Dëshmia e Ramiz Alisë: Vdekja e Hysni Kapos në Paris dhe fjalët për helmimin
Ramiz Alia, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës dhe njëkohësisht pasuesi i tij në pushtet, pohon, madje shpjegon gjerë e gjatë në faqet e librit të tij të sapobotuar “Jeta ime”, kultin e individit të Enver Hoxhës. Sipas Alisë, kulti i individit të Enver Hoxhës mori përpjestime të mëdha në vitet 1960-1970, menjëherë pas prishjes me sovjetikët dhe lidhjes me kinezët. “Shqipëria po shihej me simpati në planin ndërkombëtar dhe ekonomia shqiptare ishte në periudhën e saj më të mirë”, përmend Alia disa ndër arsyet që shkaktuan këtë vetëkënaqësi tek Enver Hoxha.
Ramiz Alia
Për herë të parë, siç e përmenda edhe më sipër, kam pasur mundësi ta “njoh” E. Hoxhën diku nga fillimi i vitit 1943. E dija që kishte qenë profesor në gjimnazin e Tiranës dhe më pas në liceun e Korçës, që ishte udhëheqës i PKSH dhe që ishte në ilegalitet.Tek ne të rinjtë, aktivistë të LNCL, emri i E. Hoxhës përmendej shpesh, sidomos pas demonstratës së parë antifashiste në Tiranë, asaj të 28 tetorit të vitit 1941.
Në përleshje me policinë fashiste, Profesori kishte goditur me një grusht aq të fortë sa e kishte rrëzuar përdhe kolonelin italian, komandant të forcave policore, që përpiqeshin të shpërndanin demonstratën. Ky “vigan” na ra në sy të gjithëve.
“Njohja” ime me Enverin ishte krejt e rastit. Bile më tepër e pamë njëri¬tjetrin, sesa folëm. Ja si ndodhi: Kam treguar se me Zeqi Agollin ishim shokë shumë të ngushtë. Një ditë, si shumë herë të tjera, unë shkova në shtëpinë e Zeqiut, sepse bashkë do të përgatisnim mësimin e nesërm të shkollës.
U futëm në një dhomë dhe, pasi mbaruam mësimet, ndërsa po dilnim, në korridor ndesha me Enverin. E njoha atë burrë të gjatë, me trup të lidhur, të veshur me pantallona dhe një zhile. Na foli ai i pari: “Mbaruat me mësimet?” na pyeti.
Pastaj, pa pritur përgjigjen tonë, i’u drejtua Zeqiut: “Ky është ai shoku yt për të cilin më ke treguar se mësoni dhe shoqëroheni bashkë?” Zeqiu pohoi. Enveri me shtrëngoi dorën dhe na u drejtua -të dyve: “Ju duhet të mësoni mirë. Por duhet të jeni edhe në ballë të rinisë shkollore, për ta ngritur atë në luftë kundër fashizmit”. Ne nuk thamë asnjë fjalë, veçse tundëm kokat, si për të thënë “po, ashtu është” dhe u larguam.
Herën e dytë e pashë E. Hoxhën në fshatin Panarit të Korçës, në mars të vitit 1944, pasi mbaroi kursi politik, për të cilin kam folur më sipër. Natyrisht tashmë edhe paraqitja e tij ishte tjetër, me veshje gjysmë ushtarake, me kilota e çizme, me kobure në brez dhe rrip me fishekë.
Edhe në pamje kishte ndryshuar. Fytyra sikur kishte marrë ngjyrë tjetër, një pamje malësore, por gjithnjë e qeshur. Ndërsa sjellja e tij ishte ashtu siç e kisha parë herën e parë, e ngrohtë, miqësore.
Më njoftoi se isha caktuar të punoja me rininë në ushtrinë partizane, konkretisht si anëtar i seksionit politik të Brigadës së 7-të, e cila sapo ishte formuar në Skrapar. Më këshilloi që, përveç punës me rininë e brigadës, të kujdesesha edhe për gjendjen e rinisë në terren, kudo që do të kalonte brigada.
