E Hënë, 2 Nëntor 2026

Katër herë në burg për Nikita Hrushovin

03/05/2005  Historia e ish-djaloshit të pedagogjikes, 63-vjeçarit Mhill Gjinaj, që kreu 15 vjet burg politik për traktet e hedhura kundër vendosjes së raketave sovjetike në Shqipëri dhe pjesëmarrjes së vendit tonë në Traktatin e Varshavës

Sigurimi i kapi tekstin e një platforme për krijimin e Partisë Popullore, që i kundërvihej hapur praktikës së PPSH-së

Ishte vetëm 16 vjeç, në atë kohë kur ende fëmijëria ngre krye dhe rebelohet kundër detyrimeve të një moshe tjetër, kur i lindi ideja të shkruante dhe të shpërndante trakte me përmabajtje “armiqësore”. Në këto trakte, djali i imët që lexonte veprat e idealistëve të komunizmit shkencor, protestonte kundër vizitës së Hrushovit në Tiranë.

Mhill Gjinaj, 63 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Mamurras, me origjinë nga fshati Baz i Matit, ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme Pedagogjike në Tiranë, kur në çantën e një shoqes së tij të klasës futi një trakt, ku denanconte politikën servile të PPSH dhe udhëheqjes komuniste kundër BS dhe Nikita Hrushovit. Një tufë traktesh të shkruara me dorën e tij i shpërndau gjithandej në mjediset e shkollës pedagogjike, pikërisht ditën që shokët dhe shoqet e tij ishin thirrur në rresht për të marrë pjesë në manifestimin popullor, me rastin e ardhjes së liderit liberal të komunsitëve sovjetikë në kryeqytetin e shqipeve. Djaloshi i talentuar, që kishte pasion letërsinë dhe gjuhët e huaja, mendonte se e keqja iu vinte shqiptarëve nga vasaliteti me sovjetikët, të cilët, siç mendonte aso kohe, kishin shkatërruar në praktikë imazhin e ideve majtiste të Sen Simonit, Furies, Ovenit, librat e të cilëve i kishte lexuar në frëngjisht. Si pasojë e këtij rebelimi, djaloshi i brishtë dhe plot ëndrra i pedagogjikes vuajti dy vjet burg politik (gjysmë dënimi për shkak të moshës së mitur). Avokati mbrojtës u përpoq ta etiketonte këtë ngjarje si një histori dashurie, por i akuzuari e mohoi këtë, ngaqë nuk donte që në punët e tij të fshehta të implikonte një person që nuk kishte lidhje me veprimtarinë e tij ilegale.

Por, nuk qe e thënë që kalvari për të të mbaronte me kaq. Sapo lirohet, përgatit letrat për krijimin e një partie, që ai e pagëzoi “Partia Popullore”, gjithmonë në kërkim të një “ishulli lumturie” për njerëzit e thjeshtë, masat e gjëra të popullit, që ai mendonte se ishin tradhtuar nga klika e Hoxhës dhe regjimi komunist. Për këtë vuajti 13 vjet dënim për ta mbyllur odisenë e ndëshkimit të tij të pamerituar në vitin 1989 në Mamurras, kur në prag të ndryshimeve institucionet ideologjikë të shtetit ishin bërë tepër brutale dhe të dhunshme.

Ja rrëfimi i tij ekskluziv për gazetën “Metropol”.

Si nisi historia e “keqkuptimit” tuaj me diktaturën?

Më tepër se një “keqkuptim” i trashëguar, ishte një “keqkuptim” i fituar nga leximet dhe idetë rinore. Sidoqoftë, babai im, Gjoni, ka qenë kapiten i milicisë fashiste në Krujë, por në këtë kohë ndihmonte Abas Kupin dhe forcat e rezistencës antifashiste, duke rënë në sy të eprorëve dhe të strukturave të larta të milicisë, që filluan ta survejonin. Për t’i shpëtuar ndëshkimit, iku së bashku me familjen nga Kruja dhe për dy javë qëndruan të fshehur në grykat e Shkopetit. Kështu që nga viti 1942 deri në vitin 1952 qëndroi maleve, i ndjekur edhe nga fashistët (deri në fund të vitit ’43), edhe nga komunistët derisa u arratis për të përfunduar në Bruksel.

