E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Vidohovë, banorët në protestë për kapjen e autorit

KORCE- Protestë në Vidohovë të Bilishtit. Banorët bllokojnë rrugët që lidhin fshatin e tyre me zonat e tjera, pasi kërkojnë urgjent arrestimin e autorit të vrasjes së tre vëllëzërve Mulliri. Banorët nuk lejojnë asnjë mjet të qarkullojnë, duke e bllokuar rrugën me gurë. Banorët akuzojnë uniformat blu se nuk morën masat e duhura për parandalimin e vrasjes makabre. Familja Mulliri përcolli sot paradite për në banesën e fundit djalin e tyre të tretë, Etlevanin. Vëllai më i vogël ishte plagosur rëndë në masakrën e ndodhur tre ditë më parë, ku dy vëllezërit e tij mbetën të vdekur në vend. E ndërsa paraditen e djeshme ishte përgatitur ceremonia mortore Xhulianin dhe Taulantin, përkatësisht 25 dhe 23 vjeç, në shtëpi trokiti dhe koba tjetër. Etlevani nuk kishte mundur ti shpëtonte plagëve dhe zemra e tij ishte ndalur. Në ceremoninë e varrimit mori pjesë dhe nëna e tyre, Liliana Mulliri, e cila aktualisht vuan dënimin me 25 vjet burg për vrasjen e 7 vjecarit Altin Xhihani, në vitin 2003. Policia thotë se vijojnë kërkimet për arrestimin e autorit të vrasjes së tre vëllezërve, Besim Karaj. Mësohet se në operacionin e arrestimit janë angazhuar dhe forcat e RENEA-s dhe se kërkimet janë përqëndruar në fshatin Sinicë të Greqisë. Nga ana tjetër policia ka zbardhur plotësisht dhe motivin e krimit. Sipas policisë, 23-vjeçari Taulant Mulliri kishte një lidhje jashtëmartesore me gruan e Besim Karajt. Para dy muajsh, Karaj e kishte kapur në flagrancë Taulantin me të shoqen në shtëpinë e tij. Pas një zënkë me fjalë, ata i kishin sheshuar mosmarrëveshjet. Besimi ia kishte falur të shoqes ‘mëkatin’. Por, me kalimin e kohës, duke parë që në fshat pëshpëritej që Besimi nuk është burrë, si ia fali gruas tradhtinë, etj, akumuluan tek 45-vjeçari ndjenjën e hakmarrjes. Kjo ndjenjë hakmarrjeje shpërtheu mesditën e së premtes, duke çuar në një ngjarje të rëndë që do të mbahet mend si masakra e Vidohovës. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›