E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu midis njerëzve me bindje të ndryshme – shprehje vëllazërimi

SHKRUAN: Luan Omari 16-11-2011 13:24

Çështjen e dialogut midis njerëzve me bindje të ndryshme ose siç thuhet rëndom, midis besimtarëve dhe jobesimtarëve, duke qenë në pozitat e një njeriu që nuk ka bindje fetare, unë e shoh si komunikim midis subjekteve të barabarta, të cilat ndonëse ndahen për sa u përket mësimeve ose dogmave të një feje – në rastin konkret të fesë katolike – bashkohen në shumë çështje të tjera, veçanërisht në bindjen se përveç çështjeve fetare ka vlera të tjera etike, përqafimi i të cilave nga të gjithë njerëzit do të zhdukte shumë tensione e konflikte që kanë shoqëruar e shoqërojnë vazhdimisht zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe do të shërbente për të krijuar marrëdhënie të reja midis njerëzve, të bazuara në respektin e bindjeve të tjetrit në një solidaritet të ndërsjelltë si shprehje e vetëdijes se njerëzimi është një familje e madhe, të cilën duhet ta duam dhe për të cilën duhet të kujdesemi të gjithë.

Nga ky këndvështrim, më duket se termi mosbesimtar është kufizues, sepse edhe një njeri që nuk beson në mësimet e ndonjë feje mund të besojë në ato vlera të tjera që përmenda më lart dhe që janë vlera të përbashkëta për të gjithë njerëzit. Prandaj më duket më e saktë shprehja që ka filluar të përdoret shpesh kohët e fundit: “njerëz me bindje të ndryshme”.

Dialogu me njerëzit që kanë bindje të ndryshme ka qenë një synim i kahershëm i besimtarëve të krishterë, veçanërisht i Kishës Apostolike Romake duke u bazuar edhe në mesazhet e Ungjillëve. Por duhet pranuar se ky dialog në përmasa të gjera dhe i institucionalizuar është më tepër karakteristikë e 10-vjeçarëve të fundit, sidomos e një epoke të re që u çel në historinë e Kishës Katolike me Koncilin II të Vatikanit i thirrur nga Papa Gjoni XXII, Koncil që promovoi dialogun midis katolikëve dhe ithtarëve të kishave të tjera të krishtera. Pas këtij hapi të parë shumë të rëndësishëm, me shtysën e Palit të VI dhe Gjon Palit të II vijuan hapa të tjerë: dialogu me ithtarët e feve të tjera, jo kristianë si muslimanët, hebrenjtë, budistët dhe, më së fundmi edhe dialogun me njerëzit që kanë bindje të ndryshme jofetare. Duhet thënë se nisma për këtë dialog të fundit është ndërmarrë nga lëvizje laike, por në thelb kristiane që janë pranë Kishës së Romës dhe kanë përkrahjen e saj, si Lëvizja e Vatrave, që ka një shtrirje në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Që në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kjo lëvizje e themeluar nga Chiara Lubich ka nisur një dialog të frytshëm me njerëz me bindje të ndryshme, duke organizuar kongrese, kuvende e seminare jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera.

Por, pa dyshim angazhimi i Kishës në këtë dialog i jep atij një shtysë më të fuqishme dhe një dimension shumë më të gjerë. Në një fjalim të mbajtur në Kurjen Romane më 21 dhjetor 2009, Papa Benedikti i XVI tha sa vijon: “ Mendoj se Kisha do të duhej edhe sot të hapte një lloj ‘Cortile dei Gentili’, ku njerëzit në një farë mënyre të kapen tek Perëndia pa e njohur…Dialogut me fetë sot i duhet shtuar sidomos dialogu me ata, për të cilët feja është një gjë e huaj, për të cilët Perëndia është e panjohur dhe që, megjithatë nuk do të donin thjesht të mbeteshin pa Perëndi, por ta afronin atë të paktën si të Panjohur”.

Ky apel i Papës së sotëm ka shërbyer si frymëzim pikërisht për krijimin e “Cortile dei Gentili”, emërtim që e ka prejardhjen te Tempulli i vjetër i Jerusalemit, i epokës parakristiane, në të cilën gjenin hapësirë si vendtakimi dhe bisedash njerëz të ndryshëm pavarësisht nga kultura, nga gjuha, ose nga orientimi fetar. Kjo nismë e Vatikanit në vazhdën e së cilës bëhet edhe takimi i sotëm duhet përshëndetur si një kontribut shumë i rëndësishëm për afrimin midis njerëzve, si një mirëkuptim për një solidaritet të ndërsjellë dhe pse jo, për vëllazërimin midis njerëzve. Madje, dialogun midis njerëzve me bindje të ndryshme do ta konsideroja pikërisht si një shprehje e vëllazërimit.

...Duhet një rrugë e gjatë për t’u shpjeguar njerëzve çfarë është vëllazërimi i vërtetë. Gjeste vëllazërimi dhe solidariteti mund t’i shohim më shpesh tek njerëzit e thjeshtë sesa në të ashtuquajturat shtresat e larta shoqërore. Kurse pikërisht njerëzit e këtyre shtresave që janë më të arsimuar dhe kanë ndikim më të madh në shoqëri do të duhej të jepnin shembullin e drejtë. Dua të citoj Chiara Lubich, e cila duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe të vëllazërimit thoshte se ky i fundit “nuk është vetëm një vlerë, por dhe paradigma globale e zhvillimit politik. Ne besojmë se çelësi është në vëllazërimin universal për t’i dhënë vendin e duhur midis kategorive politike themelore. Vetëm duke qenë pranë njëri-tjetrit tri parimet themelore mund të jenë pikënisja e një politike që t’u përshtatet kërkesave të sotme”.

Është një utopi të mendosh për realizimin e një synimi të tillë? Ndoshta. Por ia vlen të kesh besim dhe të përpiqesh që të gjesh mënyrat dhe rrugët për t’i bindur njerëzit se vëllazërimi është një garanci e përparimit dhe lumturisë së të gjithëve.

*Fjala, me shkurtime, e mbajtur në konferencë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›