Me ardhjen në pushtet të fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, nëna, që kishte bërë 10 vjet burg në kohën e Zogut, pasi pati vrarë personin që i vrau burrin e parë, e internuan së bashku me fëmijët e vegjël. Në vitin ‘51, pas kryerjes së internimit u vendosëm në fillim në Lezhë, pastaj në Tepelenë dhe Berat. Më vonë, shkuam në vendlindjen e babait, në Baz të Matit, ku qëndruam disa vite.

Ndërkohë, babai juaj ishte në mal si i arratisur politik. A kishit kontakte me të?

Na vinin mesazhe nga shokë dhe njerëz të besuar të tij, por nuk e takuam kurrë gjatë kësaj kohe. Ai nuk donte që të na rrezikonte, pasi familja jonë ndiqej nga Sigurimi dhe shtëpia përgjohej thuajse ditë e natë. Mbasi mbarova shkollën shtatëvjeçare me rezultate të shkëlqyera në Perlat të Mirditës (qëndroja te daja), kërkova bursë, por shefi i seksionit të arsimit të Matit më tha: “Shko bjer babanë këtu, të të japim bursë ku të duash ti”.

Në vitin 1956-1957, doli një amnisti për të arratisurit politikë maleve të vendit, kryetari i Degës thërret nënën dhe i thotë të kontaktonte me tim at, pasi ishte falur. Nëna i dërgoi letër babait, por ai iu përgjigj se ambasada jugosllave nuk iu kishte dhënë sqarimet e duhura dhe se ai vetë nuk i zinte besë kësaj amnistie. (Atë kohë, babai ishte ende në një kamp për të arratisurit politikë në Jugosllavi).

Si mundët të vazhdonit shkollën e mesme Pedagogjike në këto rrethana përndjekjeje dhe persekutimi?

Është një histori e trishtë, si të gjithë historitë që më lidhin me atë kohë të vështirë, që kaluam të gjithë shqiptarët. Më ndihmuan dy miq të dajave të mi: Dhimitër Canco dhe Gjergj Canco (ky i fundit drejtor i Politeknikumit dhe deputet i Kuvendit Popullor, shok shkolle dhe mik i Enver Hoxhës). Ata e fshehën biografinë time dhe më dërguan me gjysmë burse në Teknikumin e Ndërtimit, në Qytetin e Nxënësve. Mbarova simestrin e parë, por u sëmura keq dhe humba një vit mësimor. Vitin tjetër vazhdova Pedagogjiken, banoja te djali i dajës, Shefqet Xhelaj, ish-partizan, oficer, delegat në Kongresin I të PPSH, i vetëpërjashtuar nga partia.

Si ju lindi ideja për të shkruar trakte kundër vizitës së Hrushovit në Tiranë?

Isha në vitin e dytë të Pedagogjikes dhe, në atë kohë, mendoja se të gjitha të këqijat vendit tonë i vinin nga lidhja me BS. Ndërkohë, në kampin komunist, dalja në skenë e Hrushovit, si një lider moderator, po shikohej me shpresa të mëdha. Por, unë isha i bindur se, në asnjë rast, të qenit e Shqipërisë në strukturat moskovite të Lindjes nuk ishte një shans, por një fatalitet. Kishte kohë që e bluaja këtë mendim dhe po piqej tek unë ideja e kundërshtimit të kësaj të keqeje…

Kur erdhi Hrushovi në Tiranë, në tetor të vitit 1959, shkolla jonë ishte organizuar dhe doli për të pritur me lule dhe flamuj sovjetikë mbërritjen e liderit të moderuar komunist. Hyra midis grupeve të të rinjve dhe flamurmbajtësve sovjetikë (të rinjve të shkollës Pedagogjike) iu dhashë flamuj shqiptarë. Më morën policët dhe më mbajtën në rajon, derisa mbaroi mitingu. Ndërkohë, kisha shkruar tre-katër letra me këtë përmbajtje: “U bëj thirrje të gjithë studentëve të shkollave të mesme të Tiranës që më 29 nëntor 1959 të organizojmë një demonstratë për të protestuar kundër vendosjes së raketave sovjetike në Shqipëri dhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës. Kjo demonstratë organizohet nga organizata për Shpëtim Kombëtar. Kryetari: Atilla”.

