Feith, kundër mbajtjes së zgjedhjeve nga Serbia në veri
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith ka deklaruar në një intervistë, se zyra e BE-së e hapur në veri të Mitrovicës forcon strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës. Ai po ashtu ka bërë të ditur se, zgjedhjet e organizuara nga Serbia në këtë pjesë të Kosovës nuk do të njihen. I pyetur nëse hapja e Zyrës së BE-së në veri, është pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës, Feith ka thënë se ajo plotëson atë, respektivisht “është plotësuese”. “Ne kemi iniciuar ide të ngjashme me qeverinë dhe është e qartë se ekziston një komponent, për të cilin qeveria është veçanërisht e interesuar dhe ai është decentralizimi dhe dëshira e qeverisë për të krijuar lidhje administrative me komunat dhe në radhë të parë të shikohet mundësia për krijimin e komunës së re në Mitrovicën e veriut dhe për mbajtjen e zgjedhjeve, siç kemi bërë edhe në komunat me shumicë serbe në pjesën jugore”, ka thënë Feith. Sipas tij, këto përpjekje e plotësojnë njëra tjetrën dhe ajo, që, siç u shpreh ai “në fund të fundit na bashkon të gjithë neve, është interesimi për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët në veri, që të punojmë me ta dhe të përmirësojmë kushtet e tyre jetësore”.
Ndërkaq, lidhur me paralajmërimet e Beogradit për të organizuar zgjedhjet në veri të Mitrovicës, Feith ka thënë se ai, si përfaqësues civil ndërkombëtar (ICR), nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura nga Serbia, dhe ka shtuar: “si ICR po e përsëris, ne do të fokusohemi në zgjedhjet, që do të mbahen nën autoritetin e autoriteteve të Prishtinës”.
1 Prill 2010