E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon ankthi i pasagjerëve të marrë peng

Pas 15 orësh të kaluara në aeroportin e Bratislavës, 110 pasagjerët shqiptarë kanë mbërritur dje pasdite në Bolonjë

Përfundon pas 15 orësh ankthi e frike "Odiseja" e 110 pasagjerëve shqiptarë që janë nisur nga Tirana për në Bolonja por janë "marrë peng" dhe janë dërguar në Sllovaki.

Pasagjerët shqiptarë kanë mbërritur në destinacion rreth orës 17.00 të ditës së djeshme. Ka qenë një avion i tipit "Airbus 320" me numër fluturimi LV 116 i cili ka marrë gjithë pasagjerët shqiptarë nga Bratislava.

Avioni është nisur nga Amsterdami vetëm për të marrë pasagjerët shqiptarë pasi kompania sllovake ka refuzuar të vërë në dispozicion një nga avionët e saj.

Por sërish çështja ka mbetur e mbuluar nga misteri.
Kreu i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, e ka cilësuar ngjarjen si një incident që ka ndodhur në territorin e shtetit sllovak dhe avioni figuron në Regjistrin Kombëtar të Aviacionit Civil Sllovak.

Në këtë mënyrë autoritetet përkatëse të aviacionit të këtij vendi janë përgjegjëse për incidentin e ndodhur dhe të shkaktuar nga pilotët e avionit, destinacioni i të cilit u ndryshua nga Bolonja në Bratislavë të Sllovakisë.

Mazniku pohoi për "Shekullin", se incidenti i ndodhur është i paprecedent në historinë e Aviacionit Civil Shqiptar, duke e cilësuar rastin si tepër të rëndë. "Më duhet të sqaroj se, ajo që ka ndodhur mbrëmë me avionin dhe ekuipazhin e kompanisë Air Slovakia, të kontraktuar nga ana e kompanisë Albanian Airlines është një rast mjaft i rëndë në historinë e aviacionit civil shqiptar dhe atë ndërkombëtar",- tha ai.
Sipas Maznikut, janë vendosur kontakte gjatë natës të së dielës me Drejtorinë e Aviacionit Civil Sllovak.

"Në bazë të procedurës standarde të aviacionit civil ndërkombëtar, Bordi Sllovak i Mbikëqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e të cilit bie incidenti, po verifikon rrethanat e incidentit si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga Air Slovakia.

Sipas kontakteve që kemi bërë me ta ky raport pritet të vijë së shpejti",- pohoi Mazniku. Sipas tij në bazë të Konventës ndërkombëtare të Tokios, për Aviacionin Civil, përgjegjësia për çdo gjë që ndodh në avion i takon pilotit të drejtimit, i cili quhet ndryshe edhe kapiteni i tij.

"Dua t'ju siguroj se Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar do t'i shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë dhe do të përdorë fuqinë qe i jep ligji per garantimin e te drejtave te pasagjerëve edhe në të ardhmen. DPAC do të njoftojë për këtë incident, organet kompetente te Komunitetit Europian përgjegjëse për Sigurinë në fluturim", përfundoi kreu i DPAC-së.

Por pala sllovake ka pohuar se avioni është devijuar nga pilotët për shkak të problemeve teknike në motor dhe se pika e shërbimit të këtij avioni ndodhej në Bratislavë. Në lidhje me këtë Mazniku tha se fluturimi kishte si aeroport alternativ Venecian, ndërsa distanca deri në Bratislavë ishte sa dyfishi i asaj që kërkohej.

Albanian Airlines fajëson partnerët sllovakë, të cilët kanë "marrë peng" avionin me 110 pasagjerë në bord

Kusgjini: Faji është i kompanisë sllovake

Drejtor i marketingut i Albanian Airlines, Ilir Kusgjini, ka komentuar dje situatën duke pohuar se i gjithë faji është i kompanisë sllovake. Sipas tij, kjo kompani do të hidhet në gjyq dhe do të kërkohet dëmshpërblim monetar.

z. Kusgjini pas dërgimit të udhëtarëve në destinacion, situata mund të quhet e zgjidhur tashmë?

Po për sa i përket pasagjerëve situata është zgjidhur. Siç jemi shprehur edhe mbrëmë në media, pasagjeret u akomoduan në hotel pranë aeroportit të Bratislavës më shpenzimet e kompanisë. Ata kaluan një natë të vështirë deri nga ora 23.00 por më vonë çdo gjë u qetësua pas akomodimit të tyre.

Cili është shkaku që pilotët vepruan në këtë mënyrë duke mos i dërguar udhëtarët në Bolonja por në Bratislavë?

Është një problem teknik midis kompanisë sllovake dhe punonjësve të saj, d.m.th stafit të avionit përfshirë edhe pilotët.

Ka të bëjë kjo me vonesat në pagesat e ekuipazhit?

Po

Si procedohet zakonisht në rastet kur një avion merret me qira?

