I merr 100 mijë lekë rojës së karburantit, arrestohet
FIER - Grabitet punonjësi i shërbimit të një pike karburanti në Levan të Fierit. Mësohet se autorët e kësaj grabitjeje kanë përdorur armë zjarri në momentin kur kanë kërcënuar rojen me qëllim për t'i marrë paratë.
Pas këtij kërcënimi, ata i kanë marë rreth 100 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së premtes në rrugën nacionale, rreth 7 kilometra larg qytetit të Fierit. Një nga punonjësit e këtij karburanti, Agron Nonaj, tregon se si ka ndodhur ngjarja.
Sipas tij, rreth orës 00:30, një mjet me targa të Vlorës ka qëndruar pranë pikës së karburantit për t'u furnizuar. Roja i shërbimit Osman Shara është afruar pranë tyre. Sipas Agronit, ata ishin tre vetë dhe në momentin që i janë afruar rojës nuk ishin të maskuar.
Fillimisht ata kanë furnizuar makinën dhe më pas papritur njëri prej tyre ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe me këtë ka kërcënuar rojën që t'i jepte paratë e më pas i ka marrë rreth 100 mijë lekë. Roja fillimisht ka kundërshtuar, por njëri prej tyre ka qëlluar në ajër. Më pas kanë hipur në automjet dhe janë larguar.
Pak më shumë se 14 orë pas grabitjes me armë, policia e Fierit ka mundur të identifikojë edhe autorët, ndërsa ka arrestuar njërin prej tyre. Autorët e grabitjes janë identifikuar në sajë të operacionit "Mesnata". Ata janë Arben Petrit Braho, Benard Muço dhe Ilir Metushi. 23-vjeçari Braho është prangosur, ndërkohë që dy të tjerët janë shpallur në kërkim.
Të tre janë banorë të Vlorës. Shtetasve të mësipërm gjatë kontrollit në banesat e tyre iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura, si dhe automjeti tip "Reno Klio" me targë VL 8301 C, me të cilin u larguan nga vendi i ngjarjes. Ata akuzohen për vjedhje me armë në bashkëpunim.