E Diel, 1 Nëntor 2026

Feith: Kërkesa e Beogradit në Hagë ngadalëson procesin e shtetësisë së Kosovës

 

PRISHTINE-Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil për Kosovën Piter Feith shprehet kundër kërkesës së Serbisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Ai thotë se kërkesa e Beogradit që pavarësia e Kosovës të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare do të ngadalësojë konsolidimin e procesit të shtetësisë së Kosovës të filluar më 17 shkurt. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve VOA në shqip, zyrtari më i lartë ndërkombëtar në Kosovë shprehet nga ana tjetër optimist se Kosova nuk do të ndahet.

“Cdo shtet duhet të ketë të drejtë të ankohet para gjykatës dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por nga ana tjetër, kjo kërkesë nuk ndihmon. Ajo do të ndikojë para së gjithash mbi aspiratat e Serbisë për t’u afruar me BE, shumica e vendeve të të cilit e kanë njohur pavarësinë. Së dyti, do të ndikojë disi tek përpjekjet tona për stabilitet në rajon dhe në vetë Kosovën. Kosovarët nuk e pritën mirë këtë nismë pasi ajo do të ngadalësojë konsolidimin e procesit të shtetësisë, që ata e filluan më 17 shkurt”, tha Feith për VOA. Ai shtoi se mënyra e ankimit që ka zgjedhur Serbia mbetet gjithmonë më e mira për zgjidhjen e këtyre lloj interesash.

I gjendur para kritikave të Grupi Ndërkombëtar i Krizave i cili shprehet se Komuniteti Ndërkombëtar dështoi ta ndihmojë Kosovën pas pavarësisë, Feith kundërpërgjigjet.

“Por, situata në Kosovë është komplekse, që pas shpalljes së pavarësisë dhe rikonfigurimit të UNMIK-ut. UNMIK-u po zvogëlohet duke ia kaluar kompetencat EULEX-it që do të vendoset në përputhje me rezolutën 1244 dhe nën autoritetin e OKB-së. Roli im është specifik. Unë kam mandat, jam i njohur nga Kushtetuta për të mbikqyrur veprimet e qeverisë dhe përputhshmërinë e tyre me planin që zgjidhi çështjen e Kosovës. Askush tjetër nuk i ka këto kompetenca”.
Fieth hodhi poshtë zërat për ndarjen e Kosovës. Ai shprehet se në Kosovë e sheh situatën ndryshe. “Unë po shoh që elementët e ndarjes, gradualisht po veniten. Mendoj se kufiri tek lumi Ibër po bëhet më i kalueshëm. Po shtohen kontaktet me banorët e veriut, me komunitetin serb. Ka më shumë kontakte mes komunitetit serb në veri të lumit me ata në jug të lumit. Pra jam i mendimit se rreziku i ndarjes gradualisht po zhduket. Serbët e Kosovës po tregohen më të interesuar për klauzolat e planit Ahtisari”., tha Feith per VOA.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›