E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superburgu, arratisen të dënuarit përjetë

• Dy të dënuar me burg të përjetshëm kanë arritur të kapërcejnë burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, pa u shqetësuar nga asnjë roje e tij.

BURREL / ENVER DOÇI

Shokët e qelisë, Preng Lleshi e Fran Marashi kanë vepruar të qetë, deri në momentin kur policia e qytetit është ngritur në këmbë, duke bërë arrestimin e tyre vetëm 30 minuta më vonë. Shpejtësia e operacionit të prangosjes së dy të arratisurve ka shmangur dhe skandalin e burgut, pasi dy protagonistët i kishin marrë masat. Dy celularë dhe një bllok me numra telefoni u janë bllokuar në momentet e arrestimit, në një shpellë në dalje të qytetit. Por, ndërsa do të kryenin telefonatat e para, më të shpejtë janë treguar forcat e policisë, duke i rikthyer sërish në qeli.
Ngjarja
Nga hetimi i ngjarjes ka rezultuar se arratisja është kryer brenda pak sekondash nga dy të dënuarit. Rreth orës 16:30, të dënuarit Preng Lleshi dhe Fran Marashi kanë arritur të presin me një sharrë, e cila nuk dihet sesi ka përfunduar në duart e tyre, kangjellat e dritares së një banje të burgut, një metër nga toka. Njëri pas tjetrit ata kanë arritur të dalin nga dritarja me përmasa të vogla pa u diktuar nga rojet e sigurisë. Të çudit fakti se pasi kanë dalë në rrethimin e brendshëm, dy të burgosurit kanë arritur të dalin në hapësirë dhe sërish nuk janë zbuluar nga rojet që qëndrojnë mbi tarracën e burgut të Burrelit. Ata kanë arritur të ngjiten mbi murin kryesor, duke sfiduar telat me gjemba dhe i kanë kapërcyer ato e kanë dalë në fushën prapa burgut. Çdo gjë është kryer me qetësi e kujdes, për të mos u rënë në sy rojeve dhe banorëve që kanë shtëpitë ngjitur me burgun. Fillimisht kanë zbritur në një parcelë të mbjellë me vreshta dhe duke shfrytëzuar ferrat e terrenin kanë rënë poshtë vendit të quajtur "Plepa". Më pas kanë vijuar rrugën në drejtim të lumit të Matit. Vendi i parë që kanë pikasur për t'u strehuar ka qenë një shpellë, rreth 5 km larg qytetit të Burrelit.
Arrestimi
Nuk dihet nëse dikush do të afrohej për t'i marrë të dënuarit në afërsi të lumit, por policia e Matit ka vepruar shpejt. Sapo kanë vënë re lëvizjet e policisë së Burrelit dhe gardianëve të burgut, të dënuarit janë detyruar të qëndrojnë në pritje, në pamundësi për të dalë matanë lumit, në fshatin Zenisht të komunës së Lisit. Forcat e shumta të policisë, të drejtuara nga nëndrejtori i policisë rajonale të Qarkut Dibër, shefi i komisariatit të Matit, kanë djersitur bashkë me forcat e tyre për të mundësuar kapjen e të arratisurve nga burgu i sigurisë së lartë. Kur ata i janë afruar vendit të dyshuar se mund të ishin fshehur, kanë pikasur lëvizje të dyshimta. Me mjaft kujdes oficerët e punonjësit e policisë së Burrelit i janë afruar vendit ku dy të burgosurit mendonin të kalonin natën, derisa të gjenin mundësinë për të lëvizur për diku tjetër. Aty kanë gjetur pranë njëri-tjetrit Preng Lleshin e Fran Marashin, me rrobat e mbytura nga balta, ndërsa nxitonin t'u shpëtonin policëve.
Blindohet Burreli
Pak minuta pas arratisjes së dy të dënuarve, qyteti i Burrelit është blinduar nga forca e mjete të shumta të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Burgjeve shqiptare. Ata kanë marrë nën kontroll gjithë territorin e burgut. Alarmi i arratisjes së tyre ka vënë në lëvizje dhe forcat speciale nga Tirana, por arrestimi i të burgosurve i ka kthyer pas ata. Ndërkohë prokurorët e rrethit kanë ardhur me shpejtësi nga Durrësi e Kavaja për të nisur me shpejtësi hetimet për ngjarjen e rëndë. SHKB-ja po heton rreth mundësisë së përfshirjes së gardianëve në këtë arratisje. Nga Drejtoria e burgut të Burrelit nuk ka asnjë prononcim, por nuk hidhet poshtë pista e bashkëpunimit të punonjësve të sigurisë me të dënuarit. Këtë fakt pritet që ta vërtetojnë dëshmitë e dy të arrestuarve pas marrjes në pyetje si dhe verifikimi i numrave telefonikë që ata mbanin në bllokun e shënimit. Vetëm pak ditë më parë postin e drejtorit të Burgut të Burrelit e mban Eduart Brahilika, ish-juristi i bashkisë së qytetit. Emërimi i tij erdhi pas shumë polemikash mes anëtarëve të tjerë të stafit të këtij burgu dhe strukturave të PD-së Mat.

