Zimbabve,inagurohet lideri i opozitës

Në kryeqytetin e Zimbabves, Harare, është bërë inaugurimi i liderit të opozitës, Morgan Tsvangirai si kryeministër i vendit. Tsvangirai u bë kryeministër i Zimbabves, si pjesë e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit me presidentin shumëvjeçar, Robert Mugabe. Me qeverinë e re janë rritur shpresat se ky shtet në jug të Afrikës do të ketë më në fund mundësinë të shërohet nga hiper inflacioni, nga mungesa e ushqimit dhe epidemia e kolerës, e cila deri më tani ka marrë më shumë se 3 500 jetë njerëzish. Kryeministri i ri i Zimbabves Morgan Tsvangirai fitoi në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në mars të vitit të kaluar, fitore që shkaktoi trazira në shtetin afrikan midis përkrahësve të tij dhe atyre të Mugabes. Në këto trazira humbën jetën 180 persona. Pas shumë bisedimeve të pasuksesshme, në shtator të vitit të shkuar, Tsvangirai vendosi që Lëvizja e tij për Ndryshim Demokratik të hyjë në qeverinë e unitetit me partinë e Mugabes.