E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fëmijët e dinë që Shqipja është në punë”

• Prej 21 ditësh Dilaver Alhasa vazhdon të kërkojë mes gërmadhave të ish-fabrikës së Gërdecit, trupin e bashkëshortes së tij, Shqipe Alhasa.

Dashamir Biçaku

Ajo është e vetmja që ndodhej aty dhe nuk është gjetur pas ngjarjes që rrafshoi ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Vëllai i Dilaverit, daja i Shqipes dhe të afërm të tjerë shoqërojnë bashkëshortin e të zhdukurës në kërkimet për tri javë pas shpërthimit të 15 marsit. Nuk ka lënë asnjë pëllëmbë sipërfaqe pa kërkuar për trupin e Shqipes, ndërsa në sy i duket dëshpërimi prej faktit se ende nuk di çfarë ka ndodhur me bashkëshorten e tij. Bashkëshorti dhe të afërmit e Shqipe Alhasës nuk kanë munguar asnjë ditë në kërkimet që janë bërë në terren, ndërsa janë shoqëruar nga efektivët e njësisë së Asgjësimit të Minave dhe Municioneve luftarake e forcat xheniere. Edhe ata po ashtu si pjesëtarët e familjes Alhasa, çdo ditë nga mëngjesi në mbrëmje rrëmojnë mes gërmadhave për t'iu dhënë qetësinë e vetme që mund t'iu ketë mbetur të afërmve të gruas së zhdukur. Çdo ditë kanë qëndruar me shpresën dhe ankthin se kur do të gjendet trupi i Shqipes. "Të kemi një varr ku të qajnë fëmijët, ku ta qajmë të gjithë", thotë Dilaveri. Dy fëmijët e Shqipe Alhasës, djali 5 vjeç, Gesti dhe vajza 3 vjeçe, Denisa, nuk e dinë se ç'mund t'i ketë ndodhur nënës së tyre. Por çdo ditë ata e kërkojnë dhe çdo ditë dëgjojnë justifikimin se: mami është në punë, vonohet, por do të vijë. Pak më tej në Gërdec, qëndron vëllai i Dilaverit, daja i Shqipes dhe të afërm të tjerë, ndërsa në duar mbajnë lopatat. Sapo skrepi ngjyrë ulliri i Ushtrisë ngul kovën mes dheut e predhave që janë të ngulura në të, ata vrapojnë me lopatë për të hequr apo pastruar dheun, pa e marrë parasysh rrezikun që mund t`iu kanoset prej predhave të paplasura. "Ajo punonte në brendësi të ish-fabrikës në larjen e predhave, javën e fundit të punës. Në të njëjtin vend me të kishte punuar nusja e vëllait tim dhe motra ime, thotë Dilaver Alhasa. Më tej ai shton se ditën e shpërthimit erdhëm me furgon deri tek ura në autostradë. Ishte motra dhe nusja e vëllait. Zbritën atje dhe u nisën në këmbë për në fabrikë". Bashkëshorti i Shqipes tha se kishte dëgjuar për shpërthimin kur kishte qenë në punë dhe ishte nisur menjëherë për në repart. "Që prej asaj dite kam shkuar në shtëpi vetëm për të fjetur, asgjë më tepër", vijon bashkëshorti i Shqipe Alhasës. Në dorë mban një copë letër të bardhë. Në të janë vizatuar disa rrathë që ndërthuren me njëri-tjetrin, mes tyre ca disa viza që duan të japin imazhin e një ndërtese imagjinare. "Ja këtu ka qenë fabrika, tregon në letër Dilaver Alhasa, ndërsa vë gishtin mbi një gërmadhë elementesh hekuri, ku dikur ishte vendosur makineria e çmontimit. "Këta rrathët janë gropat e hapura nga shpërthimet, këto këtu janë godinat që kanë qenë përpara shpërthimit", sqaron Dilaveri skicën që ka bërë vetë me qëllim saktësimin e vendit ku mund të ketë qenë gruaja e tij në momentin fatal. Ora shënon 14:30 dhe njerëzit e afërt të Shqipes ulen të pushojnë pak në një cep rruge. Duan të pushojnë për pak kohë, pasi do të nisin sërish kërkimin. S'dihet sa do të zgjasë, ndërsa ata çdo ditë vijnë me shpresën se do ta gjejnë dhe së paku do të ndihen paksa më të qetë".

Larg fëmijëve

Një porosi e veçantë e uniformave të Ushtrisë, ka qenë për prindërit që janë kthyer në shtëpitë e tyre bashkë me familjet dhe fëmijët e tyre. "Këshilloni fëmijët tuaj, të mos i prekin dhe të mos luajnë me to", thuhet në një faqe të fletëpalosjes së shpërndarë për banorët. Një numër i posaçëm telefoni, 04 228 250 është vënë në dispozicion të banorëve për të lajmëruar në çdo moment nëse gjejnë predha apo elementë të rrezikshëm. Gjithashtu ata mund të lajmërojnë edhe në numrin 129 të policisë, që është pa pagesë.