Çfarë bëtë me këto letra?

Njërën nga këto letra e futa në librin e një shoqes sime të klasës, Vjollca Ishmaku quhej, të tjerat në libra, çanta dhe klasa të tjera. Vjollca ia jep letrën mësueses kujdestare, e cila kryen menjëherë denoncimin në Degën e Brendshme.

Në ç’rrethana ju arrestuan?

Më 28 nëntor, vajta të shihja një film të ri te kinema “17 nëntori” dhe, sapo dola, një eskortë policësh, më vuri hekurat. Pyetjet e para m’i bëri Feçor Shehu, aso kohe kryetar i degës së Punëve të Brendshme të Tiranës. Gjatë kontrollit më gjetën dhe një letër tjetër me të njëjtën përmbajtje, kështuqë u detyrova të pranoja se isha unë autori i këtyre trakteve, por pretendova se nuk kisha patur qëllim politik dhe se ishte tjesht një shaka. Këmbëngula që nuk ekzistonte një organizatë e tillë.

A ekzistonte në të vërtetë kjo organizatë?

Nuk ekzistonte. Por, nëse nuk do të isha zbuluar, unë e kisha vendosur që ta krijoja atë.

Çfarë ndodhi më tej?

Më akuzuan për agjitacion e propagandë, por në gjyqin e parë, për këtë akuzë mora pafajësinë. Më dënuan 8 muaj për kanosje, sepse, harrova t’iu them, që në letër–traktin kisha vënë një shënim të tillë: “Kushdo që denoncon këtë letër, do të ekzekutohet”. Avokati im u përpoq ta paraqiste këtë histori si një histori dashurie me Vjollcën, por unë refuzova se kisha patur një histori të tillë me vajzën, pasi një gjë e tillë jo vetëm që kjo nuk ishte e vërtetë, por nuk doja ta dëmtoja shoqen e shkollës. Hetuesit u përpoqën të gjenin një lidhje mes veprës sime penale dhe një farë organizate me emrin “Rrethi i kuq”, krijuar nga disa nxënës të Politeknikumit, por edhe kjo nuk rezultoi e vërtetë.

Prokurori protestoi për masën e dënimit tim dhe e dërgoi çeshtjen në Gjykatën e Apelit. Në gjyqin e dytë pati vetëm 1 dëshmitar, mësuesja kujdestare e Vjollcës. Ajo dëshmoi sikur i kishin thënë disa nxënës se gjoja unë paskësha thënë se para Çlirimit shqiptarët jetonin më mirë se tani, në kohën e Partisë. Kërkova të ballafaqohem me dëshmitarët e kësaj akuze, por më kot. Më dënuan me dy vjet heqje lirie, me një të dytën e dënimit që parashikonte ligji për shkak të moshës.

Në burg ju lindi ideja për krijimin e një partie politike?

Në burg mësova shumë gjëra që më tronditën dhe që tregonin se lidershipi komunist me Enver Hoxhën në krye ishte një lidership kriminal. Mësova për të vërtetën e vrasjes së Bardhok Bibës, mikut të babait tim, të cilin e vranë të arratisurit politikë, por ama në pritë ua kishin nxjerrë oficerët e Sigurimit të Shtetit.

Mësova se armët që u futën në kishën e Shkodrës ishin futur nga Sigurimi për të patur një alibi për ndëshkimin e egër që do të kryenin më vonë ndaj klerit katolik. Këto ishin objekt i shkrimeve të mia, të përpunuara me mendje që në burg dhe që, pas lirimit, morën formë në trajtën e një platforme të një partie politike.

