Mitrovicë hapen gjykatat e serbëve
MITROVICE - Në Mitrovicë u hapën dje gjykatat në zonën veriore të qytetit, që qëndruan të mbyllura për disa muaj pas trazirave që shoqëruan shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, vlerësoi se rihapja e gjykatave në veri të qytetit paraqet një lëvizje pozitive për thyerjen e 'status quo-së' në pjesën e banuar me shumicë serbe.
Ai deklaroi se mosfunksionimi i gjykatave ka ndikuar në rritjen e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës pritet të funksionalizohen të premten, fillimisht me dy gjykatës dhe dy prokurorë të OKB-së.
Rexhepi u shpreh optimist se pas dy muajsh edhe punonjësit shqiptarë do të kthehen në ndërtesën e gjykatës. Ajo i pezulloi aktivitetet pas reagimit të dhunshëm të serbëve ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Rexhepi tha se misioni EULEX duhet të vendoset në pjesën veriore të Mitrovicës deri në fund të muajit tetor, ose më së largu deri në fund të vitit.
(s.g/BalkanWeb)