Ka dy forma qiramarrjeje, "Drive Leasing" dhe "Ëet Leasing". Kjo e dyta quhet forma kur paguan vetëm për shërbimin, ndërsa të gjitha shpenzimet e tjera, përfshirë pagesat dhe akomodimin e ekuipazhit, mirëmbajtjes së avionit, etj, shlyhen nga kompania që ka në pronësi avionin.

Ndërsa nëse avioni merret me qira në formën Drive Leasing, të gjitha pagesat bëhen nga kompania qiramarrëse. Në rastin konkret ne e kishim marrë në formën Wet Leasing ku çdo shpenzim për personelin duhet të mbulohej nga kompania sllovake.

Pas dërgimit të pasagjerëve në destinacion, cili do të jetë hapi juaj i mëtejshëm, do të kërkoni dëmshpërblim nga kompania sllovake?

Kemi filluar procedurat me studion tonë të avokatisë dhe konform normave të aviacionit civil ndërkombëtar do të hedhim në gjyq kompaninë duke kërkuar dëmshpërblim për këtë që ndodhi.

Është hera e parë që në historinë e aviacionit ndërkombëtar ndodh një gjë e tillë kur një pilot në vend që të kujdeset për pasagjerët u shkakton atyre ankth dhe pasiguri.

*******************************

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme: Dy tre pasagjerë patën një incident me policinë por gjithçka u zgjidh

Gjoni: Fajtorët të përballen me drejtësinë

Z. Gjoni, si është situata e 11 pasagjerëve të "Albania Airlines", a mund të themi se ka përfunduar "Odiseja" e tyre?

Unë do të thosha që mund ta quajmë pothuajse të përfunduar. Sipas informacionit të fundit që na ka ardhur nga Bratislava, udhëtarët janë futur në avionin e posaçëm i cili është nisur tashmë nga Bratislava, pas pastrimit të pistës nga dëbora.

Jemi të lehtësuar dhe të lumtur që u arrit një zgjidhje për pasagjerët, pas një odiseje të lodhshme e të tejzgjatur, si për pasagjerët, ashtu edhe për ekipin tonë të Ministrisë së Jashtme në terren, që u është gjendur pranë pasagjerëve në çdo moment gjatë orëve të natës.

Kush i mban përgjegjësitë për këtë incident, ekuipazhi apo kompania e fluturimit?

Unë mund të flas vetëm për përgjegjësitë e MPJ, që gjatë këtyre momenteve kishte të bënte me sigurinë e qytetarëve shqiptarë në Bratislavë. Por personalisht mendoj se është ende herët për të ditur arsyen e qartë. Patjetër, që autoritetet kompetente duhet të merren me hetimin e kësaj ngjarjeje dhe të gjejnë shkaktarët e saj.

Por duke pasur parasysh stresin, lodhjen dhe nevojën e pasagjerëve gjatë natës, për ne prioriteti ishte siguria dhe kujdesi për ta. Z. Ceka ka kaluar gjithë natën pranë pasagjerëve, duke i informuar ata për sigurimin e një hoteli nga kompania Albanian Airlines për akomodimin e tyre dhe duke ofruar kujdesin e nevojshëm për ta.

Pra detyra jonë ishte të përgjigjeshim me efikasitet dhe sa më shpejt pranë qytetarëve shqiptarë, gjë që besoj fort se Ministria e Punëve të Jashtme e ka bërë në mënyrë të shkëlqyer, falë gjithashtu edhe një bashkëpunimi shumë të mirë me autoritetet sllovake të cilat iu përgjigjën kërkesës sonë. Përfitoj nga rasti t'i falënderoj për këtë bashkëpunim.

Pati njoftime në media se kishte pasur ndërhyrje nga policia sllovake për t'i nxjerrë jashtë aeroportit pasagjerët. Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Pati, do të thosha, disa keqkuptime mes dy tre pasagjerëve dhe autoriteteve të aeroportit për sa i përket gjuhës së komunikimit mes dy palëve. Më duhet të saktësoj që në një zonë të transitit ndërkombëtar, nuk ekziston mundësia e nxjerrjes jashtë të pasagjerëve.

Përkundrazi, pati sugjerime nga autoritetet që ata pasagjerë të cilët ishin të pajisur me viza shengen, e kishin mundësinë e daljes jashtë aeroportit, sipas dëshirës dhe zgjedhjes së tyre personale. Mendoj se këtu ka ndodhur keqkuptimi, dhe se predispozita nga ana e autoriteteve ishte dashamirëse

A duhet të ketë penalitete për fajtorët?

Patjetër që nëse ka pasur shkelje të procedurave, autoritetet përkatëse në të dy vendet, duhet të hetojnë incidentin, të gjejnë shkaqet dhe shkaktarët, dhe këta të fundit të përballen me drejtësinë e kujtdo vendi që ka përgjegjësinë konkrete. Kjo është normale për çdo vend të botës në çdo situatë ku ka shkelje.

Por kjo është jashtë kompetencave të Ministrisë së Jashtme. Për ne, prioriteti kryesor ishte siguria dhe menaxhimi i udhëtarëve gjatë kohës së bllokimit në Bratislavë, gjë që besoj se e kemi bërë me gatishmëri të plotë, përgjegjësi maksimale dhe efikasitet optimal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›