“Por -shtoi- mos u kufizo vetëm me punën e rinisë. Bashkëpuno edhe me shokët e komandës dhe ata të partisë në brigadë. Mbaj lidhje me KQ të Rinisë, por shkruaji edhe Shtabit të Përgjithshëm, kur ke ndonjë sugjerim”.
Herën e tretë e kam takuar E. Hoxhën në gusht të vitit 1944, gjatë punimeve të Kongresit I të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare, i cili njihet si Kongresi i Helmësit, si edhe në mbledhjen e KQ të Rinisë Komuniste që u mbajt po në Helmës, menjëherë pas Kongresit.
Ditën që u hap Kongresi, pata nderin që, në emër të të gjithë delegatëve, t’i uroja mirëseardhjen në Kongresin tonë dhe t’i premtoja se rinia Shqiptare do të vazhdonte me vendosmëri luftën deri në çlirimin e plotë të vendit.
Takimi tjetër, gjatë Luftës, ka qenë në ditët e para të muajit dhjetor 1944, pak ditë pasi ishte çliruar e gjithë Shqipëria.
Tani ai ishte në zyrat e Kryeministrisë, në Tiranën e çliruar. Në këtë takim, ai me foli për punën e madhe që na priste për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta dhe më njoftoi se unë isha caktuar me detyrën e Komisarit të Divizionit V dhe më foli gjatë se si duhet të silleshim me popullin, veçanërisht në Kosovë, si dhe me forcat jugosllave.
Kam treguar për këtë takim edhe me parë. Pas çlirimit të vendit, takimet e mia me E. Hoxhën kanë qenë të shumta, bile 25 vitet e fundit (1960-1985), mund të them pa e ekzagjeruar aspak, ato kanë qenë të përditshme.
Enver Hoxha u bë një udhëheqës i dashur për popullin, sepse të gjithë veprimtarinë e tij revolucionare e vuri në shërbim të lumturisë së masave dhe të përparimit të Shqipërisë.
Enver Hoxha ishte organizator dhe politikan mendjemprehtë.
Ai ishte arkitekt i ndërtimit socialist. Por ka një veti që karakterizon tërë qenien e tij: dashuria për popullin. Enver Hoxha nuk lindi shtetar i shquar - dashuria për popullin dhe atdheun e bëri të tillë.
Ai nuk ishte ideolog e mendimtar i dalë nga bankat e universiteteve - përkushtimi ndaj çështjes së revolucionit e armatosi me këtë cilësi. Enver Hoxha ishte udhëheqës i Luftës NçL, e cila përbën faqen me të ndritur në historinë tonë kombëtare.
Ai e udhëhoqi këtë Luftë në krye të partizanëve, në luftë të përditshme, me armë, me penë, me debate, duke parë qartë atëherë kur të tjerët qorollepseshin, duke frymëzuar guxim dhe vendosmëri atëherë kur armiqtë e tradhtarët mbillnin frikë e disfatizëm. Tek Enveri guximi dhe maturia ishin gjithnjë bashkë, në pajtim dhe harmoni të plotë.
Tamam kjo, bënte që ai të ishte gjakftohtë edhe në ato momente kur fare lehtë mund të humbej durimi, edhe atëherë kur armiqtë kërkonin “sherr” dhe i shumëfishonin provokacionet. Në kohë të tilla, si në rastin e largimit të flotës sovjetike nga Baza e Vlorës apo denoncimi i Traktatit të Varshavës, ai shpërthente fuqishëm me gjithë mençurinë e trimërinë e tij.
Enver Hoxha ishte një intelektual me njohuri të gjera. Ai kishte një kulturë të gjerë humanitare, por orientohej me kompetencë edhe në shkencat natyrore. Kishte dijeni të shumta, si për kulturën e së kaluarës, ashtu edhe për atë bashkëkohore, si për kulturën klasike, ashtu edhe për drejtimet moderne e moderniste të artit të sotëm, si për trashëgiminë kulturore të ilirëve dhe të shqiptarëve të moçëm, ashtu edhe për zhvillimet e sotme të letërsisë dhe të artit tonë modern. Kujtesa e fortë e ndihmonte së tepërmi të përdorte me efikasitet të plotë dhe atje ku duhej, të gjithë bagazhin e madh kulturor që zotëronte.