21 dite
kanë pjesëtarët e familjes së Shqipe Alhasës nga fshati Picar i Tiranës, që kryejnë kërkime me shpresën për të gjetur trupin e Shqipe Alhasës

32 efektive
të njësisë së Asgjësimit të Minave dhe Municioneve luftarake, janë angazhuar në kërkimin e trupit të Shqipe Alhasës, veç familjes së saj

Rreziku nga predhat e paplasura, ushtria shpërndan fletëpalosje
TIRANE- "Municionet e paplasura vrasin dhe shkatërrojnë gjithçka. Mos prek asgjë". Ky është mesazhi që kanë përcjellë efektivët e njësisë së Asgjësimit të Municioneve (AMAE) përmes një fletëpalosjeje të shpërndarë për banorët e Gërdecit. Efektivat e ushtrisë që punojnë në fshat për pastrimin e zonës kanë menduar edhe për sigurinë e banorëve të zonës. I gjithë informacioni është përmbledhur në një fletëpalosje, në të cilat janë vendosur foto të predhave të kalibrave të ndryshëm të paplasura, që janë mbledhur, por që gjenden akoma në territorin e fshatit Gërdec. Komandanti i operacionit në këtë zonë, Nezir Marku, pohon se fletëpalosja është përgatitur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe njësia e AMAE-së. Fletëpalosjet janë shpërndarë në të gjitha shtëpitë dhe banesat ku janë gjetur njerëz, sipas tij. Më tej ai tregon se në të tregohen të gjithë elementët e rrezikshëm që përmbante municioni që ndodhej dhe që është gjetur pas shpërthimit në ish-brigadën e tankeve të kthyer në fabrikë çmontimi. Në fletët e shpërndara jepen foto të ndryshme nga operacionet e çminimit të zonës nga efektivët e ushtrisë. Në fletëpalosje thuhet se asnjë nuk duhet t'i prekë ato, veç njerëzve të autorizuar për këtë detyrë. Ekspertët dhe personeli ushtarak duhet të njoftohet në çdo moment prej banorëve të zonës që gjejnë municione. Ata kanë dhe njohuritë dhe aftësitë e nevojshme që kërkohen për të larguar rrezikun që ato paraqesin. Municionet që gjenden në tokë dhe që nuk kanë shenjat e vendosura nga efektivët e ushtrisë nuk duhet të preken, por po ashtu edhe ato që kanë shenja nuk duhet të preken. Banorët janë këshilluar që të mos mbajnë municione në banesë, ose të mos i prekin ato pa qenë më parë të pranishëm efektivë të ushtrisë që do t'i heqin.

pnud
Kombet e Bashkuara në Shqipëri në bashkëpunim me partnerët e tjerë ndërkombëtarë janë duke mbështetur Qeverinë dhe komunitetet e infektuara nga minat për të deklaruar Shqipërinë të pastër nga minat brenda vitit 2010, në mënyrë që individët dhe komuniteti të mund të jetojnë në një mjedis të sigurt. Ndotje me mina tokësore në Shqipëri rrjedh nga konflikti i Kosovës i vitit 1999, ku një sipërfaqe prej 15,250,000 m² ishte e kontaminuar përgjatë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi. Si rrjedhojë, kanë ndodhur 210 aksidente me mina dhe 34 persona kanë vdekur e 236 janë plagosur
ndër vite në veri-lindje të Shqipërisë.

Prokuroria: SAC iku nga Gërdeci në dhjetor 2007

TIRANE - Kompania amerikane e demontimit të fishekëve SAC është larguar nga Gërdeci që në muajin dhjetor 2007. Një fakt i tillë konfirmohet jo vetëm nga deklaratat e përfaqësuesit të kompanisë, por edhe nga të dhënat e gjetura prej Prokurorisë gjatë hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Sipas hetuesve mësohet se që në muajin dhjetor 2007, pasi kishte përfunduar kontratën e parë me ndërmarrjen MEICO, shoqëria amerikane SAC kishte paketuar pajisjet e saj që ishin përdorur për çmontimin dhe ishte në pritje për t'i transportuar ato nga Shqipëria. Në këtë mënyrë, bëhet edhe më e paqartë se si kompania SAC në ikje ka nënshkruar një kontratë të dytë me ndërmarrjen MEICO për çmontim predhash që pritej të zgjaste disa muaj. Mirëpo gjithçka është bërë e qartë vetëm tri ditë pasi SAC kishte nënshkruar me ndërmarrjen MEICO. Më 31 dhjetor 2007, shoqëria amerikane SAC i kalon të gjitha të drejtat firmës "Alba Demil" në pronësi të Mihal Delijorgjit, duke u tërhequr nga çdo aktivitet që kishte kryer më parë në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec të Vorës.                 t.s

“Delijorgji mori repartin e tankeve para kontratës”

Kompania "Alba Demil" e biznesmenit Mihal Delijorgji ka marrë në dorëzim ish-repartin e tankeve në Gërdec para se të nënshkruante kontratën për demontimin e predhave.