ndeshja
Dy autorët e arratisjes kanë shfrytëzuar kohën kur policia e rendit ka qenë e angazhuar përreth stadiumit të qytetit, ku zhvillohej ndeshja Burreli-Skrapari. Pak minuta pasi është mësuar arratisja e personave të cilësuar super të rrezikshëm, është vënë në lëvizje me urgjencë grupi i gatshëm dhe punonjës të tjerë të policisë për të ndjekur gjurmët e të ikurve. Lajmi se ishin arratisur dy të dënuar solli panik jo vetëm për punonjësit e administratën e burgut të Burrelit, por dhe për banorët e qytetit.

Pranga 4 policëve, ndihmuan në arratisjen e dy të burgosurve

BURREL - Arratisja e dy të burgosurve të dënuar përjetë Preng Lleshi dhe Fran Marashi nga burgu i Burrelit, u ka kushtuar prangat katër policëve të këtij burgu. Emrat e policëve të prangosur janë Ervin Heta, Ardian Ruka, Fiqiri Ceni dhe Fatmir Domi, ky i fundit pohohet se është kushëri i ish-drejtorit të këtij burgu, Haziz Duka. Menjëherë pas konstatimit të arratisë së të burgosurve, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët specialë të Drejtorisë së Burgjeve nga Tirana, Kontrolli i Shërbimit të Brendshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria e Burrelit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të këtij qyteti. Pas hetimeve të kryera dje, ka rezultuar se hekurat e banjës prej nga u arratisën të burgosurit e rrezikshëm ishin prerë në orën 11:00 të paradites, ndërsa gardianët që e kishin kuptuar këtë gjë e kishin mbajtur të fshehtë. Ndërkohë edhe polici që bënte rojë në kullën e burgut nuk kishte reaguar, pasi kishte parë dy të burgosurit të kacavirreshin nëpër mur dhe të kalonin edhe pengesën me tel me gjemba. Vetëm pasi dy të dënuarit e rrezikshëm kishin kaluar rrugicën jashtë burgut, gardianët kanë vënë alarmin për arratisjen. Pas kësaj është njoftuar komisariati i policisë së qytetit, ku dhjetëra policë janë vënë në ndjekje të të burgosurve, të cilët janë kapur 30 minuta më vonë. Hetimet e kryera nga prokuroria e Burrelit dhe SHKB-ja e Ministrisë së Drejtësisë kanë zbuluar se katër efektivë blu të burgut, njëri prej të cilëve oficer, ishin përfshirë në planin e të burgosurve për arrati. Pas kësaj ata janë vënë në pranga dhe janë izoluar në qelitë e komisariatit të policisë, ndërkohë paraprakisht mendohet se ata mund të kenë përfituar një shumë të konsiderueshme të hollash nga familjarët e të burgosurve që u arratisën. Gjatë pasdites së djeshme deri në orët e vona të natës janë marrë në pyetje të burgosur dhe policë në këtë institucion, ndërkohë ndaj të arrestuarve janë ngritur akuzat e "shkeljes së rregullave të shërbimit të rojës" dhe "largimit të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit". Gjatë gjithë kohës burgu i Burrelit është mbajtur i rrethuar nga forcat speciale të burgjeve të mbërritura nga Tirana.       f.m

“Arratisja, që shteti të na dëgjojë”

"Dënimi ynë nuk është i drejtë. Nuk kishim para për të rinisur procesin ndaj nesh, prandaj vendosëm arratisjen".

