Uashingtoni mbështet anëtarësimin e tre shteteve në NATO
“Vendet që i bashkohen NATO-s vazhdojnë të zbatojnë reformat”. Biden: “Të ftohen në NATO Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia”
Administrata amerikane mbështet anëtarësimin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë për të hyrë në NATO. Kjo ka qenë deklarata e ndihmëssekretarit amerikan, Daniel Frid. “Në këtë drejtim, administrata amerikane fuqishëm mbështet hyrjen e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO, pasi të tria këto shtete kanë treguar gatishmërinë e tyre për t’i ndarë përgjegjësitë në kuadër të NATO-s dhe t’i dërgojnë trupat e tyre në Afganistan, Kosovë dhe vendet të tjera. Nga përvoja e dimë se vendet që i bashkohen NATO-s vazhdojnë me zbatimin e reformave”, - është shprehur Frid. Sipas tij, përkrahja e Uashingtonit për këto shtete do t’i tregonte botës se po vazhdon me sukses zgjerimi i NATO-s. Mbështetje për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë vjen edhe nga kryetari i Komitetit të Senatit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, senatori Jozef Biden. Ai ka porositur NATO-n për pranimin në radhët e veta të tre vendeve, të cilat i përmbushin kriteret e pranimit. “NATO-ja duhet të pranojë në radhët e veta Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në Samitin që mbahet në fillim të prillit në Bukuresht”, - është shprehur Biden. Sipas tij, anëtarësimi i tre vendeve, vështruar nga aspekti strategjik, do ta sillte Ballkanin më pranë Europës, duke forcuar sigurinë rajonale. “Vështruar nga aspekti strategjik, anëtarësimi i Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO do ta sillte Ballkanin më pranë Europës dhe kjo do të forconte sigurinë rajonale”,-tha senatori Jozef Biden, duke shtuar se jo domosdoshmërisht të tria vendet duhet të hyjnë në NATO në bllok. Senatori amerikan me këtë rast i ka bërë thirrje Maqedonisë për të gjetur një kompromis për emrin me Greqinë dhe kjo nuk duhet të ndikonte në vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë. “Ftoj Maqedoninë dhe Greqinë që sa më parë të gjejnë një kompromis për emrin e Maqedonisë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë deri në fillim të Samitit në Bukuresht, kjo nuk do të duhej të ndikonte në vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë”, - tha Biden. Optimist për anëtarësimin në NATO është shprehur edhe senatori Riçard Lugar, duke iu përgjigjur kështu të gjithë atyre që synojnë destabilizimin e rajonit. “Besoj se në Samitin e Bukureshtit duhet të ftohen për anëtarësim Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia dhe kjo do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj kujtdo që do të synonte destabilizimin e Ballkanit”, - tha senatori Lugar.
13 Mars 2008