerave, se këtu ka mbetur ende pa përgjigje të qartë e të plotë pyetja: çfarë është për t’u kuptuar me ’vlera europiane’ në procesin politik? Si koncept moral – filozofik, këto vlera konsiderohen kritere për përcaktimin e përafërt të zhvillimit, një trajtim ky që i përshtatet kërkesave të sistemit bazë të vlerave. Në këtë vështrim, këto dallohen thelbësisht nga zakonet dhe mentalitetet e pakuptimta, të cilat ndonëse të ndryshueshme, mbeten gjendje e pavlerë e formëzimit empirik të shoqërisë. Në të kundërt, vlerat vërtet synojnë të ankorohen në mënyrë empirike te një shoqëri, por ato nuk mund të ndahen e të veçohen nga kërkesat që gjallojnë brenda saj. Prandaj, në trajtimin e tyre vijnë në konsideratë jo vetëm fuqia e efikasitetit dhe fakticiteti pozitiv i vlerave, por edhe rëndësia normative e tyre. Kërkimi mbi ‘vlerat dhe politikën’ – një ndjenjë komuniteti në territoret që përmblidhen aktualisht në Bashkimin Europian dhe ardhmërisht në vendet aplikante për të hyrë në të, vitet e fundit ka gjetur shprehje të qartë në formulimin e traktatit kushtetues: “Vlerat mbi të cilat themelohet Bashkimi janë respektimi i dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe ruajtjes të së drejtave të njeriut...Këto vlera janë të përbashkëta në të gjitha shtetet anëtare, në një shoqëri, e cila shquhet për pluralizëm, jo diskriminim, tolerancë, drejtësi, solidaritet...” *** Pikërisht, mosrespektimi i këtyre vlerave, sidomos prej pothuajse një viti, në Shqipëri kanë sjellë vënien në dyshim të veprimtarisë legjislative të një Parlamenti të cunguar dhe të ligjshmërisë qeverisëse të një pushteti të shoqëruar nga katastrofat dhe skandalet. I tillë, skandal pra, u propagandua nga mediat tona edhe ai i para pak ditëve, kur në Strasburg u pezullua vota e delegacionit shqiptar pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, sikurse edhe e atij nga Armenia, që u përfshi vitin e kaluar nga një katrahurë e vërtetë me viktima. Dhe, kjo erdhi ngaqë komisioni përkatës i këtij organizmi të rëndësishëm paneuropian u informua që kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë nuk kishte ndjekur mënyrat e duhura për të përbërë, përcaktuar dhe dërguar delegacionin në fjalë, çka nuk siguronte përfaqësim të balancuar pozitë – opozitë, që për këto veprime nuk ishte konsultuar për miratim me kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë etj. Me këtë rast, në Strasburg u vërejtën shkelje të rregullores së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe asaj të Kuvendit të Shqipërisë, shkelje që nuk ishte kryer për herë të parë, që kishte precedent në një hark të shkurtër kohor. Mjafton të kujtohet situata e krijuar me shkarkimin në mënyrë krejt arbitrare të kryetarit të delegacionit shqiptar gjatë legjislaturës së mëparshme. Kështu që, e ndodhur në një gjendje komprometuese, e cila përkeqësonte ndërkohë edhe imazhin e vendit, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë u detyrua t’i dërgonte një letër të firmosur prej saj Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke sqaruar përmirësimin e përbërjes së delegacionit shqiptar mbi bazën e kuadrit ligjor dhe procedurave të nevojshme. Duke u zotuar gjithashtu, që emrat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste do t’i linte bosh, deri në fund të bojkotit që i bëjnë këta Parlamentit. Me sa u kuptua, ky reflektim i kryeparlamentares sonë e bëri edhe Asamblenë të shprehte edhe një herë dhe menjëherë ‘bujarinë’ e saj, për t’ia pranuar kredencialet, për t’ia njohur të drejtën e votës anëtarëve të delegacionit permanent nga Shqipëria, të atashuar në forumin më të lartë të Këshillit të Europës. Ndërkohë që kryeministri, lider i maxhorancës sonë përfitoi nga kjo ‘bujari’ për të rinisur me gjuhë të ashpër sulmet ndaj kundërshtarëve politikë, për t’ua cilësuar informimin që bënë këta në Strasburg mbi mënyrat antiligjore, antiprocedurale të përbërjes së grupit të përfaqësuesve shqiptarë, si një veprim antikombëtar etj, etj. *** Por, ky incident mund të konsiderohet vetëm si prolog i pakëndshëm i një etape delikate, të vështirë për t’u realizuar, e cila lidhet drejtpërdrejt me zgjidhjen e asaj që tashmë cilësohet edhe nga parlamentarët e të gjitha vendeve europiane, si “kriza politike në Shqipëri”. Një krizë reale dhe e ashpër që rrezikon destabilizimin e shtetit tonë, ekzistenca e së cilës i nxiti edhe ata të diskutojnë gjerësisht për rrugët dhe ndihmën në kapërcimin sa më parë të kësaj krize nëpërmjet pjesëmarrjes së opozitës