Trazhgim Sokolaj

Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, mund të ketë paracaktuar kompaninë e Mihal Delijorgjit si subjektin që do të merrej me çmontimin e municioneve në Gërdec të Vorës. Një fakt i tillë konfirmohet nga dokumentet e sekuestruara prej grupit hetimor. Ato bëjnë të qartë faktin se kompania e Mihal Delijorgjit ka marrë në dorëzim ish-repartin e tankeve ku u ngrit fabrika e tragjedisë, rreth dy muaj para se të nënshkruante kontratën zyrtare për demontimin e predhave të artilerisë së rëndë. Sipas dokumenteve të bllokuara nga Prokuroria, ish-reparti ushtarak i tankeve i është dorëzuar kompanisë "Alba Demil" të Delijorgjit, më 25 tetor 2007. Në këtë kohë, një urdhër i Ministrisë së Mbrojtjes e kishte nxjerrë ish-repartin e tankeve nga inventari dhe kompetenca e ushtrisë, duke i kaluar të gjitha të drejtat ndërmarrjes MEICO si për pronësinë, ashtu edhe për ruajtjen dhe administrimin. Dokumentet tregojnë se, pavarësisht marrjes në dorëzim të repartit në ditët e fundit të tetorit 2007, firma "Alba Demil" ishte kontraktuar nga kompania amerikane SAC, për demontimin e predhave vetëm dy muaj më vonë, më 28 dhjetor 2007. Kjo fazë prej gati dy muajsh, dyshohet se i ka shërbyer firmës "Alba Demil" për të përgatitur kushtet në fabrikën e çmontimit, e cila u ngrit në ish-repartin ushtarak, në mënyrë që menjëherë pasi të nënshkruante kontratën të mos humbiste kohë, por të fillonte procesin e demontimit të predhave të artilerisë së rëndë për nxjerrje skrapi. Favorizimi i kompanisë në pronësi të Mihal Delijorgjit, duke i dhënë ambientet dy muaj para se të fillonte punën, lë vend për dyshime se kompania "Alba Demil" ishte toleruar nga MEICO edhe në drejtim të kontrollit për zbatimin e kushteve të sigurisë gjatë procesit të çmontimit të predhave luftarake.  
Çmontimi
Në përfundim të kontratës së parë për çmontimin e fishekëve të kalibrit të vogël, ndërmarrja MEICO ka nënshkruar një kontratë të dytë me kompaninë amerikane SAC. Palët kanë nënshkruar më 28 dhjetor 2007, kontratën nr. 2 mes ndërmarrjes MEICO dhe shoqërisë "Southern Ammunition Company", SAC. Ky subjekt përfaqësohej nga amerikani Patrick C. Henry III, i cili vetëm tri ditë pasi nënshkroi kontratën me ndërmarrjen MEICO futi në lojë kompaninë e Mihal Delijorgjit, duke i kaluar asaj të drejtat e pronësisë mbi municionet. Pak ditë më parë Patrick C. Henry III ka deklaruar publikisht se ka qenë ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, ai që i kishte kërkuar të punonte me Mihal Delijorgjin. Kontrata që Patrick C. Henry III nënshkroi me ndërmarrjen MEICO në fund të dhjetorit 2007 kishte objekt shitjen e një sasie municioni për çmontim. Pasi kishte nënshkruar kontratën me ndërmarrjen MEICO, shoqëria amerikane SAC, më 31 dhjetor 2007 ka nënshkruar kontratën tjetër me nr. 9985. me shoqërinë "Alba Demil" e përfaqësuar nga Mihal Delijorgji. Sipas kontratës, kompania amerikane SAC ishte shitësi, kurse firma në pronësi të Delijorgjit ishte blerësi. Firma e Delijorgjit mori kështu të gjitha të drejtat për municionin që shiste MEICO pa nënshkruar kontratë të drejtpërdrejtë me këtë ndërmarrje shtetërore.

Prokuroria: Tri pista për shpërthimin

Një grup ekspertësh e hetuesish të Prokurorisë ka vijuar dje në Gërdec kqyrjen dhe verifikimin e vendit ku ndodhi shpërthimi, aty ku më parë ndodhej firma e Mihal Delijorgjit. Grupi i hetimit ka vijuar mbledhjen e mostrave të ndryshme nga mbetjet e predhave dhe ka zhvilluar disa eksperimente lidhur me saktësimin e shkakut të shpërthimit që shkaktoi tragjedinë. Deri më tani për këtë moment po hetohen tri pista: mundësia që shpërthimi të jetë shkaktuar nga predha të vjetra, ekzistenca e një gabimi njerëzor dhe mundësia e një akti të qëllimshëm kriminal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›