Maqedoni, PDSH-ja i jep fund koalicionit qeveritar
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka deklaruar se koalicioni qeveritar në Maqedoni ka marrë fund. Ky lajm u bë i ditur pas takimit që Thaçi zhvilloi me ambasadoren maqedonase në SHBA, Xhilijan Millovanoviç. Kreu i Partisë Demokratike ka konfirmuar se koalicioni qeveritar me VMRO-DPMNE-në ka marrë fund për shkak të mospranimit të kërkesave të kësaj partie nga partneri qeveritar, ku përfshihet edhe njohja e sovranitetit të Kosovës nga ana e Maqedonisë. Agjencitë rajonale të lajmeve kanë bërë të ditur se Thaçi ka theksuar se heshtja e kryeministrit Gruevski nënkupton se nuk ka ndër mend të pranojë gjashtë kërkesat e PDSH-së, të cilat janë: miratimi i një ligji për përdorimin e gjuhës shqipe; ligjin për statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së; njohjen urgjente të pavarësisë së Kosovës; miratimin e një ligji të ri për flamurin; rritjen e punësimeve të shqiptarëve dhe mbylljen e rasteve të Hagës. Pas bisedimeve me ambasadoren në Amerikë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka zhvilluar edhe një takim kokë më kokë me ambasadorin e BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Ivica Bocevski, nuk ka dashur të komentojë paralajmërimet se PDSH-ja do ta braktisë qeverinë.
13 Mars 2008