Njerëz të ndryshëm më kanë bërë pyetjen: “A i dëgjonte Enveri shokët dhe a i pyeste ata, apo vepronte në kokë të vet?”
Të tilla pyetje bëhen, sepse propaganda e kundërshtarëve, sidomos pas ngjarjeve të vitit 1990, e përshkruan Enverin si diktator të egër. Përgjigja ime për pyetjen e mësipërme është: “Po, Enveri i dëgjonte shokët, këshillohej me ta për probleme të ndryshme dhe vepronte sipas vendimeve që merreshin kolegjialisht”. E. Hoxha, në veprimtarinë e tij me njerëzit dhe me shokët, ishte i sjellshëm e korrekt.
Në përgjithësi, ai ishte i qetë, por në rastet kur ndokush nuk zbatonte mirë detyrat që i ishin ngarkuar, ose bënte ndonjë gabim serioz në punë, Enveri ishte i rreptë dhe kërkonte llogari deri në fund. Ndaj armiqve, ose edhe ndaj atyre që dyshoheshin si të tillë, ai ishte i papajtueshëm dhe i ashpër.
Thashë se Enveri këshillohej me shokët, por kuptohet që ai dëgjonte kryesisht ata shokë që vërtetë kishin mendime të vlefshme. Enveri këshillohej veçanërisht me M. Shehun dhe H. Kapon, por për probleme të veçanta, këshillohej edhe me shokë të tjerë, sipas sektorëve që drejtonin.
Deri në mesin e viteve ’70, pra para se të pësonte atakun e parë në zemër, ai gjente rastin dhe takonte njerëz të shquar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore e shoqërore. Shpesh thërriste në zyrën e tij ministra dhe specialistë, dëgjonte shkrimtarë e intelektualë të veçantë, kuadro të universitetit etj.
Në atë kohë, jo rrallë udhëtonte edhe nëpër krahina të ndryshme të vendit, njihej nga afër me gjendjen e punëve, takonte fshatarë e punëtorë, kuadro e intelektualë. Këto kontakte i shërbenin si burim informacioni, veç raporteve zyrtare partiake ose qeveritare, që merrte rregullisht.
është folur dhe flitet shpesh për “kult” të Enverit. Sipas mendimit tim, periudha kur “kulti i Enverit” mori përpjestime të mëdha, ka qenë ajo e viteve ’60-‘70. Në atë kohë, Shqipëria kishte kaluar me sukses bllokadën sovjetike dhe i kishte neutralizuar disa veprime të tyre për minimin e Republikës së Shqipërisë.
Në plan ndërkombëtar, Shqipëria po shihej më me simpati, sidomos për faktin se ajo ndiqte një politikë të pavarur, ose të paktën që nuk i nënshtrohej ndikimeve, as të Lindjes, as të Perëndimit. Ndërsa në aspektin ekonomik, pa dyshim, ishte periudha më e mirë. Kishte një zhvillim të shpejtë të industrisë, sidomos të energjetikes dhe të industrisë kimike.
Në këtë kohë përfundoi elektrifikimi i të gjithë vendit. Nga ana tjetër, bujqësia pati një zhvillim të suksesshëm. Shqipëria arriti të sigurojë në vend prodhimin e drithërave të bukës, ndërsa eksportonte përherë e më shumë prodhime bujqësore-blegtorale.
Sukseset krijuan, në përgjithësi, një atmosferë euforie. Ato i atribuoheshin vijës së Partisë, qëndrimit të saj politik, që çonte përpara ndërtimin socialist, duke sfiduar si imperializmin, ashtu edhe revizionizmin.
Në atë kohë, Shqipëria tërhoqi edhe vëmendjen e vendeve perëndimore, pa folur për lëvizjen marksiste - leniniste dhe të gjithë atyre që nuk u pajtuan me pikëpamjet e Hrushovit.
