E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mjedisit Lista e gjelber pa rrezik

Ministria e Mjedisit ka ritheksuar se ligji që pritet të miratohet së shpejti për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në përputhje të plotë me standardet europiane. Sipas autoriteteve të kësaj ministrie, lista që është miratuar për riciklimin e mbetjeve në vendin tonë, është shumë e reduktuar, krahasuar me atë në vendet europiane.

"Ministria ka hartuar për herë të parë, me asistencën e BE, strategjinë dhe planin e veprimit për mbetjet. Lista e miratuar nga ne përmban rreth 50 përbërës të mbetjeve, nga mbi 400 qe ka lista e gjelbër e BE. Pra, rreth dhjetë herë më pak. Mundësia ligjore për të importuar mbetje për qëllime riciklimi ka qenë që në vitin 2003, që është miratuar për herë të parë me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave. Nga ky vit deri tani ministria nuk ka informacion mbi mundësinë e abuzimit me këtë akt", thotë Pëllumb Abeshi, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit.

Ndonëse, projektligji është debatuar dhe kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile, ministria e Mjedisit po punon për përcaktimin e zonave ku do të bëhet riciklimi i mbetjeve të vendit tonë, por edhe ato të importuara duke siguruar komunitetin se përpunimi i tyre nuk përbën asnjë rrezik.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›