Testimi, si do të ricertifikohen punonjësit e shëndetësisë
Jonida Tashi
Nis faza e parë e testimit të bluzave të bardha, që është vetëdeklarimi i të dhënave të tyre personale dhe profesionale. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka ridërguar pranë institucioneve shëndetësore në gjithë vendin formularin e regjistrimit profesional, i cili duhet të plotësohet nga të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, për t’iu nënshtruar më pas testimit. Në formularin e përcaktuar nga specialistët e Shëndetësisë, i cili është i përbërë nga pesë pjesë, kërkohet që çdo punonjës i sistemit shëndetësor të deklarojë të dhënat e tij personale si: profili profesional, institucioni shëndetësor ku punon, specialiteti që zotëron, arsimimi, kualifikimet shtesë si dhe njohuritë plotësuese. Deri tani, pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), sipas drejtoreshës së saj, Entela Shehu, janë regjistruar rreth 6000 mjekë, farmacistë dhe stomatologë. Për t’i njohur drejtuesit e institucioneve shëndetësore me vizionin e Ministrisë së Shëndetësisë mbi edukimin në vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë si dhe me programin e ricertifikimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), organizuan dje seminarin me temë: “Programi i ricertifikimit të profesionistëve të shëndetësisë dhe akreditimi i aktiviteteve edukimit në vazhdim”. Pjesëmarrës në takim ishin drejtorë të spitaleve, shefa të shërbimit spitalor dhe drejtorë të institucioneve në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët u informuan në lidhje me aspektet kryesore të programit të ricertifikimit, procedurat përkatëse, detyrimet dhe përgjegjësitë e profesionistit të shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë aktivitet, e cilësoi edukimin në vazhdim si një hap të rëndësishëm të reformës, në të cilën është përfshirë i gjithë sistemi shëndetësor në vend.
Ricertifikimi
Ricertifikimi i punonjësve të shëndetësisë do të kryhet çdo pesë vjet. Gjatë këtij viti(2010), të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët duhet të kenë rreth 10 kredite (një orë pjesëmarrje në një konferencë shkencore të akredituar brenda apo jashtë vendit i korrespondon një krediti). Progesivisht deri në vitin 2014, profesionistët në fushën e shëndetësisë duhet të kenë të grumbulluara rreth 150 kredite. Në të kundërt, Fakulteti i Mjekësisë në bashkëpunim me urdhrat përkatës (të Mjekut apo Farmacistit) do të kërkojë testimin e kësaj kategorie që nuk plotëson numrin e krediteve. Por, numri i krediteve nuk do të llogaritet vetëm nga pjesëmarrja në aktivite, por dhe me artikujt shkencorë, pjesëmarrja në hartimin e kurrikulave universitare apo jounivesitare apo veprimtari të tjera kërkimore shkencore. Sipas drejtuesve të QKEV-së, në të gjitha rastet gjysma e krediteve të fituara (rreth 50 për qind e 150 krediteve) duhet të jenë të lidhura me profilin mjekësor të profesionistit. Për t’i ardhur në ndihmë procesit të kualifikimit të punonjësve shëndetësorë, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, e cila do të shërbejë si agjenci teknike e Ministrisë së Shëndetësisë, për procesin e certifikimit të profesionistëve të shëndetësisë ka përcaktuar numrin e krediteve që duhet të grumbullojnë çdo punonjës i këtij sektori. Tashmë QKEV-ja ka përfunduar së hartuari edhe Dokumentin Rregullator për Ricertifikimin e Profesionistëve të Shëndetësisë, në të cilin janë saktësuar përfundimisht edhe rregullat që do të ndiqen për këtë proces.
