E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fejzullahu mund të kthehet në Suedi

Nga Express më 21 korrik 2011 në ora 08:58

Pas eksperiencës dështuese në Danimarkë me ekipin Randers, Erton Fejzullahu mund të kthehet në Suedi. Klubi i tij aktual, NEC Nijmegen e ka konfirmuar interesimin e disa skuadrave suedeze për sulmuesin shqiptar.

Udhëheqësit e klubit holandez i kanë nisur bisedimet me klube të ndryshme nga elita e futbollit suedez. “Disa klube suedeze janë të informuara për situatën e tij. Kam qenë në Suedi dhe kam pasur disa takime, janë disa klube që kanë shprehur interesim për Fejzullahun”, ka thënë drejtori sportiv i NEC-it, Aalbers Carlos, për Kristianstadsbladet.
Mjallby, ish skuadër e tij, është njëra prej të interesuarave për Fejzullahun, të cilin e shohin zëvendësues ideal të Moestafa El Kabir.

“Mund të themi se ai mund të kthehet. Jemi takuar dhe kemi biseduar me Ertonin kur ishte në shtëpi. Ne kemi marrëdhënie të mira me NEC, me të cilin kemi filluar kontaktet. Ai do të stërvitë me NEC derisa të ndodhë diçka”, deklaroi drejtori sportiv i Mjallbyt, Jorgen Martinsson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›