Fëmijët, 10% në shkollë pa mëngjes
ZIRINA LLAMBRO
Fëmijët shqiptarë nuk ushqehen shëndetshëm. Në atë çka konsumojnë përditë dominojnë ushqimet e thata, patatinat e të tjera produkte, që veç etiketave të bukura, pak dobi i sjellin mirërritjes. Kjo sa për mungesën e kulturës së prindërve për t’i edukuar të ushqehen siç duhet, por po kaq edhe për dëshirën e tyre për të mos u lënë gjë mangut e plotësuar çdo tekë. Nuk mund të mbetet pas faktori ekonomik, që ndikon masivisht në shumë prej familjeve shqiptare. Pas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, studimi i një grupi mjekësh italianë të komunitetit të Sant’Egidio-s, dëshmon për ditën jo të duhur ushqimore të fëmijët. Është konkluduar se 10% e tyre nuk hanë mëngjes, ndërsa 47% e tyre nisen për në shkollë me një gotë qumësht. Grupmosha e analizuar është nga 6-13 vjeç. Sipas të dhënave, ka rezultuar gjithashtu se perimet konsumohen vetëm prej 50% e fëmijëve shqiptarë. Sa për frutat jo se nuk i kanë qejf, por për shkak të gjendjes ekonomike të prindërve arrijnë t’i përdorin vetëm 13% e të vegjëlve. Por sipas rekomandimeve të OBSH-së, ky lloj ushqimi duhet t’u jepet fëmijëve në 5 racione në ditë. Drithërat rezultojnë grupi ushqimor më i konsumuar dhe, sipas konkluzionit të mjekëve italianë, janë bazë e të gjithë dietës ushqimore shqiptare, së bashku me qumështin dhe bulmetrat. Grup në risk për marrje të pamjaftueshme të ushqimit, sipas të dhënave të studimit, konsiderohen të gjithë ata fëmijë që ushqehen më pak se tri herë në ditë. Në fakt, ka rezultuar se janë jo pak, por 18.6% e tyre. Çka do të thotë se edhe sëmundjet në këtë kategori, si pasojë e imunitetit të ulët të organizmit mund të shfaqen më shpesh e në forma më të rënda. Sipas specialistëve italianë, që kanë realizuar studimin për fëmijët, ngrënia e mëngjesit ka rëndësi goxha të madhe mbi të gjitha për mirërritjen e tyre. Me të dhënat aktuale për mënyrën sesi i konsumojnë vaktet fëmijët tanë, situata nuk paraqitet fort e kënaqshme dhe pasojat në organizëm mund të jenë të shumta. “Konsumi i ushqimeve me origjinë shtazore, kryesisht qumësht dhe bulmetra, siguron sasi të mirë të proteinave dhe kalcium. Por ky konsum duhet të jetë i ekuilibruar nga një konsum disa herë më i lartë i perimeve dhe frutave”, thuhet në studim. Mjekët këshillojë gjithashtu që të rritet sensibilizimi për rëndësinë që ka kultura në të ushqyer te fëmijët. “Është e nevojshme që të theksohet dhe të insistohet për rëndësinë e konsumimit të mëngjesit nga fëmijët, por edhe të rriturit”, thuhet në studim.