Prokuroria e Përgjithshme kërkon imunitetin e deputetit të LSI
Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar dje heqjen e imunitetit të deputetit të LSI, Nikollaq Neranxi. Kjo, pasi ky i fundit dyshohet se ka kaluar mallra kontrabandë pa paguar doganën. Sipas burimeve të prokurorisë, dëmi që Neranxi i ka shkaktuar shtetit kap shifrën e 136 milionëve lekë të vjetra. Për këtë arsye, nëse parlamenti do t’i heqë imunitetin, Nikollaq Neranxi do të procedohet penalisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Burimet e mësipërme thanë se hetimet për deputetin e LSI nisën pas kallëzimit për kontrabandë të bërë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në fakt, kalimi i mallrave në doganë pa i deklaruar, u zbulua fillimisht nga Drejtoria e Tatimeve, të cilat i referohen vitit 2004-2005. Por, hetimet për të nisën vetëm gjatë janarit të këtij viti, pas kërkesës së bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pas hetimeve të kryera, prokuroria ka arritur në përfundimin se deputetit i LSI ka kryer evazion fiskal dhe shuma e dëmit që ai i ka shkaktuar shtetit shqiptar mendohet të jetë 136 milionë lekë të vjetra. Shkresa e prokurorisë, e firmosur nga vetë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, është dërguar dje në Kuvend, ndërkohë që tashmë pritet vendimi i këtij të fundit në lidhje me heqjen ose jo të imunitetit të Neranxit. Deputeti i LSI është pronar i një firme private në fushën e lëndëve ushqimore, e njohur me mbiemrin e tij. Kërkesa e heqjes për imunitet nga Prokuroria e Përgjithshme është e pesta për këtë legjislaturë, për motive nga më të ndryshmet. Pas kërkesës së heqjes së imunitetit për Lulzim Bashën, Fatmir Mediun dhe dy deputetë të tjerë, Hajrulla Paturri dhe Andis Harasani, dje organi i akuzës ka kërkuar heqjen e imunitetit edhe të Nikollaq Neranxit. Për deputetët Paturri dhe Harasani çështjet janë mbyllur, pasi nuk ka patur objekt hetimi. Ndërkohë, deputeti dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pritet të përballet me Gjykatën e Lartë për dosjen e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të përballet në muajt pasardhës, po në Gjykatën e Lartë, si i pandehur në çështjen e Gërdecit.
Neranxi: Po goditem, sepse kam denoncuar rrjetin e evazionit fiskal të Ridvan Bodes
Deputeti Nikollaq Neranxi tha dje se prokuroria po vepron politikisht.
Neranxi tha se ai po goditet për shkak të aktivitetit të tij opozitar në politikë.
“Gjatë këtyre katër vjetëve, që në momentin kur kam kryer lëvizjen time politike prej opozitari të kalimit nga një forcë politike pjesëtare e koalicionit qeverisës, ka startuar edhe ideimi dhe nisja e hetimit politiko-doganor ndaj biznesit tim. Publiku e mban mend mirë se pak muaj pas kalimit tim si deputet i opozitës, mbi kompaninë e familjes sime vërshuan gjoba dhe penalitete arbitrare financiare.
Ndërkohë, që në këtë kohë prej doganierëve dhe segmenteve të porositura ka nisur hetimi i veprimtarisë së biznesit të kompanisë së familjes sime”, - thuhet në deklaratën e Neranxit.
“Kjo është një luftë politike, e cila tenton të përkthehet edhe si kosto financiare për biznesin e familjes sime. Kjo akuzë vjen në kohën kur unë me fakte, dokumente, lëvizje dhe sinqeritet politik kam denoncuar korrupsionin e qeverisë, i cili, jo vetëm ka varfëruar qytetarët e këtij vendi, por ka sakatuar edhe biznesin shqiptar në tërësi. Unë kam denoncuar vjedhjet e pronave dhe tokave në Shqipëri dhe në veçanti në vendlindjen time, Himarë, unë kam denoncuar skemat e evazionit fiskal të aplikuara nga rrjeti nepotik i Ridvan Bodes, unë kam kontribuar në vise të ndryshme të vendit për përkrahjen e të varfërve dhe të vobektëve të kësaj shoqërie”, - thekson Neranxi.
Sipas tij, kërkesa për imunitetin është e panevojshme, sepse ai vetë është shprehur i gatshëm për të dorëzuar imunitetin.
“Prej disa kohësh jam vënë në dijeni nga persona, të cilët janë thirrur në Prokurorinë e Tiranës për t’u pyetur në lidhje me të ashtuquajturën kontrabandë të zhvilluar në vitet 2001-2004, nga persona dhe automjete të kompanisë së biznesit që drejtohej prej babait tim të ndjerë. Pas këtij informacioni, në datën 2 mars 2009, i kam kërkuar takim prokurorit të ngarkuar me këtë çështje, i cili gjatë seancave të pyetjes me persona të ndryshëm, ka insistuar të nxjerrë lidhje dhe implikim të personit tim me këtë hetim të iniciuar prej tij dhe njerëzve të komanduar të doganave.
Në datën 11 mars 2009, me kërkesën me numër protokolli 305, i jam drejtuar me shkrim Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama, e cila më është përgjigjur në datën 12/03/2009, në të cilën më bëhet dijeni se takimi mund të zhvillohet te prokurori Arben Kraja, në datën 26 mars 2009.
Ndërkohë sot (dje), parlamentit të Shqipërisë i është paraqitur kërkesa për heqjen e imunitetit tim. Kërkesa procedurale e prokurorisë duket se është formale, pasi personalisht kam shprehur zyrtarisht gatishmërinë për t’u vënë në dispozicion të prokurorisë për pyetje”, - tha Neranxi.