Një vit akademik, pa Konferencën e Rektorëve
Asnjëherë nuk janë mbledhur bashkë rektorët e universiteteve për të marrë një vendim kolegjial, apo për të drejtuar një kërkesë si shoqatë. Shkak për këtë është bërë ligji për arsimin e lartë, i cili përcakton se anëtarë të Konferencës së Rektorëve duhet të jenë të gjithë drejtuesit universitarë. Këtu përfshihen edhe rektorët e universitetet private. Për herë të parë, me anë të ligjit, konferenca e rektorëve duhet të ndryshojë format, pasi më parë ajo përbëhej vetëm nga rektorët e 12 universiteteve shtetërore në vend. Drejtuesit e rinj universitarë të universiteteve publike u zgjodhën me votën e stafeve dhe studentëve në muajin janar të këtij viti. Ndërsa rektorët e universiteteve jopublike nuk kanë ndonjë rregull të veçantë zgjedhjeje, përpos vullnetit të pronarëve të tyre. Kjo është një nga arsyet që vështirëson mbledhjen e këtyre krerëve në një shoqatë të përbashkët. Ndërkohë një arsye tjetër që vjen si argument nga rektorët e universitete shtetërore është edhe fakti se ato kanë kushte ekonomike të ndryshme, si pasojë edhe mënyra funksionimi të ndryshme. Pra, kanë pak të përbashkëta universitetet publike me ato jopublike në vend, ndaj edhe nisma e rektorëve për t‘u mbledhur thuajse nuk ekziston. Mësohet se rektorët e universiteteve publike janë mbledhur disa herë me njërin-tjetrin për probleme të ndryshme. Por këto kanë qenë mbledhje me karakter shoqëror më tepër se sa institucional. Madje, ata nuk mund as edhe të nënshkruajnë bashkërisht për kërkesat. Një nga rastet ishte vendimi i Ministrisë së Arsimit për kancelarët. Për këtë çështje, rektorët u mblodhën në Universitetin e Elbasanit, nga ku kërkuan përmes medias që të mos miratohet nga Kryeministri vendimi për emërimin e kancelarëve. Ata e njohën kreun e ekzekutimit përmes gazetave dhe televizioneve me pretendimet e tyre, pa mundur të nënshkruanin një promemorie si "Konferencë Rektorësh".