Fëmijët e Shkodrës: Respektoni të drejtat tona
Përvjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve
SHKODËR - Aktivitetet e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Shkodrës me rastin e 20 nëntorit, 20-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, janë mbyllur të premten me një manifestim të nxënësve në lulishten në qendër të qytetit dhe një aktivitet festiv të organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale Shkodër.
Nxënës të shkollave 9-vjeçare, qeveritë e nxënësve me parulla në duar janë mbledhur tek lulishtja në qendër të qytetit ku dhe është lexuar letra e hapur që ata i kanë drejtuar mësuesve, prindërve dhe organeve të vendimarrjes dhe ku kërkojnë më shumë kujdes e vëmendje ndaj fëmijëve, respektim të të drejtave të tyre. Aktiviteti ka pasur një pjesëmarrje të gjerë të fëmijëve të shkollave 9-vjeçare, ndërsa kanë qenë të pranishëm dhe shumë prindër, mësues e qytetarë të Shkodrës.
Përmirësimi i jetës së tyre, zbatimi i detyrave që të rriturit kanë ndaj fëmijëve, dëgjimi i zërit të tyre për probleme që lidhen me to, liria e mendimit, ndalimi i dhunës fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve, mosabuzimi dhe privimi i tyre nga të drejtat që kanë në konventën përkatëse duke i detyruar të braktisin shkollën dhe punojnë, shtimi i mjediseve të gjelbra e parqeve të lojërave për fëmijët, kanë qenë disa nga kërkesat që kjo kategori i ka drejtuar shtetarëve, politikanëve, drejtuesve vendorë, prindërve e mësuesve.