E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolucioni i heshtur i vendorëve

Ylli Asllani* 

Atë ditë pushimi dhelpra  u kujtua të shtjellonte në shesh të hapur temën aq të dashur për të “Decentralizimi në pulari”. Ajo tashmë është e bindur se egoizmi i saj për të pasur sa më shumë ushqim do të kthehet padyshim, në një avantazh dhe për vetë pulat që e dëgjojnë. E hipur në një poltron ajo u shpjegoi atyre sa e domosdoshme është që të kërkojnë të gjithë bashkë më shumë ‘demokraci’ dhe ‘të drejta’ për vete dhe madje ato të vendosin vetë radhën se kur ajo, pra dhelpra,  do t’i hajë një nga një sikurse ka bërë deri tani me pulat që kanë pasur fatin të kryesohen prej saj. (Thonë së bashkë me pulat, dhelpra ka ngrënë disa peticione kundër saj, si edhe të gjithë ata që sollën të uritur në gjirin e tyre)
Kjo fabul dhe protesta e disa vendorëve e shoqëruar me ultimatumin bojkotues të tyre në bulevardin e qytetit më risjell në vëmendje imazhin tragjikomik të regjimit totalitar, në të cilin politikanët e kohës alternoheshin shpesh në rolin e dhelprës përballë një publiku që duartrokiste nga halli.
Shqipëria për fat të mirë ka realizuar njëherë e përgjithmonë përmbysjen e këtyre skenave të turpshme nëpërmjet revolucionit të saj demokratik.
Pjesë e këtij transformimi ka qenë dhe pushteti vendor, i cili trajektoren e aksionit të vet e ka mbështetur në një model që shkon paralelisht me demokratizimin e jetës së vendit. Me kontributin e vendorëve, Demokracia mori vlerën dhe dimensionin e vet të vërtetë, pasi u bë pronë e çdo individi e kolektivi në çdo pjesë të territorit të vendit.
Këtë akt ata e kryen pa kërkuar lavdi por si pjesë e ndërgjegjshme e aktivitetit dhe formimit të tyre në shërbim të qytetarit. Është kjo arsyeja që decentralizimi gradual i pushtetit njihet në terminologjinë e kohës si Revolucioni Demokratik i Heshtur.
Decentralizimi, kjo reformë në qeverisjen vendore është një eksperiencë e njohur në të gjitha vendet që ecin drejt demokracisë. Ai edhe pse etiketohet i heshtur ka rezultuar efikas, i fuqishëm, i thellë dhe i gjithanshëm. Në tentativën e sinqertë për demokraci, ai është i pakthyeshëm dhe nuk ndalet para asnjë presioni, sofizmi apo manipulimi, qoftë dhe i qepur mirë artistikisht.
Perfeksionimi qeverisjes vendore nuk ka qenë i lehtë dhe as një akt i veçuar. Politikanët e rinj ishin të ndërgjegjshëm se ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, por i domosdoshëm. Për këtë arsye ata e përkrahën idenë e revolucionit të heshtur, duke besuar te bashkëpunimi dhe partneriteti si një përsosje të vazhdueshme të vetëqeverisjes.
Ky bashkëpunim u realizua duke u çliruar nga prioritet partiake dhe duke i mëshuar më tepër prioriteteve të komunitetit, që është realizimi i shërbimit sa të mirë për qytetarët.
Ata krijuan shoqatat e tyre kombëtare, partnerë të qeverisë, të cilat i anëtarësuan në forumet më të larta të Këshillit të Evropës për të qenë kështu një zë specifik në përpjekjet e vendit për forcimin e demokracisë dhe për të garantuar evropianizimin e aksionit të tyre në dimensionin lokal.
Padyshim ata duhet të ndihen krenar kur në prag të involvimit të Shqipërisë në strukturat evropiane, Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës z. Jan Micallef gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë konstatoi:
“Shqipëria është një vend shembull, ku qeveria ka bërë përpjekje dhe ka arritur rezultate, për sa i përket forcimit të decentralizimit....”.
Natyrisht ky njoftim, pavarësisht se i referohet qeverisë, është një vlerësim i gëzueshëm për të gjithë të zgjedhurit lokalë si dhe faktorët e spektrit politik e shoqëror, të cilët së bashku kanë meritën e përsosjes së qeverisjes vendore në Shqipëri.
Të gjitha sa më lart mu kujtuan, kur papritur dëgjova se disa nga partnerët tanë lokalë kanë firmosur një peticion ultimativ për të rifilluar pikërisht aty ku e la kryetari i tyre i brengosur.
Fillimisht për hir të një realiteti kokëfortë gjykova se frazat e para të kësaj kërkese do të fillonin duke iu drejtuar Kryeministrit si deri më tash me fjalët: “Duke ju falënderuar për kontributin Tuaj në forcimin, progresin dhe nxitjen e projekteve zhvilluese të njësive tona vendore, ne kërkojmë të çojmë së bashku më tej reformat në favor të pushtetit vendor…”