Kreditet
Sipas Dokumentit Rregullator për Ricertifikimin e Profesionistëve të Shëndetësisë, programi i ricertifikimit do të organizohet në cikle 5-vjeçare. Cikli i parë ka filluar në janar të vitit 2010 dhe përfundon në dhjetor të vitit 2014. Kërkesat e ciklit të parë të programit të ricertifikimit do të jenë të reduktuara në krahasim me ato të cikleve që vijojnë, për shkak të sfidave që lidhen me vënien në jetë të këtij programi në shkallë kombëtare. Në ciklin e parë të programit të ricertifikimit që përkon me vitin 2010, profesionistët e përfshirë në këtë program duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite në 5 vjet, sipas 10 kritereve dhe procedurave të përcaktuara. Ndërsa në ciklet pasues, numri i krediteve të detyrueshme për t’u mbledhur brenda ciklit 5-vjeçar do të jetë 250. Ndër kriteret e programit të ricertifikimit është përcaktuar që profesionistët e regjistruar në programin e ricertifikimit duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite në 5 vitet e ciklit të parë të programit të ricertifikimit. Bazuar në vështirësitë e zbatimit për herë të parë të këtij programi, numri i i krediteve të rekomanduara dhe të detyrueshme në secilin vit kalendarik të ciklit të parë është i ndryshëm. Por, në varësi të planeve të tyre individuale, profesionistët që do të përfshihen në këtë program, duhet të mbledhin të paktën 50% të krediteve të rekomanduara për secilin vit kalendarik, me kusht që brenda ciklit të parë 5-vjeçar të programit të plotësohet numri i përgjithshëm prej 150 kreditesh. Kurse për profesionistët, të cilët, do të zgjedhin të plotësojnë vetëm numrin minimal të detyrueshëm të kreditove, për një ose më shumë vite kalendarike të ciklit, duhet që brenda viteve të tjera të ciklit të plotësojnë 150 kreditet e kërkuara. Në të njëjtën mënyrë, profesionistët, të cilët e kalojnë numrin e rekomanduar të krediteve të një ose më shumë viteve kalendarike të ciklit, mund t’i transferojnë këto kredite në vitet pasardhëse të të njëjtit cikël. Në rastet kur profesionisti nuk do të plotësojë numrin e krediteve për secilin vit kalendarik ose numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh në 5 vjet, atëherë do të vlerësohet se profesionisti nuk ka përmbushur kërkesat e programit të ricertifikimit bazuar në ndjekjen e aktiviteteve të edukimit në vazhdim dhe duhet t‘u nënshtrohet sanksioneve të vendosura. Në ciklin e dytë dhe në ciklet e tjera të programit të ricertifikimit, numri total i krediteve të kërkuara do të vijë në kurbë rritëse, deri sa të kapet shifra 250 kredite, që është përcaktuar për t’u plotësuar në fund të ciklit 5-vjeçar. Numri i krediteve të rekomanduara është 50 kredite në vit dhe numri minimal i detyrueshëm është 30 kredite në vit. Profesionistët janë të lirë të transferojnë kredite nga njëri vit kalendarik në tjetrin brenda secilit cikël, me kusht që të plotësojnë numrin minimal të detyrueshëm të tyre për secilin vit dhe numrin total 250 kredite në 5 vjet.
Kreditet sipas viteve
Viti 2010
Cikli i parë i programit të ricertifikimit
Numri i rekomanduar i krediteve 10
Numri minimal i detyrueshëm i krediteve 5
Viti 2011
Cikli i parë i programit të ricertifikimit
Numri i rekomanduar i krediteve 20
Numri minimal i detyrueshëm i krediteve 10
Viti 2012
Cikli i parë i programit të ricertifikimit
Numri i rekomanduar i krediteve 30
Numri minimal i detyrueshëm i krediteve 15
Viti 2013
Cikli i parë i programit të ricertifikimit
Numri i rekomanduar i krediteve 40
Numri minimal i detyrueshëm i krediteve 20
Viti 2014
Cikli i parë i programit të ricertifikimit
Numri i rekomanduar i krediteve 50
Numri minimal i detyrueshëm i krediteve 25
1 Prill 2010