BURREL / ENVER DOÇI

Në momentet e para pas arrestimit nga liria e vetëm gjysmë ore, Fran Marashi e Preng Lleshi e kanë justifikuar vendimin se nuk e meritonin dënimin përjetë. "Jemi dënuar mjaft rëndë dhe para 10 ditësh kemi organizuar një protestë në ambientet e brendshme të burgut, - u shpreh Fran Marashi. Nuk gjetëm mënyrë tjetër për t'u bërë të ditur strukturave të shtetit se nuk i meritonim dënimet e dhëna". Megjithëse ka qenë kontradiktor në pohimet e tij, herë duke thënë se donin se nuk kishin qëllim arratisjen, por të provokonin shtetin e herë se donin të rifitonin lirinë. Ndërsa qëndronte në ambientet e policisë, 30-vjeçari Marashi ka treguar disa nga detajet e vendimit të arratisjes. Prej dy vitesh ai është izoluar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, pasi dënimi i tij është maksimal. Burg përjetë për masakrën e ndodhur në Urën Vajgurore, një prej më të rëndave në historinë e përgjakshme të vitit 1997, kur ishte vetëm 19 vjeç. Megjithatë, asnjëherë nuk është pyetur mbi rrethanat e vendndodhjes së tij dhe akuzën se ishte organizator i krimit të ndodhur shumë kilometra nga fshati i tij Oblik i Shkodrës, në qytezën pranë Beratit.
Pse vendosët për t'u arratisur?
Vendimin për t'u arratisur nga burgu e menduam dhe e realizuam për t'u treguar gjykatave se dënimet e dhëna janë shumë të larta. Na akuzojnë për një seri vrasjesh, por organet e drejtësisë nuk disponojnë faktet e mjaftueshme. Unë jam dënuar në mungesë dhe më akuzojnë për 3-4 vrasje, të cilat nuk i kam kryer.
Kur e keni mësuar vendimin e dënimit me burg të përjetshëm?
Unë kam qenë në Itali kur jam dënuar nga prokuroria në mungesë me burg të përjetshëm, pa të drejtë për vrasje që nuk i kam bërë. Në Itali më arrestuan e para dy vjetësh më ekstraduan. Tani ndodhem në burgun e Burrelit. Unë kam dy fëmijë, një djalë e një vajzë e dua të jetoj bashkë me ata e jo në burg.
Pas ekstradimit në Shqipëri keni bërë ndonjë reagim për vendimin e marrë në mungesë?
Kam dashur që procesi im të ribëhet e unë të gjykohem nga fillimi nga prokuroria. Kjo kërkesë nuk është realizuar e unë nuk kam lekë që të paguaj për të nisur gjyqi për mua. Për këtë, 6 muaj më parë i kam bërë kërkesë drejtuesve të shtetit, që nga presidenti, kryeministri e kryetarja e Kuvendit që të më përmbushin kërkesën, por nuk më kanë kthyer përgjigje. E vetmja rrugë ishte arratisja, për të provokuar shtetin që të mendojë për ne.
Prej sa kohësh e kishit planifikuar arratisjen?
Kishim kohë që bisedonim për të gjetur një mënyrë arratisjeje nga burgu, bashkë me shokun e qelisë, Preng Lleshin. Këtë vendim e morëm plotësisht pas protestës që zhvilluam në ambientet e burgut 10 ditë më parë dhe askush nga autoritetet nuk na dëgjoi. Unë kam nisur dhe një grevë urie në burg për gjyqin, por prapë dështova. Dua që dosja ime të rihapet dhe të pyetem direkt për ngjarjen për të cilën akuzohem.
Kishit vënë në dijeni të burgosurit e tjerë për arratisjen tuaj?
Jo, planin e kisha bërë vetëm me Prengën, pasi me të isha në qeli dhe kur u arratisëm kemi lëvizur njëri pas tjetrit, derisa dolëm jashtë rrethimit të burgut.