Me kë e ndatë idenë e krijimit të një partie politike?

Pas daljes nga burgu, në vitin 1961, punova ca kohë në minierën e Martaneshit, Batër. Në këtë kohë, shkruaja shumë dhe shkrimet, bërthama e një partie politike të mundshme, i fshihja në pyll, pasi Sigurimi më përgjonte kudo. Për ta patur më të lehtë survejimin tim, nxorën nga burgu një bashkëfshatarin tim me banim në Ishëm të Durrësit (i falën 6 vjet) dhe e dërguan në minierë që të hynte në lidhje me mua. I besova dhe ia dhashë të gjitha shkrimet. I fola për idenë e krijimit të një partie popullore, që të ishte krejt ndryshe nga PPSH-ja dhe t’iu shërbente njerëzve të thjeshtë si një alternativë për një jetë më të mirë. Ai më premtoi të m’i shtypte materialet në makinë shkrimi dhe për këtë më ftoi në shtëpinë e tij, në Ishëm. Fjeta atë natë në shtëpinë e tij dhe, kur po dilja, më tha t’i merrja materialet me vete, sepse për shtypjen do të mendonim më vonë, ndërkohë që kishte lajmëruar Degën e Brendshme, oficerët e së cilës më kapën me materialet në dorë.

Çfarë ju thanë në hetuesi?

Pasi m’i gjetën shkrimet nën pulovër, më dërguan në hetuesinë speciale në Tiranë. Meqë flitej për një parti politike ilegale, hetuesi më bënte presion për t’i treguar bashkëpunëtorët. Nuk kisha bashkëpunëtorë, ishin thjesht idetë e mia. Hetuesia speciale vazhdoi pesë muaj. Në korrik të vitit 1964 dola për herë të tretë në gjyq. Ishte një gjyq me dyer të mbyllura dhe pa asnjë dëshmitar. Megjithëse kërkova nuk e pranova akuzën dhe kërkova pafajësinë, më dënuan me dhjetë vjet heqje lirie.

Ku e vuajtët dënimin?

Në fillim më dërguan në burgun e Tiranës, pastaj në Vlorë, në kampin ku ndërtohej aso kohe Fabrika e Sodës Kaustike, më vonë në Elbasan për të ndërtuar Fabrikën e Çimentos etj. Disa ditë pas ardhjes në Elbasan, u arratisa nga burgu me një shokun tim, por na kapën në Qafë Krrabë, duke udhëtuar për në Tiranë. Vetëm Zoti na ka ruajtur, sepse mbi shpinat tona gjatë arratisjes janë derdhur qindra plumba. Për herë të katërt u ballafaqova me gjykatën komuniste, e cila më dënoi me tre vjet të tjerë. Pra, kam kryer gjithsej 15 vjet burg politik.

Më në fund mbaroi kalvari, apo jo?

Jo. Në vitin ’89, në prag të ndryshimeve, që do të trondisnin diktaturën, më arrestojnë përsëri. Kisha blerë një biçikletë, por strukturat akoma në veprim të policisë sekrete kërkonin të më implikonin në një histori vjedhjeje të sajuar. U arratisa nga posta e policisë së Mamurrasit dhe i dërgova me ngut një letër Ramiz Alisë. Siç duket, letra e kishte kryer efektin, pasi nuk më ngacmuan më.

Çfarë figurash keni takuar në burgjet komuniste?

Në kampin e Skrofotinës, Vlorë, kam qenë në një qeli me Gjin Markun, një model të personalitetit politik dhe njerëzor. Pretendonte se ishte komunist i kulluar, por konceptet e tij politike ishin filoruse. “Shqipëria mund të mbijetojë me anë të modelit majtist të qeverisjes, vetëm nëse ndiqet modeli rus“, thoshte Gjini. Unë isha ndëshkuar, nëse mund të shprehem kështu, si “antirus”. Po në këtë burg kam takuar Halim Xhelon. “Ne, komunistët, thoshte ai, të gjithë do të hamë njëri-tjetrin dhe, i fundit, që do të ngelet, do të vrasë veten”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›