Gërdeci si provë force
Skënder Minxhozi
Nëse kishte nevojë të jepte një provë force, opozita shqiptare, në të gjitha segmentet dhe frymëzimet e saj e dha dje këtë, duke protestuar në njëvjetorin e shpërthimit të Gërdecit. Disa ...dhjetëra-mijëra njerëz mbushën sheshet kryesore të Tiranës, në tentativën për të risjellë në vëmendjen e opinionit publik tragjizmin e një shpërthimi, që zbuloi kalbjen e shtetit dhe kapjen e tij prej korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Gjatë 365 ditëve pas Gërdecit kemi parë përpjekjet maksimale të qeverisë për të minimizuar, shpërfillur dhe tjetërsuar fajet që e lidhnin me Gërdecin dhe shpërthimin e tij. Gjatë këtij harku kohor kemi mësuar praktikisht të gjithë mekanizmin shtetëror që qëndronte pas këtij krimi, por po ashtu kemi parë sesi kryeministri, partia e tij dhe partitë e tjera aleate vazhduan t’i besojnë me kokëfortësi strategjisë së heshtjes dhe të qëndrimit pasiv, si mjete për të shuar interesin dhe zhurmën publike për këtë ngjarje të rëndë. Kjo maxhorancë vjen në këtë njëvjetor me hijen e pashmangshme të përgjegjësisë për atë që ndodhi një vit më parë. Përfaqësuesit e shtetit u shfaqën dje para kamerave, duke i larguar paraprakisht gazetarët së bashku me pyetjet e bezdisshme. Një dëshirë për ta kapërcyer sa më parë këtë datë të sikletshme është vënë re këto ditë në radhët e maxhorancës, e cila si sot një vit më parë, ndodhej në pozitën më të vështirë të imagjinueshme ndërsa ambulancat sillnin në spitalet e Tiranës të plagosurit dhe të vdekurit e një shpërthimi spektakolar korrupsioni, vetëm 18 kilometra larg qendrës së Tiranës.
Një vit më pas, vëmë re jo pa dëshpërim se shumica e djathtë reagoi në mënyrën më të padëshirueshme ndaj asaj që ndodhi. Gjatë një viti kryeministri dhe aleatët e tij s’kanë reshtur së thëni se tragjedia konsiderohet e mbyllur, ashtu siç deklaruan edhe për skandalin e ish-ministrit të Kulturës, që u tha se u zgjidh “brenda katër minutave”. Jo vetëm kaq. Berisha nuk ngurroi të përfshinte në delegacionin e tij për në Uashington, pak javë më parë, ish-ministrin e larguar Mediu, duke habitur jo pak autoritetet amerikane, ashtu si partia e zotit Mediu nuk e vuri kurrë në rendin e ditës një debat të brendshëm rreth konfirmimit ose jo të kryetarit të saj, pas asaj që ndodhi. Duke marrë kësisoj mbi vete, në mënyrë të padrejtë, edhe përgjegjësi të cilat objektivisht nuk janë, s’mund të jenë të PR, por vetëm të kreut të saj.
Maxhoranca ka bërë kuadrat rreth lidershipit të saj, duke pranuar në heshtje një fat që do të konsumohet rrezikshëm ditën e zgjedhjeve. Në asnjë moment, PD dhe ata që ndajnë qeverisjen me të, nuk mundën të flasin qartë dhe të vendosin qartë. Gërdeci u kthye, në epruvetën e politikës zyrtare, në një episod banal, në një aksident rutinë dhe në një fakt të parëndësishëm kronike. Kjo taktikë e mbytjes së skandalit, në vend të demaskimit të tij, kjo politikë me dy fytyra, që nga njëra anë dënonte ngjarjen dhe nga ata tjetër vazhdonte të mbante në gjirin e saj shkaktarët e ngjarjes do të ketë pa asnjë dyshim kosto politike. Berisha po shkon sot në zgjedhje duke mbajtur në podiumin e zgjedhjeve të ardhshme ata që tregohen me gisht për Gërdecin. Kjo s’mund të kalojë as pa u vënë re, as pa u ndëshkuar.
Dita e djeshme qe një rikonfirmim simbolik i asaj që shumë sondazhe të opinionit publik e kanë pasqyruar së fundi: pra, që çështja e pushtetit të nesërm të pas 28 qershorit duket se do të ndahet dhe vendoset mes atyre forcave politike, që sot nuk janë në qeverisje. Përtej faktit se si do ta menaxhojnë Rama, Meta, Gjinushi apo Veliaj rezultatin politik të opozitës pas mbajtjes së zgjedhjeve, sot duket qartë se edhe për shkak të Gërdecit dhe skandaleve të tjera të bujshme, që kanë plasur këto katër vjet, kjo shumicë rrezikon seriozisht të kthehet në pakicë në 28 qershor.
Politizimi i Gërdecit është një alibi bajate që ndihmon vetëm ata që duan të fshehin veten dhe përgjegjësinë e tyre pas këtij termi. Gërdeci nuk ka nevojë të politizohet, ai është sot e gjithë ditën një krim politik. Nuk ka asnjë dyshim se tragjedi të përmasave të tilla provokojnë një tërmet, që veç të tjerash është edhe politik. Nuk ka dyshim se ngjarje të tilla tronditëse, të cilat përfshijnë në mënyrë flagrante shtetin dhe rolin e funksionet e tij shkaktojnë debate, sulme dhe përplasje politike. Berisha ka luajtur në të shkuarën politikisht me shumë më pak se sa një shpërthim si ai i Gërdecit. E kjo, nëse nuk tingëllon për një çast e arsyeshme apo logjike, të paktën ngjan e shpjegueshme, për faktin e thjeshtë se në një histori të tillë eksplozive (në të gjitha kuptimet e fjalës) korrupsioni shtetëror, nuk mund të mos ketë kontestim të natyrës politike.