Felaj: Tentativa për të fshehur provat, e dështuar
Përmbytjet
Partia Socialiste paralajmëroi dje qeverinë se çdo tentativë e saj për të fshehur provat për përmbytjen në Shkodër është e dështuar. Deputetja Ermonela Felaj tha dje se çdo përpjekje për të manipuluar opinionin publik, se vërshimi i ujit që përmbyti Veriun ishte një fatkeqësi natyrore që ndodh 1 herë në 100 vjet, është gjithashtu e dështuar. “çdo përpjekje e dëshpëruar për të zhdukur provat, e të gjithë atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj katastrofe, që me veprimet apo mosveprimet e tyre, lejuan përmbytjen e më shumë se 11 mijë hektarë toke, sipërfaqe kjo 4 herë më e madhe se ajo mbi të cilën shtrihet qyteti i Tiranës, është plotësisht e dështuar”, deklaroi Felaj ndërsa ftoi të gjithë shqiptarët që sot të ndjekin mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që të mund të njihen me faktet, shifrat dhe evidencat që provojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare dhe të KESH-it për përmbytjen që shkaktoi tmerrin e mijëra familjeve shkodrane dhe ankthin e një populli të tërë për fatin e fatkëqijve. “I ftoj të gjithë shqiptarët, të ndjekin nesër, në orën 10.30, Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, për të mësuar të vërtetën e hidhur të kësaj katastrofe që tronditi Shqipërinë dhe la qindra familje shkodrane pa banesa, pa prodhim, pa bagëti, pa shpresë”, deklaroi ajo. Dy ditë më parë, kryetari socialist, Edi Rama, deklaroi se PS disponon të gjitha provat që përmbytja në veri është kryer nga papërgjegjshmëria e qeverisë dhe jo për shkak të një fatkeqësie natyrore. Ndërkohë që ai lëshoi një apel pikërisht për mazhorancën që të mos tentojë të prishë provat, sepse do të jetë e kotë, pasi ato i disponon selia rozë.
#