E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Kosova po ecën në rrugën drejt BE-së

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO) dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë (EUSR), Pieter Feith, ka deklaruar se Kosova po ecën më rrugën drejt Bashkimit Europian.
 

Në një intervistë dhënë SETimes, Feith duke komentuar gjendjen e tanishme në Kosovë, për të cilën analistët thonë se vendi po izolohet nga BE, pa liberalizimin e vizave, pa Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe tani me pengesa tregtare me BE, Feith ka thënë se e gjithë BE-ja është e përkushtuar fuqishëm që Kosova ta ketë shansin e vetë evropian.
 

“Kosova po bën përparim në procesin e integrimit të saj në BE, për të mbushur kriteret e liberalizimit të vizave, rregullimit të marrëveshjeve tregtare dhe pjesëmarrjes në Dialogun e Stabilizim-Asociimi dhe ky është ndonjëherë një proces i dhimbshëm reformash dhe ndryshimi, por me përfitime në afatin e gjatë. Mendoj se ky është një angazhim shumë aktiv dhe jo izolim”, ka thënë Feith për SETimes.


Feith gjithashtu ka theksuar se miratimi i buxhetit, procesi i decentralizimit, dialogu me Beogradin dhe zhvillimi ekonomik janë sfida për qeverinë e re.

“Kosova ka nevojë për udhëheqje të përkushtuar që të kryesojë sipas shembullit”, ka thënë ai.

Lidhur me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe pritjeve nga ky dialog, Feith ka thënë se kjo është një mundësi e mirë për të dyja palët për zgjidhjen e çështjeve praktike me interes të ndërsjellë.

“Dialogu është një mundësi si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin që të zgjidhin disa çështje praktike me interes të ndërsjellë. Të dy do të përfitojnë nga një dialog i dobishëm përsa i takon shansit evropian”, ka thënë Feith në këtë intervistë.

Ndryshe nga kolegët e tij evropianë, të cilët ditë më parë u shprehën të zhgënjyer me dështimin e ofrimit të provave nga Dick Marty rreth raportit të tij për Kosovën, Feith ka thënë se ky raport duhet të merret seriozisht në mënyrë që të kuptohet se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›