Feith: Krijimi i besimit mes komuniteteve është prioritet
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, njëherësh Përfaqësuesi Special i BE-së, Piter Feith, ka dënuar sulmin ndaj një personi të kthyer në fshatin Oprashk, pranë Osojanit.
“Unë e dënoj këtë akt të dhunshëm, i cili është incidenti i tretë në këtë zonë gjatë javëve të fundit. Hetimi nga Policia e Kosovës ka filluar. Ai duhet të çohet deri në fund dhe ndjekja e nevojshme penale të kryhet si rezultat i këtij hetimi”, ka thënë Feith.
Ai iu ka bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante që ta përkrahin këtë hetim dhe të bashkëpunojnë plotësisht me Policinë e Kosovës, në mënyrë që autorët e dhunës të vihen përpara drejtësisë.
“Unë i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Istogut që të ndërmarrin masa pro-aktive për të luftuar krimin dhe për të krijuar besimin brenda dhe mes komuniteteve”, ka thënë Feith.