E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët shqiptarë, bursa njëlloj si italianët

Me dhjetëra të rinj, maturantë të gjimnazeve më me emër në kryeqytet, morën pjesë në një takim të zgjeruar dhe informues lidhur me mundësitë për të vijuar studimet universitare në Itali. Përfaqësues të Ambasadës Italiane, pas një serie takimesh të organizuara edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, turin e tyre informativ e kanë përmbyllur me të rinjtë kryeqytetas. Ata kanë informuar në mënyrë të detajuar për universitetet italiane që presin të rinj shqiptarë, qytetet ku ata ndodhen, mënyrat e aplikimit pranë tyre, si edhe përzgjedhja e kujdesshme që duhet bërë nga secili lidhur me programet e studimit që dëshiron të frekuentojë. Një fakt mjaft joshës për të rinjtë shqiptarë ka qenë edhe ai i trajtimit të tyre me bursa njëlloj si edhe të rinjtë italianë. Profesor Adriano Ciani, atashe për bashkëpunimin universitar, shkencor e teknologjik në Ambasadën Italiane në Tiranë, shprehet se numri i studentëve shqiptarë që kanë vajtur në Itali që nga viti 1992 e deri më sot është mbi 60 mijë. Ndërsa numri i atyre të regjistruar në këtë vit akademik, që nga viti i parë e deri në vitin e fundit, apo edhe në kurse të jashtme për periudhën 2008-2009, arrin në rreth 18 mijë. "Prej këtyre, afërsisht 12 mijë përfitojnë mbështetje financiare nga shteti italian, përmes agjencive rajonale të lidhura me arsimin", shprehet profesor Ciani. Ai ka theksuar më tej se masa mesatare e bursës është rreth 8 mijë euro në vit për secilin prej tyre, e cila mund të jetë me para në dorë, ose në formën e shërbimeve të kryera ndaj tyre. "Është një shumë e rëndësishme, e njëjtë me atë që marrin studentët italianë që e meritojnë, njësoj si ata shqiptarë", thekson më tej atasheu për bashkëpunimin universitar, shkencor e teknologjik në Ambasadën Italiane. Profesor Ciani ka theksuar se në universitetet italiane, kur një student i huaj është regjistruar në një kurs, ka të njëjtat të drejta dhe asgjë më pak me një student italian. Ai ka vlerësuar më tej edhe bashkëpunimin e deritanishëm me palën shqiptare. "Përtej bashkëpunimit universitar, ne kemi një protokoll bashkëpunimi shkencor, ku janë ndërfutur një varg i rëndësishëm projektesh, disa prej tyre kanë hyrë madje në fazën e programeve operative", shprehet Ciani.

Ai shton se "erdhëm këtu për të prezantuar sistemin italian, por me ne ishte drejtori i përgjithshëm i sistemit shkollor të Ministrisë së Arsimit, Fatmir Vejsiu, i cili me dashamirësi kërkoi të ishte me ne, sepse e di që ky bashkëpunim ka një sens unik, me një respekt reciprok, që sjell veprimin e përbashkët drejt objektivit themelor: t‘u japim një të ardhme sa më të mirë të mundshme të rinjve italianë dhe atyre shqiptarë". Profesor Ciani shpjegon se "qëllimi ynë është që të krijojmë një kapital të ri njerëzor që të jetë në lartësinë e kohës, por që edhe të dijë të çimentojë në mënyrë të qëndrueshme demokracinë, për të cilën aspirojnë të gjithë në këtë vend, ashtu si dhe në timin".

Nga ana tjetër, profesor Vito Stigliani, drejtues i zyrës së bashkëpunimit shkollor në Ambasadën Italiane në Tiranë, tregon edhe për mundësinë e vijimit të studimeve në Itali, pas përfundimit të sistemit 3-vjeçar në universitetet shqiptare. Ai e ka konsideruar këtë si një risi që është bërë e mundur falë aplikimit të sistemit të Bolonjës edhe në vendin tonë.

Profesor Stigliani ka pohuar përpara të rinjve kryeqytetas se një ndër tiparet më të rëndësishme të universiteteve italiane është ai i shpirtit kritik dhe kreativ që i formëson ata.

Në Itali funksionojnë 95 universitete, prej të cilave vetëm 55 prej tyre janë private, të tjerat janë publike. Po kështu, të rinjtë shqiptarë në këto universitete zënë 1.5 për qind të totalit të përgjithshëm të të regjistruarve, që arrin në rreth 1 milion e gjysmë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›