E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata, nën ethet e zgjedhjeve, por nuk paguhet

Kush thotë se viti 2009 është vit elektoral dhe nuk do të ketë shumë punë veç përfshirjes në fushatën zgjedhore, mendon gabim.

Jo vetëm në fund të vitit të kaluar, por edhe muajt e parë të vitit 2009 administrata, punonjësit në institucione shtetërore kanë qenë të zënë me punë, madje të mbingarkuar.

Pavarësisht festave të 7-8 Marsit dhe ditëve të pushimit, të parashikuara për të qenë pushim, një pjesë e punonjësve të administratës shtetërore kanë muaj e muaj që lodhen, punojnë mbi normë, punojnë shpejt, pas orëve të punës, pas orarit zyrtar e madje edhe në ditët e pushimit. Për një pjesë të punës janë dhënë edhe shpërblime, por për shumicën e kohës që punonjësit kanë kaluar në terren, mbi shkresa, mbi kompjuter edhe në orët e vona të mbrëmjes nuk kanë marrë asnjë shpërblim. Punonjësit nuk janë paguar, ashtu siç parashikon ligji nëpërmjet Kodit të Punës. Shumica e punonjësve, edhe këto ditë janë duke punuar, duke përballuar fluksin e punës dhe duke përmbushur të gjitha kërkesat, apo urdhrat e nxjerra nga punëdhënësi. Një pjesë e punonjësve edhe i kanë thyer ndonjëherë rregullat, ose janë rregulluar me njëri-tjetrin, kjo sepse edhe për ditët e shtuna ose të diela, që zyrtarisht janë pushim, janë të detyruar të qëndrojnë në krye të detyrës.

Institucionet me "ankesa" më të mëdha nga punonjësit janë njësitë bashkiake. Në Tiranë janë plot 11 njësi bashkiake. Një pjesë e mirë e punonjësve, në çdonjërën nga këto kanë qëndruar në punë me orare të tejzgjatura. Kjo, si pasojë e mbingarkesës së punës për sa u takon masave dhe detyrave paraprake për procesin zgjedhor, si regjistrimi i popullatës, sqarimi i qytetarëve, pajisjen me kartat e identitetit, dokumentacion që kërkohet orar e pa orar. Në listën e gjatë të punonjësve, të cilët po punojnë me mish e me shpirt për të përmbushur në kohë të gjitha kërkesat që i lipsen procesit zgjedhor, veç administratës së njësive bashkiake renditen edhe punonjësit e Hipotekës, apo Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve janë "kolegë" dhe bashkëvuajtës të të njëjtit problem. Punë mbi normë, orë jashtë orarit, në krye të detyrës edhe në ditët zyrtare të pushimit, e shtunë dhe e diel. Fluks qytetarësh, normë për të përballuar ngarkesë mbi normalen. Kjo, për të realizuar punën që lipset për sa u takon legalizimeve, procesit zgjedhor, por edhe dhënies së dokumentacionit përkatës për nevojat e ndryshme të qytetarëve, që tashmë janë të kondicionuar për të përmbushur detyrimet që shteti ka vendosur në mënyrë që të vazhdojnë rregullisht procesin e pagesës, dhënies së provimeve, apo kushte të tjera si këto.

"Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive, ose në kontratën individuale të

punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës", thotë Kodi i Punës. Sipas nenit 87 të Kodit, puna e kryer ditën e pushimit javor, ose në ditët e festave zyrtare, kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 për qind, ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer, plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj

pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj.

Kodi i Punës

*Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive, ose në kontratën individuale të

punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës

*Kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë. Ajo përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive, ose në kontratën individuale të

punës

*Puna e kryer ditën e pushimit javor, ose në ditët e festave zyrtare kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 për qind, ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer, plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune që merret një javë para ose pas kryerjes së saj

*Numri maksimal i orëve shtesë përcaktohet në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës

*Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore, kur punëmarrësi ka kryer 50 orë pune në javë

*Këshilli i Ministrave vendos rregulla të veçanta për kryerjen e orëve shtesë për punët që janë veçanërisht të vështira, ose të dëmshme për shëndetin

*Me autorizimin e Inspektoratit të Punës, numri maksimal i orëve shtesë mund të tejkalohet në rastet e forcës madhore, ose të punëve urgjente në dobi të popullsisë

Legjislacioni social

Orët shtesë në punë,

sipas legjislacionit

Sipas Kodit të Punës, ku janë të parashikuara masa dhe mënyra e kompensimit të punonjësve të administratës, në rast se punojnë jashtë orarit zyrtar. Punëdhënësi, për orët shtesë të punës që nuk janë kompensuar me pushim, duhet t‘i paguajë punëmarrësit pagën normale dhe një shtesë jo më pak se 25 për qind të saj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Punëdhënësi, në marrëveshje me punëmarrësin, mund të kompensojë orët shtesë të punës, me një pushim të paktën 25 për qind më të madh, që i korrespondon kohëzgjatjes

së orëve shtesë dhe që jepet brenda 2 muajve nga dita e kryerjes së punës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Orët shtesë të punës, të kryera gjatë pushimit javor, ose në ditët e festave zyrtare, kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 për qind më të madhe se orët shtesë të bëra, ose paga normale, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive.

Kodi i Punës parashikon numrin maksimal të orëve shtesë, të cilat përcaktohen në kontratën kolektive, ose kontratën

individuale të punës. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore, kur punëmarrësi ka kryer 50 orë pune në javë.

Me orë shtesë kuptohet çdo orë pune e kryer mbi kohëzgjatjen ditore normale ose javore maksimale të punës. Quhet orë shtesë, çdo orë pune e kryer mbi orarin normal të punëmarrësit që punon me kohë të pjesshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›