Kjo situatë ka ndikuar për krijimin e një klime euforike dhe të vetëkënaqësisë tek e gjithë udhëheqja e partisë, duke përfshirë edhe Enverin. Natyrisht edhe për krijimin e kultit të Enver Hoxhës.
Lidhur me “kultin”, mund të them se Enveri, personalisht, nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Por ishim ne, bashkëpunëtorët e tij, ishte e gjithë propaganda e partisë, që ka luajtur rol për krijimin e kultit. Mund të thotë ndokush: - Po Enveri, përse e lejonte një gjë të tillë? E vërteta është se ai, në disa raste, ka porositur që të ndalen teprimet ndaj figurës së tij. Por më pas, duket se edhe ai u ambientua me një situatë të tillë.
Pasojat e kësaj vetëkënaqësie nuk mund të mos jenë pasqyruar në ngjarjet që kanë karakterizuar, sidomos vitet ’70, si në përjashtimin e disa kuadrove në udhëheqje të partisë, ashtu edhe në prishjen e marrëdhënieve me Kinën.
Për këto do të ndalem sipas radhës, por është e qartë se euforia dhe vetëbesimi që rrëmbeu të gjithë udhëheqjen e partisë, penguan që të arrihet në konkluzionin se rruga e autarkisë dhe e kufizimit të lidhjeve ekonomike me botën e jashtme, qoftë edhe me atë “kapitaliste e revizioniste”, do të sillte pasoja negative në zhvillimin e vendit.
Duke vënë në dukje sa më sipër, dëshiroj të nënvizoj se unë kam qenë dhe jam i mendimit që, si për sukseset, ashtu dhe për gabimet, përgjegjësi ka jo vetëm E. Hoxha, por e gjithë udhëheqja e partisë.
Kjo për arsye se, përgjithësisht, siç e kam thënë disa herë, vendimet parimore dhe kryesore janë marrë në mënyrë kolegjiale, ose sidoqoftë, për ato kanë qenë në dijeni të gjithë anëtarët e udhëheqjes. Asnjëri prej tyre, në asnjë rast, nuk ka ngritur zërin dhe nuk ka kundërshtuar.
Pavarësisht nga sa është shkruar e thënë për E. Hoxhën, duhet theksuar se E. Hoxha ka qenë udhëheqësi më i shquar i popullit shqiptar gjatë gjysmës së fundit të shekullit XX. Nën drejtimin e tij, populli shqiptar u bashkua gjatë Luftës dhe arriti të fitojë lirinë dhe pavarësinë e humbur.
Nën udhëheqjen e E. Hoxhës, Shqipëria e lirë dhe e pavarur, me punë dhe përpjekje kolosale, kapërceu prapambetjen shekullore dhe hyri në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit në të gjitha drejtimet, ekonomike e kulturore.
Nën udhëheqjen e E. Hoxhës, Shqipëria fitoi në sytë e botës nderin dhe krenarinë që i takonte, duke respektuar miqësinë për të tjerët dhe duke ruajtur me vendosmëri, të paprekur, lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
Enver Hoxha është vazhdues i denjë i Rilindësve të Kombit shqiptar. Ai ka luftuar dhe punuar për Shqipërinë e për viset shqiptare, sidomos për Kosovën, me të njëjtin pasion e vendosmëri siç luftuan në kohën e tyre Rilindësit.
“Vdekja e Hysni Kapos në Paris dhe fjalët për helmimin”
Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i tij “Jeta ime”, Ramiz Alia përshkruan se si ka njohur Hysni Kapon dhe njëkohësisht sqaron të vërtetën për vdekjen e tij në Paris, ku Alia ka asistuar. Sipas Alisë, mjekët francezë u treguan krejt transparentë me kolegët e tyre shqiptarë, duke u treguar të vërtetën e vdekjes së pacientit VIP të ardhur nga Shqipëria.