Kjo u mor vesh që nuk ndodhi, por për çudi partnerët tanë të majtë, duke braktisur dialogun i rikthehen alternatives së bojkotit, duke harruar interesat e qytetarëve dhe duke u venë në shërbim të interesit të Kryetarit.
Me kërkesat ultimative ata kërkojnë: “Anulimin e amendamentit për taksat vendore, anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla, si të mëdha, kompensimin e të ardhurave nga përgjysmimi arbitrar i taksave të biznesit, dhënia fund e praktikës së granteve për nevojat e funksioneve vendore dhe aplikimi i taksave të ndara”.
Ndërkohë duke dalë nga realiteti dhe roli i tyre ata po mohojnë rezultatet konkrete të politikes së mirë të decentralizimit nëpërmjet të cilave kanë shumëfishuar financat e njësive të tyre vendore, kanë përfituar të gjithë pronat e mohuara nga partia e tyre dhe kanë tashmë në kompetencë të gjitha shërbimet publike. Sjellja e tyre, na la me gojë hapur kur i pamë të pozonin përpara kamerave si shtresa vulnerabël.
Megjithatë unë nuk besoj në përsosmërinë e askujt. Kështu pas këtij gjesti mendoj së është rasti më i mirë që partnerët lokalë të rikthen në tryezën e dialogut, për të verifikuar të vërtetat, për të kryer bilancin e deritanishëm dhe për të gjetur zgjidhjet që i shërbejnë më mirë qytetarëve. Për të arritur ketë, duhet t’i kthejnë sytë nga vetja, për të dhënë llogari përpara zgjedhësve se si i kanë plotësuar kërkesat e qytetarëve dhe a i kanë ofruar shërbimet më të mira dhe jo për t’i shpërndarë atyre trakte.
Decentralizimi fiskal është një paketë e plotë e masave që qeveria ka ndërmarrë në favor të qeverisjes vendore, e cila përmbledh kontributin disavjeçar të specialistëve dhe të zgjedhurve vendorë. Si i tillë ai nuk mund të rroket e të komentohet në distancë, aq më pak në bulevardet e qytetit duke anashkaluar tribunat e demokracisë.
Paketa e decentralizimit është mjaft e gjerë dhe e larmishme, por një gjë duhet theksuar, se shkalla e interesave dhe niveli botëformues i qytetarëve shqiptarë lidhur me cilësinë e jetesës kërkon gjetje dhe koncepte të reja, bashkëkohore, të studiuara, serioze dhe afatgjata nga qeveria, por edhe nga të zgjedhurit e tyre vendorë.
Për këtë arsye qeveria po e paraqet problematiken e komuniteteve vendore si një paketë të plotë të prioriteteve lokale e rajonale e instaluar kjo në funksion të politikës buxhetore decentralizuese. Kjo paketë përmblidhet në zërin e buxhetit si Fondi Rajonal i Zhvillimit, aplikimi i të cilit shmang në maksimum fragmentimin e buxhetit, rrit shkallën e bashkëpunimit të Pushtetit Qendror me Njësitë e Qeverisë Vendore si dhe nxit e mbështet gjithë faktorët e brendshëm e të huaj që synojnë zhvillimin lokal. Si dhe rigjeneron burimet e njësive vendore drejt një kompeticioni të vërtetë duke i afruar ato më shumë me standardet evropiane.
Por le të kthehemi sërish tek Revolucioni i Heshtur ose Decentralizimi.
Pra, sikundër shihet ky term nuk është gjë tjetër veçse një evolucion dinamik i shoqërisë dhe politikës drejt zhvillimit të vendit dhe përsosjes së administrimit publik, ku të zgjedhurit vendorë kanë qenë njëkohësisht faktor, partnerë, përçues dhe përfitues të tij.
Çdo ftesë tjetër drejtuar të zgjedhurve vendor për t’i orientuar ata drejt bojkoteve dhe ultimatumeve në kundërshtim me praktikat demokratike, nuk është gjë tjetër veç së një kreditim politik i rëndomtë, që nuk i shkon staturës së një të zgjedhuri dhe nuk është mënyra më e mirë për t’i shërbyer qytetarëve të tyre.
Shqipëria e lodhur dhe e stërmunduar nga përplasjet e panevojshme disa herë tragjike e ka sot më shumë se kurrë të domosdoshme të orientohet me dinjitet në linjën demokratike të evolucionit dinamik, të cilin preferoj edhe unë ta quaj Revolucion Demokratik të Heshtur.
Ditët e fundit kronikat e medias vendase dhe ndërkombëtare duke reflektuar rezultatet e kësaj politike, njoftuan se: “Më 16 nëntor 2009 Shqipëria u pranua kandidate për në Bashkimin Evropian”.
Ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe duhet përjetuar si i tillë, sepse përndryshe vendoret bojkotues nuk do t’i ndihmojë as shprehja e vjetër “Po qajnë nga gëzimi.”

*Këshilltar i Kryeministrit për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›