E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, studimet pasuniversitare, zbardhet drafti ri i MASH-it, për ndryshimin e tyre



Jonida Tashi

Zbardhet drafti i ri që Ministria e Arsimit ka përgatitur për ndryshimin e studimeve pasuniversitare në universitetet publike të vendit. Sipas draftit të kësaj Ministrie, studimet pasuniversitare do të pësojnë një sërë ndryshimesh, dhe për pasojë në universitete nuk do të ofrohen më mastera të nivelit të parë dhe të dytë, diploma të nivelit të dytë apo diploma të integruara të nivelit të dytë. Këto programe studimi, me përjashtim të Masterit të Nivelit të Dytë, që do të hiqet nga studimet e ciklit të tretë, do të shkrihen në programe të tjera studimi. Aktualisht, drafti i ri për ndryshimet në arsimin e lartë u është dërguar universiteteve për mendim, por pritet që ky dokument të ngjall një debat të madh akademik, për vetë faktin se në të nuk përcaktohet asnjë detaj konkret për studentët që i kanë përfunduar studimet me ciklin 4-vjeçar, dhe duan të vijojnë studimet pasuniversitare.
Drafti i ri
Sipas draftit të ri, sërish programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë do të organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme që janë: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë. Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite dhe zgjatja normale e tyre është tre vite. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimeve të ciklit të dytë japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti. Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa për programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në draftin e ri të MASH-it thuhet: “Institucionet e arsimit të lartë në fushat e Mjekësisë, Veterinarisë dhe Arkitekturës ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku; programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite; në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer”. Më tej në draftin e MASH-it janë paraqitur propozimet për programet e studimeve “Master”. Programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional. Programet e studimeve “Master” realizohen me se paku me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është se paku 1 vit. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma universitare “Master” në fushën e arsimimit dhe trajnimit profesional të kryer. Universitetet kanë të drejtë të pranojnë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i shkencave” dhe të vendosin kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë.
Cikli i tretë
Me miratimin e draftit të ri të hartuar nga Ministria e Arsimit, në studimet e doktoratës do të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”. “Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese; në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare ‘Master i shkencave’; këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri ne 60 kredite për studime të organizuara teorike; në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore ‘Doktor’ (Dr)”,- përcaktohet në draft. Ndërsa programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të studimeve të ciklit të tretë, profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e Mjekësisë, Stomatologjisë, Veterinarisë dhe Drejtësisë. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet. Në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë universitare specializimi në fushat e Mjekësisë, Veterinarisë dhe Magjistraturës. Për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2-4 vite. Në fushën e Mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë vetëm në ato fusha, ku ato përmbushin kriteret dhe standardet shtetërore, në përputhje me këtë ligj. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve profesionale, pas arsimit të mesëm, jouniversitare, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale “Diplomë profesionale në .....”. Një pjesë e krediteve të studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin universitetet. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen hollësi të tjera të programeve të studimeve.

Ndryshimet sipas draftit të ri
Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Studimet e ciklit të dytë
Programet e studimeve të ciklit të dytë japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Institucionet e arsimit të lartë në fushat e Mjekësisë, Veterinarisë dhe Arkitekturës ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku.
Programet e studimeve “Master”
Programet e studimeve “Master” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional.
Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma universitare “Master” në fushën e arsimimit dhe trajnimit profesional të kryer.
Universitetet kanë të drejtë të pranojnë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i shkencave” dhe të vendosin kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë.
Studimet e ciklit të tretë
Në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri ne 60 kredite për studime të organizuara teorike.
Në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë universitare specializimi në fushat e Mjekësisë, Veterinarisë dhe Magjistraturës.
Në fushën e mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit.
Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve profesionale, pas arsimit të mesëm, jouniversitare, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale “Diplomë profesionale në .....”. Një pjesë e krediteve të studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin IAL.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›