Ramiz Alia
Në vitin 1979, Partia pësoi një humbje të madhe: vdiq Hysni Kapua pas një sëmundjeje të pashërueshme. H. Kapo ishte njëri nga kuadrot e njohura të Partisë gjatë Luftës NCL. Ai ka drejtuar organizatën e Partisë në qarkun e Vlorës dhe, në të njëjtën kohë, ka qenë organizator dhe udhëheqës i çetave të para në Vlorë e rreth saj. Më pas si luftëtar, Hysniu ka qenë komisar politik i Korparmatës së Parë, ku bënin pjesë edhe forcat që nën udhëheqjen e M. Shehut morën pjesë në çlirimin e Tiranës. Anëtar i KQ të Partisë që gjatë Luftës, pas çlirimit ai ishte vazhdimisht anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH dhe që nga viti 1956 Sekretar i KQ, H. Kapo i ka shërbyer vendit në fusha të ndryshme të veprimtarisë, si në bujqësi, ku për një periudhë ka punuar si ministër në këtë sektor, por edhe në politikën e jashtme, si ambasador dhe zv/ministër, kur këtë dikaster e drejtonte vetë E. Hoxha.
Personalisht kam qenë shumë i lidhur me Hysniun. Kemi punuar së bashku gati 22 vjet në aparatin e KQ të Partisë. Bashkë kemi marrë pjesë në mbledhje të ndryshme në Moskë, kur partia jonë filloi luftën kundër revizionizmit rus, bashkë kemi qenë në Kinë, kur kemi konstatuar të çarat e para në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Hysniu ishte shumë punëtor dhe i palodhur. Ai mbronte politikën e partisë me vendosmëri, ndërsa ndaj E. Hoxhës ishte krejtësisht i devotshëm.
Midis Hysniut dhe meje ekzistonte një shoqëri e ngushtë. Hysniu ishte shumë i sjellshëm dhe i dashur me njerëzit. Unë e kujtoj Hysniun me shumë dashuri e dhimbje. Kur ai u sëmur dhe nga Parisi mësuam për sëmundjen e tij të pashërueshme, si dhe njoftimin se jeta e tij ishte nga fundi, E. Hoxha më porositi të shkoj në Paris për t’iu gjendur pranë edhe në çastet e fundit këtij shoku të nderuar dhe shumë të dashur për të gjithë.
Me vdekjen e Hysniut, Partia humbi një nga njerëzit më të vendosur e më të shquar. Si për shumë çështje të tjera, tani, pas ndryshimit të sistemit, ka njerëz që duke folur për vdekjen e Hysniut, hedhin dyshime të paqena, sikur atë dikush e paska helmuar, ose vrarë, e përralla të tilla. është vërtet e turpshme! Hysni Kapo ishte me kancer, metastazat e të cilit kishin përfshirë të gjitha organet e brendshme, aq saqë mjekët në Francë, në prezencë të mjekëve shqiptarë, pasi e hapën dhe konstatuan këtë gjendje, nuk bënë asnjë veprim, veçse e mbyllën, pa pasur asnjë mundësi tjetër shpëtimi. Për këtë, një dëshmitar i besuar është edhe Sali Berisha të cilin për herë të parë e kam takuar pikërisht në grupin e mjekëve që kujdeseshin për Hysniun në spitalin e Parisit.
Pas vdekjes së Hysniut, i cili në Sekretariatin e KQ drejtonte sektorët e ushtrisë, të Ministrisë së Brendshme, të Sigurimit të Shtetit dhe të organeve të drejtësisë, drejtimi i këtyre sektorëve i’u ngarkua M. Shehut. Kështu ky, praktikisht, grumbulloi në duart e tij të gjitha pushtetet: edhe qeverinë, pra organet ekzekutive, edhe ushtrinë, qoftë si Kryeministër, nga varet ministria e Mbrojtjes, qoftë si sekretar i KQ, nga vareshin organizatat e Partisë në ushtri, edhe Policinë e Sigurimin e Shtetit, edhe organet e Drejtësisë. Praktikisht, ai tashmë ishte pasues i Enver Hoxhës dhe kishte në dorë të gjitha pushtetet. E theksoi këtë për arsye se kjo tregon që E. Hoxha, në atë kohë, pra në fund të vitit 1979, nuk kishte asnjë dyshim për ndonjë veprimtari armiqësore të M. Shehut, përkundrazi i besonte atij plotësisht.