E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi i Punësimit: Nuk është rritur numri i të papunëve



Shërbimi Kombëtar i Punësimit, pas shifrave të nxjerra nga Konfederata e Sindikatave të vendit, ka reaguar, duke bërë publike të dhënat e veta zyrtare për punonjësit e larguar nga puna gjatë muajve të fundit. Sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP), në bazë të vendimit nr.223, datë 19.04.2006, të gjithë personat, të cilët kanë humbur vendin e punës dhe kanë qenë të siguruar përfitojnë pagesën e papunësisë për një periudhë 12 mujore. Duke pasur parasysh fluksin e hyrjeve në këtë skemë gjatë vitit 2009, SHKP thekson se deri tani për vitin aktual nuk ka një rritje të numrit të të papunëve.

Kriza ekonomike në Greqi, rekord papunësie te emigrantët

Kriza ekonomike në Greqi, më shumë se këdo tjetër duket se ka goditur emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në tokën helene. Në dhjetor të vitit 2009, papunësia në Greqi arriti në shifrën 10.2%, nga 7.5 % që ishte një vit më parë. Për herë të parë ajo rezulton më e lartë në radhët e imigrantëve me 11.7%, pasi recesioni thellë u hoqi imigrantëve avantazhin e fleksibilitetit. Kjo tregon se për herë të parë, papunësia më e lartë në Greqi është venë re në radhët e emigrantëve. Ministri grek i Punës, Andreas Lloverdhos, që jo pak herë është kritikuar se po “terrorizon” opinionin, parashikoi se në fund të vitit, papunësia do të arrijë në 12% të fuqisë punëtore, ose 1 milionë vetë. Por megjithëse familjet e emigrantëve shqiptarë kanë rezultuar më të prekurat nga kriza greke, ende kjo e fundit nuk ka krijuar ndonjë tendencë të dukshme për largimin masiv të emigrantëve nga vendi. Tani për tani, ata që kanë ndonjë biznes, ose ndonjë punë më të sigurt, apo që kanë gratë, të cilat aktualisht janë prekur përgjithësisht më pak nga kriza, edhe mund të qëndrojnë në Greqi. Ndërsa pjesa tjetër, që kanë dalë nga tregu i punës, në sektorin e ndërtimit, në sektorin e shërbimit, apo në sektorë të tjerë nuk është tendencë, por fakt i përditshëm. Në këtë kuptim, në qoftë se kjo punë do të vazhdojë gjatë, gjithë ai mundim dhe djersë e emigrantëve do të kthehet në dëm të tyre, sepse emigrantët do të largohen.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›