E Diel, 1 Nëntor 2026

Sida, për dy muaj zbulohen 5 të infektuar të rinj

 

Për dy muajt e parë të vitit janë zbuluar 5 raste të reja me Sida. Burime të sigurta nga Instituti i Shëndetit Publik pohojnë se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri është goxha më i ulët. Sipas tyre, 3 prej personave të infektuar kanë shkuar vullnetarisht për të kryer analizat në ISHP, ndërsa 2 të tjerë janë zbuluar pas ekzaminimeve, që kanë kryer në spitalin infektiv të kryeqytetit. Pa dashur të japin detaje të tjera, specialistët e ISHP pohojnë se pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj të gjithë të rritur. Me to shkon në 260 numri syrtar i të infektuarve, nga të cilët 36 kanë humbur jetën. Por mendohet që të prekurit të jenë disa herë më shumë. Të paktën këtë hipotezë e ngrenë specialistët. Në rritje ka ardhur edhe numri i fëmijëve, të cilëve virusi u është transmetuar nga nënat. Kjo është arsyeja që prej vitit të shkuar, nënat janë të detyruara që gjatë shtatzënisë të bëjnë testin përkatës që identifikon sëmundjen. Pjesa më e madhe e personave të infektuar e kanë marrë sëmundjen për shkak të marrëdhënieve seksuale të pambrojtura me shumë partnerë. Kjo është edhe arsyeja që mjekët specialistë bëjnë apel për përdorimin e kontraceptivëve. Analizat për sëmundjen e shekullit kryhen në Institutin e Shëndetit Publik dhe në spitalin infektiv të kryeqytetit. Sipas specialistëve të ISHP, vitet e fundit është rritur me 35% numri i të rinjve, që kryejnë vullnetarisht analizat e SIDA-s. Shkak për këtë rritje është bërë ndërgjegjësimi i qytetarëve për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, por edhe frika nga infektimi. Marrëdhëniet e pasigurta seksuale janë përgjegjëse në 87% të rasteve të transmetimit të virusit. Në 77 për qind, të prekurit janë heteroseksuale dhe biseksualet përbëjnë 10% të të infektuarve. Në strategjinë e luftës kundër HIV/AIDS është parashikuar paketa mjekësore për trajtimin e tyre falas, shërbim psikologjik, por asgjë s’është parashikuar për strehimin dhe punësimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›