E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova do të aplikojë për në EUROPOL dhe INTERPOL

Prishtinë-Kosova së shpejti pritet të aplikojë për të qenë pjesë në organizatat, si ajo evropiane EUROPOL dhe ajo ndërkombëtare Interpol. Megjithatë, njohja nga vetëm 56 shtete, e vështirëson jo pak këtë anëtarësim. “Besoj se brenda këtyre dy muajve ne do përgatitemi, se kërkesa duhet të shkojë në emër të qeverisë për të aplikuar dhe duhet t’i plotësojmë disa procedura për aplikim. Besoj se në fund të prillit do të aplikojmë”-tha , zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili për radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, i vetmi mekanizëm që mund të bashkëpunojë me Interpolin, aktualisht është UNMIK-u. Për këtë edhe ka krijuar një Zyrë Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit, e cila do ndihmojë bashkëpunimin e Kosovës me ato shtete apo organizata, që ende nuk e njohin Kosovën shtet.

“Nuk mund të japë detaje shumë për veprimet e kësaj zyre, po për shembull, ne mund të merremi me Interpolin, meqë UNMIK-u është i vetmi organizëm që mund të bashkëpunojë aktualisht me këtë organizatë”,-tha ndërkaq, zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie. Europol, apo Zyra e Policisë Evropiane, është bërë plotësisht funksionale në vitin 1999. Ndërkaq, Interpol, apo Organizata Ndërkombëtare e Policisë, më 1923.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›