E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët u vënë nota pedagogëve

RISIA/ Në fund të semestrit të pare, studentët do të plotësojnë një pyetësor ku do të vlerësojnë pedagogët

Sipas rektorit Kule, vlerësimi bëhet me qëllim krijimin e të gjitha kushteve për studentët


TIRANË - Të gjithë studentët do të kenë mundësinë të testojnë pedagogët dhe modulet e tyre mësimore. Lajmin e bëri të ditur dje rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, gjatë një takimi të organizuar me rastin e Javës Ndërkombëtare të Arsimit. Sipas rektorit Kule, studentët janë në qendër të universitetit dhe për këtë arsye strukturat drejtuese të tij duhet të angazhohen për krijimin e të gjitha kushteve të përshtatshme për ta.


Prof.dr.Dhori Kule tha se do të jenë vetë studentët ata që do të vlerësojnë pedagogët e tyre dhe modulet mësimore në fund të çdo semestri. Kjo do të jetë mënyra më e mirë për të mundësuar reagimin e studentëve ndaj dijeve që marrin. Për të realizuar këtë testim, do të merren për bazë modelet e suksesshme anglosaksone dhe të Evropës Kontinentale.


"Në fund të semestrit të parë të këtij viti akademik, në të gjitha lëndët e të gjitha departamenteve të Universitetit të Tiranës, studentët do të plotësojnë një pyetësor dhe do të vlerësojnë pedagogët dhe modulet. Ne dëshirojmë që me këtë risi, edhe ato elemente të sistemit lindor që kanë mbetur në sistemin tonë arsimor, të zhduken dhe të përmirësohen", u shpreh Kule.


Në këtë takim ishte e pranishme edhe zëvendësambasadorja amerikane në Tiranë, Debora Xhons (Deborah Jones), e cila vlerësoi ndryshimet e bëra në sistemin arsimor shqiptar. Ajo vuri theksin në nevojën e bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe institucioneve arsimore në mbarë botën, bashkëpunim ky që është edhe motivi i Javës Ndërkombëtare të Arsimit, sipas Xhons.


"Një fjalë kyçe në sistemin tonë të edukimit është shkëmbimi, qoftë i ideve, informacionit apo njerëzve",- u shpreh ajo gjatë takimit. Xhons gjithashtu informoi të pranishmit mbi bursat, mënyrat e aplikimit dhe kriteret e vendosura, të përcaktuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet ambasadës në Tiranë.


Java Ndërkombëtare e Arsimit është një nismë e qeverisë amerikane, përkatësisht e Departamentit të Arsimit dhe Departamentit të Shtetit, për të bërë të mundur zhvillimin e arsimit në rang botëror. Ajo festohet në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe në më shumë se 100 vende të tjera të botës, me ndihmën e SHBA-së.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›