E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Çu En Lait në Tiranë, si u prit nga shqiptarët

Speciale e gazetës “Zëri i Popullit”: “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze, më të ngushta se kurrë” . Përbërja e delegacionit kinez, takimet me krerët e lartë të shtetit dhe vizitat nëpër Shqipëri
Me ftesën e kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Mehmet Shehu, prej datës 31 dhjetor 1963 deri më janar 1964, bëri një vizitë miqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë, Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Zëvendëskryetari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Çu En Lai. Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës Çu En Lai shoqërohej nga: Çen Ji, zëvendëskryetar i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, ministër i Punëve të Jashtme, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Kun Juan, zëvendëskryetar i Kabinetit për marrëdhëniet me botën e jashtme pranë Këshillit të Shtetit, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Huan Çen, zëvendësministër i Punëve të Jashtme; Tun Shio Pun, kryetari i Kabinetit të Kryetarit të Këshillit të Shtetit; Çia Guan Hua, ministër asistent i Punëve të Jashtme; Y Pei Vin, drejtor i Drejtorisë së Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme; Van Min, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme; Li Shu Huai, zëvendësdrejtor i Kabinetit të Ministrisë së sigurimit publik. Kryeministri Çu En Lai dhe zëvendëskryeministri Çen Ji, si dhe shokët që i shoqëronin, vizituan Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Korçën, Beratin dhe Qytetin Stalin, si dhe uzina, kooperativa bujqësore dhe institucione kulturore e arsimore, dhe patën kontakte me shtresa të ndryshme të popullit shqiptar. Atyre iu bë kudo një pritje e nxehtë dhe e pashembullt, një mikpritje madhështore dhe e përzemërt nga ana e popullit vëlla të Shqipërisë. Kjo është një shprehje e gjallë e miqësisë së madhe, të bazuar në internacionalizmin proletar, që lidh popullin kinez me popullin shqiptar. Gjatë vizitës së tyre, shoku Çu En Lai dhe shoku Çen Ji zhvilluan bisedime të përzemërta dhe miqësore me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë shokun Enver Hoxha dhe me Kryetarin e Këshillit të Ministrave shokun Mehmet Shehu, mbi forcimin dhe zhvillimin e pandërprerë të miqësisë, të unitetit dhe të marrëdhënieve të ndihmës reciproke e të bashkëpunimit midis dy partive dhe dy vendeve, si dhe për çështjet kryesore të gjendjes ndërkombëtare e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare të kohës së sotme. Bisedimet u karakterizuan nga uniteti i plotë i pikëpamjeve dhe i qëndrimeve për të gjitha çështjet e diskutuara. Në këto bisedime morën pjesë: Nga pala shqiptare: Adil Çarçani, ministër i Minierave dhe Gjeologjisë, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Beqir Balluku, zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave, ministër i Mbrojtjes Popullore, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, president i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë; Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Komitetit Qendror; Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Komitetit Qendror; Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Komitetit Qendror; Rita Marko, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Behar Shtylla, ministër i Punëve të Jashtme, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Nesti Nase, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Nga pala kineze: Çen Ji, zëvendëskryetar i Këshillit të Shtetit, ministër i Punëve të Jashtme, anëtar i Byrosë Politike të Komunitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Kuan Juan, zëvendëskryetar i Kabinetit për marrëdhëniet me botën e jashtme pranë Këshillit të Shtetit, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Huan Çen, zëvendësministër i Punëve të Jashtme; Tun Shio Pun, ministër asistent i Punëve të Jashtme; Lo Shi Gao, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Popullore të Kinës në Republikën Popullore të Shqipërisë. Gjatë bisedimeve të dyja palët vunë në dukje me kënaqësi të madhe marrëdhëniet vëllazërore të miqësisë, të ndihmës reciproke dhe bashkëpunimit që ekzistojnë midis dy partive, dy qeverive dhe dy vendeve, të cilat janë forcuar e zhvilluar çdo ditë e më tepër në luftën kundër imperializmit dhe për mbrojtjen e paqes botërore, në luftën kundër kolonializmit dhe neokolonializmit, dhe për mbështetjen e lëvizjes nacional-çlirimtare, në luftën kundër revizionizmit modern dhe për mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit, si dhe në luftën për çështjen e përbashkët të revolucionit socialist e të ndërtimit të socializmit. Miqësia e madhe dhe uniteti luftarak midis dy partive dhe dy vendeve mbështeten mbi marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar, ato ndërtohen mbi parimet që rregullojnë marrëdhëniet midis partive motra dhe vendeve vëllezër dhe që janë përcaktuar në Deklaratat e partive komuniste e punëtore të viteve 1957 dhe 1960. Forcimi i miqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës u përgjigjet interesave themelore te popujve të tyre, interesave të të gjithë kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe është një kontribut në çështjen e madhe të popujve të botës që luftojnë për paqen botërore, për çlirimin kombëtar, për demokracinë dhe për socializmin. Të dyja palët shprehin vendosmërinë për të vazhduar përpjekjet e tyre për forcimin e miqësisë e të unitetit midis dy partive, dy qeverive dhe dy vendeve dhe për të ecur përpara, krah për krah, në luftën e tyre të përbashkët, duke inkurajuar shoqi-shoqin dhe duke i dhënë gjithmonë njëri-tjetrit ndihmë dhe përkrahje reciproke.