në punimet e Parlamentit të vendit tonë. Ndonëse përfaqësuesit e krahut të djathtë nga Shqipëria bënë përpjekje te mjediset e Asamblesë për t’u bërë korrigjime në Projekt–Rezolutën e hartuar prej monitoruesve të saj, veçanërisht për të mos e cilësuar gjendjen e vështirë politike në vendin tonë si ‘krizë’, ky term shoqëroi tërë rezonancat e seancës plenare të Asamblesë, ku nuk u miratua shumica absolute e propozimeve amenduese të insistuara prej të dërguarve të Berishës e Topallit. Ndërkohë, pothuajse nga të gjithë oratorët kontinentalë, të spektrit të djathtë apo të majtë, në mënyrë të qartë dhe të prerë u pranua realiteti i mungesës së dialogut politik në Shqipëri, dhe deri në një farë mase, edhe ai i krizës institucionale. Në këtë kuadër mund të kuptohet si e arsyeshme rënia e tyre dakord me rekomandimin e përfshirë në draftin e Rezolutës, për t’i kujtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë një nga detyrat e tij më të rëndësishme, atë të pikës së referimit, të arbitrit, në rast krizash politike. Mirëpo, edhe për këtë mirëkuptim midis tyre, ata u përqendruan në aplikimin e vlerave europiane për të mos ndërhyrë drejtpërdrejt në çështjet e brendshme të një vendi sovran, si edhe duke respektuar apo rekomanduar pikërisht normat legjislative të këtij vendi. Sepse, ky adresim te roli i Presidentit tonë mbështetet, veç të tjerash, edhe te hapësira e manovrimit që i lë atij Kushtetuta e Shqipërisë, për t’ia besuar eventualisht edhe detyrën e kryeministrit një personi që mund t’i përkasë një partie tjetër nga ajo ose ato që përbëjnë shumicën parlamentare. Megjithatë, në kushtet e zhvillimeve politike të deritanishme në Shqipëri, edhe mund të vihet praktikisht në pikëpyetje efektshmëria e ushtrimit të këtij roli, përderisa Presidenti ynë aktual, gjatë veprimtarisë së tij ka prezantuar përgjithësisht një gjendje të flashkëzuar, një tërheqje herë–herë të paarsyeshme ndaj presionit real apo hipotetik të maxhorancës parlamentare dhe liderit të saj – kryeministër, që e propozuan dhe e zgjodhën me votat e tyre në postin e kryetarit të shtetit. Mjafton të përmendet këtu një rast i kohëve të fundit, kur edhe të vetmin funksion ekzekutiv që i njeh Kushtetuta, ai i kryetarit të Komitetit të Sigurimit Kombëtar, Presidenti ynë nuk e ushtroi, tek daljet nga kaskada e Drinit, përmbytnin në mënyrë katastrofale mijëra hektarë të zonave të banuara në Veriperëndim të vendit. *** Pa u përpjekur në këto radhë që të bëhet sinoptika e zhvillimeve të ardhshme politike te ne, pas miratimit në Asamblenë e Këshillit të Europës të një Rezolute të rëndësishme për Shqipërinë, ndoshta vlen të theksohet fryma e këtij dokumenti ndërkombëtar, që na përcjell një vlerë të çmueshme europiane: përpjekja e pareshtur për një bashkëpunim të frytshëm midis vendeve tona, çka mund të përbënte një eksperiment të shkëlqyer për zgjidhjen e problemeve tona kruçiale, të lindura nga rregullat e hekurta autotarkike dhe përballja e ashpër e kategorive shoqërore nga egoizmat personalë për pushtet dhe pasurim, por edhe të vështira për t’u zgjidhur në hapësirën e ngushtë të shtetit tonë. Të ngushtë pra, jo vetëm gjeografikisht, por edhe mentalisht. Përpjekja për t’i dhënë jetë, jetë të re komunitetit tonë, shfaqet mjaft interesante në ndryshimet që pëson bota dhe që i bën pasuritë e shteteve të veçanta përherë e më përplotësuese midis tyre. Dhe, këto ndryshime po ndodhin pikërisht në kohën e një përparimi që shkurton largësitë mes njerëzve dhe popujve, çka mund të bëjë që si të parët, edhe të dytët, të mos i shmangen nevojës për një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë, duke i dhënë hove të reja bashkësive ndërkombëtare, si ajo europiane ku aspirojmë të integrohemi, që të mos injorojnë, por të përkrahin dhe të përmirësojnë rregullat e virtytet e veçanta kombëtare. Por, kapërcimi i krizës politike të rrezikshme, që mund të kthehet te ne në një burim dramash e tragjedish, që do të bënin të lindnin brenda çdo shpirti të ndjeshëm dëshira për masa të ashpra ndaj sistemeve politike, të cilët vënë pranë njëri–tjetrit njerëz me nivele krejt të ndryshme jetese, domosdoshmërisht do të kërkonte së pari bashkëpunimin e forcave politike brenda vendit. Sepse, tek e fundit, përparimi dhe bashkëpunimi janë dy pamje të së njëjtës medalje. Këto vlera na ofron tani gjeografia, e cila fatmirësisht nuk na ka sikterisur në cepa të largët të botës, por mu në mes të një kontinenti të zhvilluar materialisht dhe kulturalisht.(GSH/BalkanWeb)