E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapja e farmacive e depove, aplikimi me formularë të rinj

 

ZIRINA LLAMBRO

Rregulla të reja për të marrë licencën në sektorin farmaceutik. Në përputhje me ligjin tashmë bëhet domosdoshmëri formulari i vetëdeklarimit të subjektit. Qeveria ka miratuar tipet përkatëse për të ushtruar veprimtarinë e tregtimit me shumicë të barnave, të tregtimit në farmaci dhe agjenci farmaceutike, si dhe të import-eksportit të tyre. Nëse të dhënat që jepen nga personat që i plotësojnë janë të rreme, atëherë penalizimet do të jenë të forta. Drejtori i Qendrës kombëtare të regjistrimit të Barnave Bensik Jakaj, pohon se vetëdeklarimi vjen në kuadrin e lehtësimit të procedurave të licencimit. Ai nënvizon pas kësaj hallke, QKKB-ja kontrollon këto subjekte. “Në rast se në plotësimin e formularëve të dhënat nuk janë reale, atëherë nëse ka marrë licencën subjektit i hiqet menjëherë, duke mos e lejuar më tej për një periudhe 5-vjeçare të aplikojë për të operuar në këtë treg”, sqaron Jakaj. Në formularët përkatës, personat që do të hapin një aktivitet për tregtimin e ilaçeve duhet të nënvizojnë me Po ose Jo kushtet e vendosura. Këtu bëjnë pjesë regjistrimi në QKR, pajisja me lejen higjenosantiare, vërtetimin nga tatimet për shlyerjen e detyrimeve. Veç këtyre, vetëdeklaruesi duhet të cilësojë nëse plotëson hapësirën e vendosur për të ruajtur barnat që do të tregtojë. Kështu për tregtimin me shumicë sipërfaqja duhet të jetë 90m2 ndërsa për farmacitë 35 m2. Për këtë të fundit, distanca nga një farmaci tek tjetra duhet të jetë 100-150. Agjencitë farmaceutike duhet të kenë një hapësirë prej 15m2. Duhet të deklarohet gjithashtu nëse subjekti përmbush “Praktikën e ruajtjes së mirë të barnave” sipas ligjit në fuqi si dhe “Praktikën e shpërndarjes së mirë të barnave”. Personat që aplikojnë duhet të saktësojnë nëse janë apo jo në proces gjykimi, hetimi apo të dënuar në fushën ku kërkohet të  ushtrohet aktiviteti. “Deklaroj nën përgjegjësinë time të plotë se të gjitha të dhënat e mësipërme janë të vërteta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, është pjesa e veçantë e formularit për të cilën duhet të firmosin aplikuesit. Pak më poshtë theksohet se deklarimi i rremë, qoftë edhe i njërit prej kritereve të kërkuara, sjell përjashtimin tim nga çdo procedurë e mëtejshme për aplikimin përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›