E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith:Situata në Kosovë, e qëndrueshme

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Piter Feith, ka deklaruar se situata në Kosovë gjatë një viti ka qënë e qëndrueshme. Por sipas Feith, reagimet në Prishtinë ndaj planit 6-pikësh dhe zhvillimet e fundit në Mitrovicë, tregojnë për ndjeshmërinë e vazhdueshme të situatës. Feith i bëri këto komente gjatë fjalimit të tij në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Ai foli për nevojën e bashkëpunimit të Beogradit dhe të Serbisë me misionin e Bashkimit Europian atje. "Një mbështetje më e mirë dhe e identifikuar nga ana e Beogradit për punën e BE-së në Kosovë është kyçe, posaçërisht lidhur me sjelljen më bashkëpunuese të kryetarëve të komunave në veri dhe në përpjekje për izolimin e kriminelëve të linjës së forte po në veri", ka thënë Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë. Edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Jost Lagendijk, i cili vizitoi Kosovën pas rezolutës, tha se jo vetëm që Beogradi duhet të bashkëpunojë me EULEX-in, por BE-ja duhet t'ia bëjë të qartë Beogradit se një bashkëpunim i tillë do të ishte i domosdoshëm nëse Serbia dëshiron të integrohet në BE. Ndërsa Feith, gjatë fjalës së tij ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për përparim jo të duhur, sidomos në llogaridhënie dhe transparencë në shpenzimin e parave publike dhe ato të donatorëve. Piter Feith, ka kërkuar nga Brukseli edhe një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, për një dialog të mirëfilltë mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, sepse, sipas tij, prioritet duhet të jetë edhe pajtimi ndëretnik atje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›