E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fëmija i zhdukur 7-vjeçar nga Elbasani gjendet në Vlorë

03/05/2005  Familja 48 orë në ankth, dyshime për rrëmbimin

ELBASAN - Alarmi për zhdukjen e një 7-vjeçari në qytetin e Elbasanit ka sjellë jo vetmë ankthin e familjarëve, por edhe të komunitetit të zonës. Dje për familjen tij ishte ditë me fat. I vogli u gjet pas 48 orësh në stacionin e trenit në Vlorë. Pas zhdukjes së Arturit, 9 vjeç, në markatën e qytetit rreth një vit më parë, ky rast u përcaktua si mjaft i ngjashëm dhe për 48 orë u konsiderua si i tillë. Muhamet Kovaçi, 7 vjeç, ka qenë së bashku me dy vëllezërit e tij, kur është nisur te fqinjët e familjes dhe nga ai moment është shpallur i zhdukur nga familja. Nëna e tij, Edlira, kur ka parë vetëm dy djemtë e vegjël, është nisur në kërkim të të madhit, i cili ishte parë fillimisht në trenin e linjës Elbasan-Pogradec. Por, me gjithë kërkimet e familjarëve, fëmija do të ishte sërish protagonist kur fqinja 12 vjeçare e ka parë të largohent brenda një makine të kuqe, me xhama të errët, shoqëruar nga dy persona. Ndërkohë, nëna e tij kishte bërë kallëzimin në polici për zhdukjen e 7-vjeçarit. Pas disa orësh përpjekjesh, rreth orës 01.00 pas mesnate, është marrë denoncimi për zhdukje dhe fotografia e fëmijës është shpërndarë me shpejtësi në të gjitha komisariatet, pikat kufitare dhe aeroport, për të mos lejuar largimin në rast rrëmbimi jasht kufijve të fëmijës së humbur. Ndërkohë, familja Kovaçi kishte telefonuar gjithë të afërmit e saj në qytetet e tjera, për të mësuar diçka mbi fëmijën. Pas dy ditësh nga humbja e 7- vjeçarit ata dyshuan edhe për një rrëmbim të mundshëm.

Rrëfimi i Edlira Kovaçi

Nëna në kërkim të djalit, 48 orët e tmerrit

Nëna e Muhametit 7-vjeçar, Edlira tregon se, pasi ishte parë nga vajza e fqinjit të saj të largohej me një makinë, të gjithë kishin menduar se djali ishte rrëmbyer. Kjo ka shqetësuar edhe më tepër familjen Kovaçi e ndërsa djali është identifikuar pas 48 orësh në qytetin e Vlorës. Pas lajmërimit të familjarëve të nënës së Muhametit, kërkimet kanë filluar nga të gjitha pistat dhe vetëm gjatë pasdites së djeshme fëmija është parë në stacionin e trenit të Vlorës, ku edhe të afërmit e tij kanë arritur ta gjejnë.

Si iku djali dhe si vepruat këto 48 orë?

I kisha nisur tre djemtë te fqinja, por vetëm dy të vegjlit kanë mbërritur atje, ndërsa i madhi ishte larguar. Fëmijët më thanë se kishte shkuar te treni, pasi ne banojmë shumë afër stacionit të trenit. Por kur kërkova të gjithë stacionin nuk pashë asnjë gjurmë të tij. Fillimisht kujtova se ishte larguar drejt Pogradecit me trenin e udhëtarëve dhe për këtë arsye gjetëm numrin e telefonit të trenistit, por ai nuk ishte parë aty. Në këtë kohë nisemi për të bërë denoncimin në polici dhe pas dy orësh nga koha që djali ishte parë, vajza e vogël e fqinjës tregon se e kishte parë Metin në një makinë të kuqe, me xhama të zinj, që po largohej së bashku me dy burra, të cilët kanë shpejtuar në këtë moment, duke u larguar nga rruga afër stacionit të trenit në Elbasan. Pasi kemi lajmëruar të gjithë të afërmit dhe policinë kanë kaluar më shumë se 48 orë dhe djali nuk gjendej asgjëkundi. Mendoja vetëm të keqen. Dikush e kishte rrëmbyer për ta nxjerrë jashtë shtetit dhe unë nuk do ta shihja më djalin tim.

Ishte larguar herë tjetër në këtë mënyrë?

Tetë muaj më parë, djali ishte larguar me tren në drejtim të Pogradecit. Afërsia e stacionit të trenit me shtëpinë tonë ka bërë që disa herë Meti të largohej afër tij dhe kishte hipur te treni i linjës së Pogradecit. Ishte policia, ajo që na e solli në shtëpi po atë natë. Edhe gjatë asaj kohe ne bëmë menjëherë denoncimin në polici dhe ato arritën të na e sjellin shëndoshë e mirë në shtëpi. Nuk e mendoja se do të bëntë sërish të njëjtën gjë pas 8 muajsh.

Si e keni pritur lajmin e gjetjes së fëmijës tuaj?

Ne kishim lajmëruar të gjithë të afërmit tanë në të gjitha qytetet për zhdukjen e Muhametit. Edhe në Vlorë, ku është gjetur ai, të gjithë të afërmit e mi po kërkonin ta gjenin, duke shkuar te stacioni i trenit apo edhe në vende të tjera, që fëmija i dinte më parë. Vetëm gjatë pasdites së të hënës, ai është parë në afërsi të stacionit të trenit dhe më pas është gjetur nga vëllezërit e mi, të cilët po e sjellin këtu. Jam shumë me fat që e gjeta sërish, pasi në Elbasan janë zhdukur fëmijë dhe nuk janë gjetur më. Kisha shumë frikë se e kishin rrëmbyer, por jam shumë e lumtur që fëmija im është shëndoshë e mirë pas dy ditëve nga zhdukja e tij dhe do të jetë pranë familjes shumë shpejt

Precedenti

Artur Carja, 10 muaj i zhdukur

Në 7 korrik 2004, një fëmijë 9 vjeç është parë për herë të fundit në markatën e qytetit të Elbasanit, duke shitur qese dhe që nga ajo kohë askush nuk ka sjellë qoftë edhe një informacion të vetëm për vendndodhjen e tij. Artur Carja, banues në lagjen “Vullnetari” është fëmija i parë i zhdukur në të tilla rrethana në mes të ditës dhe në mes të qytetit. Gjatë kësaj kohe, familja nuk ka marrë qoftë edhe një informacion të vetëm, por policia ka konfirmuar disa muaj më parë se ai është gjallë dhe është jashtë kufijve. Versioni më i mundshëm i kësaj ngjarjeje të rëndë është trafikimi për qëllime përfitmi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›