Arratisja
Një tjetër akuzë do të rëndojë tashmë ndaj dy të dënuarve përjetë. Sipas procedurës, vepra e tyre klasifikohet si arratisja nga vendi i vuajtjes së dënimit. Pas ngjarjes së ndodhur dje, Preng Lleshi dhe Fran Marashi do të përballen me togat e zeza, për të mësuar akuzën më të lehtë, përballë atyre të disa vrasjeve, të cilat u kanë kushtuar burgimin e përjetshëm. Për këto akuza ata janë izoluar në burgun e Burrelit.

Preng Lleshi
Preng Lleshi, 34 vjeç, lindur në Tale të Lezhës, është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje. I njohur dhe me mbiemrin Biba e Ndoj, ai akuzohet për kryerjen e disa krimeve të rënda në qarkun e Lezhës për shkaqe hakmarrjeje. Njëra prej tyre është ajo e Prekë Bicit, kryetar i komunës, për të cilën akuzohet se e ka kryer në bashkëpunim. Pas shpalljes në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 2 maj të vitit 2003, Lleshi është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Kthimi i tij me pranga në Shqipëri ka bërë që ai të strehohet në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, për shkak të veprës penale për të cilën është dënuar me burg përjetë.

Marashi, qëlloi në masakrën e Urës Vajgurore

Fran Marashi ka provuar qelitë e burgut në Shqipëri pas ekstradimit nga Italia më 22 gusht të vitit 2006. Vetëm 30 vjeç, ai mban mbi shpinë dënimin e përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1997, ku 4 gardistë u ekzekutuan në mënyrë makabre. Marashi, i lindur në Oblik të Shkodrës, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me burg përjetë për disa vepra penale: ""pjesëmarrje në bandë të armatosur", "vrasje me dashje për shkak  të cilësive të veçanta të viktimës", "vrasje me dashje" dhe "heqje të paligjshme të lirisë". Ngjarja e rëndë për të cilën ai është cilësuar bashkëpunëtor ka ndodhur më 17 qershor të vitit 1997, në qytezën e Urës Vajgurore në Berat. Viktima të sulmit të grupit të armatosur kanë qenë punonjësit e policisë, Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami e Ilia Bano, ndërsa të plagosur mbetën punonjësit e policisë, Thimi Tanku e Ylli Dhamo. Veç uniformave blu mbeti i vrarë në këtë ngjarje dhe 16-vjeçari Ilir Bani. Ky i fundit u qëllua me armë zjarri, ndërsa ndaj punonjësve të policisë u lëshua një predhë antitank, duke i lënë të vdekur në vend. Ngjarja ndodhi gjatë kohës së trazirave, pak orë pasi në Berat kishin kryer takimet elektorale përfaqësues të partisë opozitare në atë kohë. Nga hetimet ka rezultuar se predha u qëllua nga vila e familjes Protoduari, 3 anëtarë të së cilës janë vënë nën akuzë, ashtu si dhe Fran Marashi. I ardhur nga fshati i Shkodrës, atëherë 19 vjeç, ende nuk dihet historia e mbërritjes së tij në zonën e nxehtë, ku bandat e shumta u ngritën kundër njëra-tjetrës e ndaj punonjësve të shtetit. Gjatë procesit gjyqësor, në mungesë, Marashi është cilësuar drejtues i bandës që kreu ekzekutimin. Për vrasjen e Urës Vajgurore janë proceduar 9 persona: Fran Marashi; Musa, Fatbardha, Shkëlqim dhe Edmond Protoduari, Sokol e Gjovalin Ndreu si dhe Prengë e Gjelosh Miri. Prej dy vitesh, Fran Marashi ndodhet në qelitë e burgut të Burrelit, ku është dërguar menjëherë pas ekstradimit nga Italia, pasi dënimi ndaj tij kishte marrë dënimin e formës së prerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›