E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët analfabetë "pushtojnë" rrugët dhe lokalet, punojnë për të mbajtur familjet

Prindërit shfrytëzojnë fëmijët. I lënë pa shkollë për të shitur cigare   
Fëmijë të moshës deri në 12 vjeç, të shtyrë nga prindërit e tyre kanë "pushtuar" lokalet e kryeqytetit duke shitur paketa, çakmakë, çamçakiza, facoleta etj., për të mbajtur familjen me bukë. Këta fëmijë, përdoren nga prindërit e tyre si mjet për të siguruar të ardhurat, duke i detyruar të shesin gjëra të ndryshme nëpër lokale të kryeqytetit. Kjo kategori fëmijësh, të cilët kanë braktisur shkollën fillore, shfrytëzojnë moshën dhe pafajësinë e tyre për të shitur paketa dhe çakmakë nëpër rrugët e kryeqytetit. Përgjithësisht, mosha e fëmijëve të punësua nga prindërit e tyre për të shitur cigare e gjëra të tjera, varion nga 5-12- vjeç, si mosha më e përshtatshme për të zgjuar tek qytetarët, ndjenjën e mëshirës dhe të dhembshurisë. Prindërit e këtyre fëmijëve, qëndrojnë pas tyre duke i këshilluar dhe monitoruar në aktivitetin ditorë. Ky është realiteti dhe fenomeni më shëmtuar, i cili ka prekur në mënyrë masive shoqërinë tonë. Quhem Erald Sula dhe jam 8- vjeç. Ka 2- vite që hyjë në çdo lokal dhe shes paketa çakmakë, bajame etj. Mua më shoqëron edhe mami, jo kur futem nëpër lokale, por ajo më pret jashtë dhe më këshillon se tek cilat kafe duhet të kontrolloj. Në disa raste, pronarët e lokaleve dhe kamerierët nuk më lejojnë të futem brenda, në mënyrë që të pyes klientët se kush do të blejë. Në shkollë nuk kam vajtur dhe pse tani duhet të isha në klasën e III- të, u shpreh për gazetën SOT një fëmijë, i cili mbante të tërë familjen vetëm duke shitur paketa. Gati në çdo lokal të kryeqytetit, shikohen lehtësisht dhe brenda një kohe të shkurtër, fëmijë të vegjël me kartonë në dorë, të cilët kontrollojnë çdo tavolinë duke i pyetur të pranishmit, me shpresë për të shitur ndonjë paketë. Jam Enida, akoma nuk i kam mbushur 6 vjeçe. U bënë tre muaji që shes bajame nëpër lokale. Bajamet mi përgatit mami që në shtëpi. I mbështjellë me letër dhe mi bën gati. Në mëngjes, kur dal për ti shitur, mami më pret te dera, kurse unë hyjë brenda nëpër lokale.Disa më falin lekë dhe nuk i pranojnë bajamet. Unë këtë vit duhet të kisha shkuar në klasën e parë, por babi më ka thënë se do të më çojë citin tjetër, u shpreh vajza e vogël që shiste bajame nëpër kafet e kryeqytetit. Nëna e Enidës, ashtu si prindërit e tjerë, i shmanget prononcimit për shtyp, madje arrin deri aty sa mohon identitetin e vet dhe atësinë e vajzës. Mbas romëve të vegjël, këta fëmijë të punësuar, në shoqërinë tonë janë shtresa më diskriminuar dhe e shtypur, të cilët dy vitet e fundit, fatkeqësisht  kanë ardhur duke u shtuar. Ndërkaq, jo vetëm prindërit e tyre, por edhe qeveria, me lejimin e aktivitetit të punësimit të fëmijëve, shkelin parimet morale dhe ligjore për të drejtat dhe liritë e tyre. Shfrytëzimi i fëmijëve për të siguruar të ardhurat ekonomike, bëhet nga prindër të papunë të cilët jetojnë në varfëri ekstreme pa gëzuar standardet më minimale të jetesës. Rritja e papunësisë kohët e fundit,  ka rritur në mënyrë të dukshme edhe numrin e fëmijëve, të cilët punojnë për duke shitur paketa, për të mbijetuar prindërit Deri më tani nuk ka funksionuar është asnjë lloj nisme nga instancat shtetërore, për të eliminuar këtë fenomen të shëmtuar dhe diskriminues ndaj shtresës më të pambrojtur, ndonëse janë bërë objekt shqetësimi si nga mediat ashtu dhe nga popullsia civile.   
Diskriminimi i fëmijëve dhe shkelja e të drejtave të tyre
Në kuadrin juridik, Kushtetuta e Shqipërisë përfshin një numër të konsiderueshëm dispozitash ligjore, ku parandalohet rreptësishtë punësimin dhe shfrytëzimi i fëmijëve nën moshën 18 vjeç, me qëllim përfitimi apo çfarëdolloj qëllimi tjetër. Ata gëzojnë një sërë të drejtash sociale; si strehimi, veshmbathja, shkollimi dhe ndalimi i çdo forme shfrytëzimi a dhune të ushtruar ndaj tyre. Të gjithë fëmijët kanë të drejtë e mundësimit të arsimit fillestar, kujdesit shëndetësor dhe të drejtën e mbrojtjes nga çdo lloj keqtrajtimi. Megjithatë, rrugët dhe lokalet e kryeqytetit janë mbushur me fëmijë që kanë braktisur shkollën, të cilët shfrytëzohen dhe keq përdoren nga prindërit e tyre për të mbajtur familjen me kafshatën e bukës. Meqenëse arsimi domosdoshmëria themelore për të ardhmen e njeriut dhe arsimi bazë është i detyrueshëm për të gjithë, kjo kategori fëmijësh që bredhin nëpër lokale për të nxjerrë kafshatën e gojës, e kanë humbur mundësinë e shkollimit normal, si shokët e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›