E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith i shqetësuar për emërimet në ndërmarrjet publike

Prishtinë-Zyra Ndërkombëtare Civile, ka shprehur shqetësimin e saj për emërimet në ndërmarrjet publike, ku është theksuar veçanërisht Korporata Energjetike e Kosovës si dhe në Postën dhe Telekomin e Kosovës. Megjithëse anëtarët e bordit drejtuar të këtyre institucioneve janë emëruar në dhjetor të vitit të shkuar, qeveria e Kosovës nuk e ka lajmëruar ende zyrën e ICO-s, për bagazhin e duhur profesional të këtyre individëve. Pieter Feith që gjatë kësaj jave i ka kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi më shumë informacione për anëtarët e bordeve, ka thënë drejtori i komunikimeve në ICO, Andy McGuffie, në një intervistë për Kohavisionin.

“Qeveria ka thënë se do të na japin informacionet sa më shpejt që të munden. E di që përfaqësuesi civil ndërkombëtar e ka ngritur këtë çështje me kryeministrin përmes kontakteve normale gjatë kësaj jave. Kështu që kemi besim se Qeveria do të na japë këto informacione”, ka deklaruar McGuffie.

Sipas tij, bordet do të rishikohen nga Zyra Ndërkombëtare Civile dhe më pas të dhënat do t’i dërgohen edhe Grupit Ndërkombëtar Drejtues, të cilit Feith i jep llogari.

“PTK-ja dhe KEK-u zyrtarisht i kanë caktuar bordet dhe Qeveria ka bërë emërimin për këto borde. ICO-ja i ka disa shqetësime për këto emërime. Ne kemi kërkuar më shumë informacione për emërimet. Qeveria është pajtuar se do të na japë ato informacione. Ne duhet t’i shikojmë ato në mënyrë ICO-ja t’i dorëzojë ato të dhëna tek Grupi Ndërkombëtar Drejtues dhe për të siguruar që parimet e qeverisjes së mirë janë zbatuar. Kjo nënkupton që njerëzit me kualifikim të duhur të vendosen në këto borde”, tha ai .

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka premtuar se gjatë kësaj jave Zyra e Feithit do t’i ketë të gjitha informatat për anëtarët e bordeve e ndërmarrjeve publike. Opozita dhe shoqëria civile vazhdimisht kanë kritikuar ekzekutivin për anëtarët e bordeve të këtyre ndërmarrjeve, duke thënë se aty janë vendosur njerëz të partive politike pa kualifikime të duhura profesionale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›