Çu En Lai përshëndet Hoxhën dhe Shehun
Kryetari i Këshillit të Shtetit të RP të Kinës, zëvendëskryetar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, shoku Çu En Lai, u dërgoi këtë telegram përshëndetjeje shokëve Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nga bordi i aeroplanit me të cilin udhëtoi për në Tunizi:
I dashur shoku Enver, i dashur shoku Mehmet Shehu,
Duke u larguar nga kufiri shtetëror i Shqipërisë motër aleate, shoku Çen Ji dhe unë ju shprehim edhe një herë falënderimet tona të përzemërta. Përshëndetjet e zjarrta dhe pritjet e përzemërta që na bëtë gjatë vizitës, janë dëshmi të gjalla të miqësisë së ngushtë luftarake në mes popullit kinez dhe popullit shqiptar. Unë jam i bindur se me anën e kësaj vizite dhe të bisedimeve që u zhvilluan mes nesh, do të forcohen me siguri edhe më shumë miqësia dhe uniteti mes dy partive, dy vendeve dhe dy popujve të Kinës dhe të Shqipërisë, në bazën e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar. I uroj popullit shqiptar që, nën udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye, të arrijë vazhdimisht fitore të reja në çështjen e ndërtimit të socializmit, në luftën kundër imperializmit, reaksionarëve të ndryshëm dhe revizionimit modern dhe në luftën për mbrojtjen e paqes në Evropë e në gjithë botën. Të rrojë miqësia luftarake dhe uniteti i madh në mes popullit kinez dhe popullit shqiptar! Tani me të vërtetë po largohemi nga vendi juaj heroik, me një emocion të madh po ju lëmë lamtumirën. Nëntë ditë plot miqësi e gëzim që kaluam këtu do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë. Ne ju shprehim edhe një herë falënderimet tona të përzemërta për pritjen jashtëzakonisht të sinqertë, miqësore dhe të ngrohtë që na bëtë. Ne erdhëm dhe ju sollëm zemrën e 17 milionë anëtarëve të Partisë Komuniste Kineze dhe të popullit kinez prej 650 milionësh. Tani po largohemi duke marrë me vete frymën e madhe revolucionare dhe vullnetin e vendosur dhe luftarak të popullit shqiptar, sihariqet mbi fitoret e reja që arrin vazhdimisht populli shqiptar në çështjen e ndërtimit të socializmit, si dhe miqësinë jashtëzakonisht të lartë të internacionalizmit proletar. Të gjitha këto do të frymëzojnë së tepërmi komunistët kinezë dhe popullin kinez. Lamtumirë, shokë të dashur Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe shokë të tjerë udhëheqës shqiptarë! Unë jam i bindur se populli shqiptar, nën udhëheqjen e urtë të Partisë së Punës të Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye, do të vazhdojë të ecë me siguri përpara nga fitorja në fitore edhe më të mëdha.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më datë 10 janar 1964
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›