E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia, bashkëpunon me Afganistanin

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia është e gatshme për një bashkëpunim të gjërë me forcat ndërkombëtare në Afganistan. Lavrov e bëri këtë deklaratë gjatë një konference të shkurtër për shtyp me shefin e politikave të jashtme të Bashkimit Europian Havier Solana. "Ashtu sic ka konfirmuar së fundmi edhe Presidenti Medvedev, ne jemi gati për një bashkëpunim shumë të afërt dhe të gjërë në Afganistan. Në marrëveshjen tonë me NATO-n, nuk ka qënë vetëm kalimi tranzit ushtarak", u shpreh Lavrov për gazetarët. Lavrov tha gjithashtu se Rusia mund të ofronte avionët e saj ushtarakë në ndihmë të forcave të NATO-s, për të luftuar rebelët talebanë. Kremlini e sheh Afganistanin si një zonë ku interesat ruse, përputhen me ato amerikane, pavarësisht mosmarrëveshjeve të forta në cështje të tjera. Bisedimet mes Rusisë dhe NATO-s për Afganistanin dhe cështje të tjera, u pezulluan nga aleanca veriatlantike, si kundërpërgjigjje ndaj luftës së Rusisë me Gjeorgjinë vitin e kaluar. Dialogu mes palëve rifilloi këto javët e fundit. Forcat e drejtuara nga NATO në Afganistan po kërkojnë rrugë alternative për furnizimet ushtarake, pasi kamionët që kalonin përmes Pakistanit sulmohen nga militantët. SHBA-ja përdorte bazën ajrore në Kirgistan, por qeveria e këtij vendi bëri të ditur javën e kaluar se do ta mbyllte këtë bazë. Ndërkohë që Solana në fjalën e tij e vuri theksin në problemet në Lindjen e Mesme. Solana tha se qeveria e re izraelite duhet të rifillojë negociata serioze për paqen me Palestinën. "Mendoj se duhet të presim se si qeveria e re e Izraelit do të formohet dhe për këtë do të duhen disa javë, ndoshta më shumë se një muaj. Por unë shpresoj se cfarëdo qeverie që do të krijohet, të jetë e gatshme për bisedime", theksoi Solana.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›