Feit: “Të shmanget situata që UNMIK-u të jetë serb, kurse EULEX-i shqiptar”
Përfaqësuesi i përgjithshëm i Bashkimit Europian, Piter Feit, ka bërë të ditura synimet e misionit EULEX për t’u vendosur në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pjesën veriore. Kjo deklaratë e kreut të misionit të BE-së vjen pas kërkesës të Rusisë që vetëm UNMIK-u të mbetej të Veri të Kosovës. “Kosova duhet të shmangë situatën që UNMIK-u të jetë serb, kurse EULEX-i shqiptar”, - tha Feit, duke shtuar se kjo do të ishte hyrje në ndarjen e Kosovës, ose do të jepte idenë për ndarjen. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Piter Feith, deklaroi për mediat serbe se përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë do të qëndrojë derisa të implementohet plotësisht plani për statusin e Kosovës, ndërsa Bashkimi Europian do të mbesë në Kosovë derisa Kosova të hyjë në BE. Në deklaratën për shtyp në Beograd Feit ka shtuar se mandati i tij i përfaqësuesit ndërkombëtar nënkupton “fuqinë ekzekutive për zbatimin e planit ‘Ahtisari’ për statusin e Kosovës” dhe që përfshin edhe “fuqinë e miratimit të veprimeve korrektuese në rastet ekstreme”. Megjithatë, sipas tij, ky nuk është prioritet, sepse është shumë më me rëndësi bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës. “Kompetencat e mia janë në kuti, kutia është në kasafortë me një dry të fortë. Çelësi për bravën do të përdoret vetëm po qe se dështojnë të gjitha alternativat”,-është shprehur figurativisht Feit.
Norvegjia do të nisë procedurat për njohjen e Kosovës
“Norvegjia së shpejti do të nisë procedurat për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ka qenë deklarata e sekretares së Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Elisabeth Ualas, gjatë një takimi me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Zyrtarja e lartë norvegjeze tha se vendi i saj do të finalizojë së shpejti procedurat për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shtoi se do të punohet ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin për nxitjen e bashkëpunimit mes tyre. Kreu i qeverisë shqiptare, Berisha nga ana e tij nënvizoi se Pavarësia e Kosovës është një faktor thelbësor për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. “Kosova është një rast unik dhe nuk përbën precedent për asnjë vend tjetër, pasi ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë, - tha kryeministri shqiptar Sali Berisha gjatë këtij takimi.
Shefer do të vizitojë Kosovën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, ka planifikuar që këtë të premte të vizitojë Kosovën. Kjo do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë të NATO-s, prej nga periudha që Kosova shpalli pavarësinë. Zëdhënësi i aleancës, Xhejms Apathurai, është shprehur se zoti Shefer do të takohet me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës dhe me komandantët e trupave të KFOR-it. Është parashikuar që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të takohet edhe me liderët e serbëve të Kosovës.
Shtypi Botëror
“New York Times”: “Pavarësia e Kosovës nxiti rënien e qeverisë serbe”
“Kosova ka bërë një zgjedhje historike për pavarësinë muajin që shkoi. Edhe Serbia së shpejti do ta ketë rastin ta bëjë zgjedhjen e saj historike: ose për një të ardhme më të mirë si pjesë e Bashkimit Europian, ose për izolim dhe kundërshtim”, - shkruan në një koment gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”. Për autorin e komentit nuk është fare e befasishme që deklarata e pavarësisë së Kosovës ka nxitur zhbërjen e koalicionit qeverisës në Serbi dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Pasi pohon se çdo parti politike me ndikim në Serbi është zotuar se do të parandalojë pavarësinë e Kosovës, gazeta konstaton se ato “u dëshmuan tërësisht të pafuqishme për ta bërë një gjë të këtillë”. Në fund të komentit gazeta shkruan se "zhbërja vrastare e Jugosllavisë filloi para pothuajse dy dekadash me manipulimin që Sllobodan Millosheviçi bëri me pasionet nacionaliste serbe mbi Kosovën. Do të ishte e drejtë që kjo epokë të marrë fund këtë pranverë, me një votë të fuqishme në favor të pragmatizmit dhe përparimit për popullin serb”, - përfundon gazeta amerikane.
13 Mars 2008