E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitjet, objektet e kultit në shënjestër

GJIROKASTËR- Dhunimi dhe grabitja e pjesëve të ikonostasit dy shekullor në kishën e Leusës nuk përbën rastin e parë të këtyre akteve, dhe as të fundit.


Qysh prej rihapjes së objekteve të kultit, në qarkun e Gjirokastrës janë regjistruar dhjetëra grabitje, ndërsa përfaqësues të tyre deklarojnë se këto objekte janë tërësisht të pambrojtura. Në të njëjtin status ndodhen edhe monumentet e kulturës.


Ikona të vjetra me vlera të papërsëritshme, pjesë të ikonostaseve, kryesisht të trafikuara jashtë Shqipërisë e shuma të hollash janë "më të preferuarat" për grabitësit, ndërsa rastet e vjedhjeve të objekteve të besimit të krishterë apo atij islam janë të shumta.


Pavarësisht se shpeshherë, drejtues fetarë e kanë ngritur këtë shqetësim, grabitjet vazhdojnë. Kisha e Kryeëngjëjve në qytetin e Gjirokastrës është grabitur rreth 15 herë gjatë viteve të fundit.


At Theodhori Nikolla shprehet se kishat janë të kërcënuara prej keqbërësve. "Ne nuk e kemi pasur të lehtë të ngremë besimin, pavarësisht se themelet ekzistonin, por veç vështirësive tona në realizimin e shërbesave dhe mistereve dhe mungesës së një shkolle teologjike gjatë viteve të komunizmit, kemi qenë gjithmonë të kërcënuar.


Disa herë na është hapur porta me thyerje. Në kishën e Kryeëngjëjve, objekti kryesor i vjedhjes kanë qenë monedhat e arkës, duke qenë se këtu nuk kemi vlera të trashëgimisë kulturore, pasi ikonostasi dhe ikonat janë të reja.


Kemi problem kishat e vjetra të fshatrave, si kisha e Saraqinishtës, ku janë vjedhur ikona të vjetra dhe pjesë të ikonostasit; objekt sulmi ka qenë kisha e Labovës së Kryqit që është me vlera të jashtëzakonshme, është grabitur ikona e Shën Mërisë, simbolika e Sopikut dhe druhemi",- shprehet At Theodhori.


Ndërkaq, 7 persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje si të dyshuar për grabitjen e ndodhur dy ditë më parë në kishën e Leusës
Por, jo vetëm objektet e kultit janë të ekspozuara përballë rrezikut të grabitjes nga persona të papërgjegjshëm.


Komplekset muzealë të braktisur, pikat arkeologjike që janë me dhjetëra në Luginën e Drinos janë gjithashtu të kërcënuar. Arkeologë dhe specialistë të monumenteve të kulturës e kanë ngritur shpeshherë këtë shqetësim, por për shkak të kostos së lartë financiare, e cila është e papërballueshme nuk është e mundur që të vendosen roja në këto pika.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›