E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Thaçi reformon kabinetin me 7 ministra të rinj



Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka konfirmuar ditën e djeshme emrat e ministrave të rinj në Qeverinë e Kosovës. Ministrat e rinj janë: Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike, Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Europiane, Bajram Rexhepi ministër i Punëve të Brendshme, Blerand Stavileci ministër i Bujqësisë, Bujar Bukoshi ministër i Shëndetësisë, Haki Demolli ministër i Drejtësisë dhe Lutfi Haziri ministër i Kulturës. Sipas këtij vendimi, nga Qeveria largohen ministrat e deritashëm: Arsim Bajrami, Idriz Vehapi, Zenun Pajaziti, Alush Gashi, Nekibe Kelmendi dhe Valton Beqiri. Kryeministri Thaçi tha se mbledhja e parë e Qeverisë në përbërjen e re do të thirret të premten. Partneri i koalicionit qeverisës LDK në Kosovë, i është nënshtruar i pari ndryshimeve me ministra. Ministrat në largim Nekibe Kelmendi, Alush Gashi dhe Valton Beqiri janë zëvendësuar nga: Hakif Demolli, Bujar Bukoshi dhe Lutfi Haziri. Ndryshimet vijnë pas vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për largimin dhe zëvendësimin e tre ministrave të kësaj partie në Qeveri. Vendimi i Kryesisë së LDK-së është konfirmuar nga anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Sali Asllanaj, vendim i cili nuk është pritur mirë nga ministrat e larguar. Asllanaj tha se vendimi ka të bëjë me largimin e ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, dhe zëvendësimin e saj me Hakif Demollin; më pas, me largimin e ministrit të Shëndetësisë, Alush Gashi, dhe zëvendësimin e tij me Bujar Bukoshin, si dhe zëvendësimin e ministrit të Kulturës, Valton Beqiri, me Lutfi Hazirin. “Mendoj se ka nevojë për energji të reja dhe kështu ka vlerësuar unanimisht Kryesia e LDK-së. Është vlerësim i përgjithshëm që këta ministra të zëvendësohen me të tjerë, të cilët do të sillnin energji të re, natyrisht me një koncept të përgjithshëm, që elementet e përfolura shumë në mjetet e informimit, të luftohen. Dhe, vetëm si frymë e tillë, LDK-ja do të jetë e inkorporuar fuqishëm në koalicionin qeveritar”, tha Asllanaj. Tre ministrat e larguar, sipas burimeve nga LDK-ja, kanë refuzuar të japin dorëheqje. Andaj, Kryesia e LDK-së ka vendosur t’i ndërrojë ata duke shmangur termin shkarkim. Me arsyetimin se ka punë dhe angazhime të tjera, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, u largua nga mbledhja e Kryesisë së LDK-së, duke e përjashtuar mundësinë e ofrimit të dorëheqjes. Megjithatë, ajo tha se do ta respektojë çdo vendim të Kryesisë së partisë. “Si duhet ta pres, unë nuk kam lindur me karrige të ministrit. E kam fituar atë post me punë, me djersë, me mund, me pastërti, me kredibilitet, me viktima, me të gjitha... Dorëheqje nuk jap, por vendimin e Kryesisë e pranoj”, tha Kelmendi. Edhe pse e pakënaqur, Nekibe Kelmendi e përjashtoi mundësinë e largimit të saj nga LDK-ja. “Unë e kam themeluar këtë parti bashkë me presidentin Rugova dhe për mua do të ishte vetëvrasje politike nëse unë do të tërhiqem nga LDK-ja”, tha Kelmendi.
Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, vetëm e konfirmoi besimin e dhënë kryeministrit për ndryshime në Qeveri, por nuk foli për emra. Kryeministri Hashim Thaçi, këto dy ditët e fundit, ka falënderuar ministrat në largim për punën e tyre, duke shtuar se tashmë janë krijuar rrethana që kërkojnë energji dhe personalitete edhe më të besueshme, në shërbim të nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Maqedoni
Rrezik nga armët, mbi 120 mijë të tilla ilegale

Maqedonia rrezikohet nga numri i madh i armëve pa leje dhe për këtë arsye, ekspertët e sigurisë kanë kërkuar organizimin e një aksioni vullnetar për dorëzimin dhe legalizimin e armëve ilegale.
Sipas burimeve të policisë vlerësohet se në Maqedoni në mënyrë ilegale ka rreth 120 mijë copë armë të llojeve të ndryshme. Ministria e Punëve të Brendshme, me ndryshimet në Ligjin për armë do të mundësojë, që në një periudhë një vjeçare qytetarët në mënyrë vullnetare ta dorëzojnë apo legalizojnë armët ilegale. Shqetësues konsiderohet edhe trafikimi i tyre lehtësisht nga njëra anë e kufijve në tjetrën, çka rrezikon edhe rajonin.

SHBA
Tre të vdekur nga një breshëri armësh në Uashington

Si pasojë e një shkëmbimi zjarri në Uashington kanë mbetur të vdekur tre persona dhe janë plagosur gjashtë të tjerë. Lajmi bëhet i ditur nga mediet amerikane, sipas të cilave nuk dihen më shumë detaje për ngjarjen që ndodhi në Sauth Kapitol Strit, një nga zonat më të varfra të qytetit. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se bëhej fjalë për një person të vetëm, i cili ka qëlluar me breshëri ndaj njerëzve. Ndërsa policia mendon se mund të jetë përdorur një kallashnikov dhe se mund të jetë qëlluar nga një makinë në lëvizje.

Rusi
Sulm tjetër kamikaz në Republikën e Dagestanit

Pas sulmeve me bomba në metronë e Moskës, një tjetër sulm ka ndodhur ditën e djeshme në rajonin rus të Dagestanit në Kaukazin verior, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vrarë dymbëdhjetë veta, përfshirë një shef lokal policie dhe disa oficerë. Zyrtarët thonë se një nga kamikazët e ndezi lëndën shpërthyese kur u ndalua nga policia rrugore. Vetëvrasësi tjetër, i veshur me uniformë policie, e hodhi veten në erë kur iu afrua vendit ku kishte shpërthyer bomba e parë.Rusia është vënë në gjendje të lartë gatishmërie pas vrasjes të hënën të të paktën 39 personave në stacionet e metrosë së Moskës.

.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›