Berisha në Kroaci për BERZH
Kryeministri Sali Berisha udhëtoi dje për në Kroaci, ku do të marrë pjesë në takimin e 19-të vjetor të BERZH (Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe në Forumin e Biznesit që do të zhvillohet atje, pjesë e këtij evenimenti. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, "në këtë takim të rëndësishëm pritet të marrin pjesë mbi 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët do të marrin pjesë në diskutimet mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse". Gjatë këtij takimi do të merren dhe vendime të rëndësishme mbi strategjitë e viteve në vijim të BERZH-it. Kreu i Qeverisë shqiptare pritet të ketë takimeve me bilateral, si dhe do të marrë pjesë në takimin informal, pjesë e aktivitetit ku janë të pranishëm dhe përfaqësuesit e 19 vendeve të tjera.