Fëmija vret veten me armën e babait polic
Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar dhe familjet shqiptare në përgjithësi. Një plumb i vetëdrejtuar mbi gjoks dhe i dalë nga gryka e një pistolete TT i ka marrë jetën një 14-vjeçari. Djali i një polici ka vrarë veten me armën e shërbimit të të atit, pas një grindjeje të gjatë me të ëmën. Marrëdhëniet tradicionale prind-fëmijë janë vënë në rrezik serioz. Vitet e fundit sherret mes tyre kanë përfunduar tragjikisht. Fëmijët kanë "ndëshkuar" me vdekjen e tyre prindërit, për shkak të konflikteve banale që kanë pasur me ta. Ngjarja e fundit ndodhi mbrëmjen e së hënës në Shkozet të Durrësit. Bexhet Biba, 14 vjeç, është grindur me të ëmën. Shkak është bërë vendimi i tij për të lënë shkollën dhe kundërshtimi i fortë i së ëmës. Pas grindjes me të, djali është shkëputur. Kishte marrë një vendim të tmerrshëm për jetën e vet, të prindërve, motrës, vëllait e të gjithë të tjerëve. Ka shkuar në dhomë dhe ka shkrepur armën mbi veten, duke lënë përreth gjak, vaj dhe vuajtje pafund. Një debat i rëndomtë nënë-bir për edukimin e tij dhe dëshirën për të injektuar te fëmija dashurinë e humbur për shkollën dhe rëndësinë që ka ajo për të ardhmen u shndërrua mbrëmjen e kaluar në një tragjedi. Bexheti i mitur ka marrë armën e shërbimit të babait polic, një pistoletë e tipit TT dhe ka qëlluar mbi veten. Plumbi e ka marrë në gjoks dhe si rezultat i plagës ka vdekur në vend. Ndërhyrja për ta mbajtur në jetë ka qenë e kotë. Gjithçka është mbyllur me një plumb të vetëm, gëzhoja e të cilit është gjetur mbi shtrat. Ka qenë ora rreth 18.15, kur fatkeqësia preku familjen Biba. Babai i viktimës, Beqir Biba, është punonjës policie në postën e Policisë së Golemit. Familja jeton në lagjen 14 të Durrësit, në Shkozet. Bexheti ishte fëmija i vogël i familjes. Përveç tij, çifti Biba ka edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë 20 vjeç, emigrant në Itali dhe një vajzë 17 vjeçe. Nga hetimet e para rezulton se djali, nxënës i shkollës 9-vjeçare "Hasan Koçi" të Shkozetit, kishte disa ditë që e kishte lënë shkollën dhe kishte shprehur bindjen se nuk do ta vazhdonte më. Ky vendim i ka lënë të pakënaqur prindërit, veçanërisht të ëmën, e cila është munduar ta bindë të birin, por pa rezultat. Bindja ka kaluar në grindje dhe të bërtitura, duke vënë veton që vazhdimi i arsimimit nuk duhet të vihet në diskutim, të paktën derisa Bexheti të mbaronte shkollën 9-vjeçare. Një komunikim i pafryt nënë e bir në lidhje me këtë çështje ka bërë që adoleshenti të reagojë frikshëm, duke e zgjidhur të gjithë situatën në mënyrë tragjike dhe të pakthyeshme me një plumb. Grupi hetimor që ka shkuar me të marrë njoftimin në vendin e ngjarjes ka bllokuar armën dhe gëzhojën e mbetur mbi shtrat me cilësinë e provës materiale. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm në Durrës numri i të miturve që ndërmarrin "zgjidhje" të tilla fatale, pas një komunikimi jo të shëndoshë me prindërit, apo anëtarë të tjerë të familjes. Ndër më të shpeshtat shkaqe të vetëvrasjeve mes të miturve konsiderohen marrëdhëniet problematike në familje, mungesa e komunikimit, imponimi i prindërve, dhuna, problemet në shkollë, komunikimi i mangët mes moshatarësh dhe ndjesia e izolimit. Vetëvrasja e Bexhetit 14 vjeç është e para që ndodh këtë vit, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar në Durrës nuk kanë munguar ngjarjet e rënda mes të miturish. Në shtator, një 12-vjeçar u var me rripin e pantallonave në shtëpinë e tij në Porto Romano të Durrësit. Në qershor, një 11-vjeçar u vetëvar në tualetin e shtëpisë në Sukth.