E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëm



Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha dje se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe i shërben paqes në rajon. Këtë deklaratë, kreu i diplomacisë shqiptare e bëri gjatë një takimi në Tiranë me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Pieter Feith. "Theksova se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm. Ka krijuar një klimë të re paqësore në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndëretnike, duke u kthyer në faktor paqeje e stabiliteti afatgjatë në rajonin tonë", tha Meta, gjatë një konference për shtyp. Sipas tij "përshëndesim angazhimin e BE-së për t'i ofruar Kosovës një udhërrëfyes për procesin e liberalizimit të vizave, sa më shpejt të jetë e mundur". Meta kundërshtoi gjithashtu angazhimin e Serbisë për të mbajtur zgjedhje në veri të Kosovës. Nga ana e tij, Feith vlerësoi se "i mbështes plotësisht fjalët e ministrit, se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se shtetet që e kanë njohur dhe e mbështesin Kosovën nuk do të kthejnë mbrapsht vendimet që ato kanë marrë. Ky opinion nuk është i detyrueshëm dhe ne shpresojmë dhe duhet të shpresojmë se të gjitha shtetet në rajon do të nxjerrin konkluzione të drejta dhe konstruktive dhe do të kenë komunikim dhe bashkëpunim në rajon". Feith takoi dje në Tiranë Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha dhe Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›