E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtohen nga ndihma sociale 35 vetë

GJIROKASTËR- U ofrohen vende pune, por i refuzojnë, duke bërë kështu që të vendoset nxjerrja e tyre nga skema e ndihmës sociale. Rreth 35 vetë në Gjirokastër do të largohen nga lista emërore e përkrahjes ekonomike.


Zyra Rajonale e Punësimit është duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për t'i nxjerrë nga kjo listë këta punëkërkues të papunë, të cilët pavarësisht faktit se u është ofruar punësim, nuk kanë pranuar.


Në bazë të marrëveshjeve që ky institucion ka lidhur me bizneset e zonës, mjaft prej këtyre të fundit kanë pasur nevojë për fuqi punëtore dhe kanë shpallur vende të lira pune, por shumë pak persona kanë preferuar.


"Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat tona ka ardhur në ulje të vazhdueshme gjatë kohëve të fundit, por është për t'u shqetësuar fakti se shumë biznese kërkojnë të punësojnë njerëz të profesioneve të ndryshme, të moshave të ndryshme dhe për fat të keq pjesa më e madhe e punëkërkuesve të papunë nuk pranojnë, me pretekste nga më absurdet. Kështu që, pasi t'i kemi lajmëruar 2-3 herë këta punëkërkues të papunë, ne jemi të detyruar të marrim masa që t'u ndërpritet ndihma ekonomike.


Kemi përgatitur një listë prej 35 vetash që janë njoftuar disa herë për vende të lira pune, por që nuk kanë pranuar të punësohen dhe vazhdojnë të trajtohen me ndihmë ekonomike",- është shprehur drejtori rajonal i punësimit, Adriatik Islami. Shifrat zyrtare tregojnë se në Gjirokastër gjatë këtij viti papunësia është ulur me 3 për qind.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›